Jetmir Rexhepi, artisti nga Tetova që ruan vlerat e folkut shqiptar
2023-04-15 14:44:49



Jetmir Rexhepi me kengetarin Shkodran Tolaj 

Jetmir Rexhepi është këngëtar i muzikës popullore qytetare nga Maqedonia e Veriut,  i cili ka mbi 30 vite në skenë, duke interpretuar pastër këngën popullore shqiptare. Ai ka realizuar mjaft këngë popullore të trevave të ndryshme si dhe ka marrë pjesë në disa aktivtete artistike. Prej disa vitesh Jetmiri është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Maqedoninë e Veriut ku dhe ka marrë pjesë në disa premiera. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për karrierën e tij artistike si dhe projektet muzikore në të ardhmen.

CMG: Si ka nisur karriera juaj me muzikën popullore qytetare?

Jetmir Rexhepi: Si gjithmonë ku secili këngëtar e ka nisur karrierën që në fëmijëri dhe karriera ime muzikore në atë kohë ka nisur. Së pari kam nisur në shoqërinë kulturore-artistike “Xheladin Zeqiri”,  për gati 30 vjet karrierë në skenë. Pastaj kam mësuar në shkollë edhe pjesën e solo-këndimit, ku jam krijuar si artist dhe kam kultivuar këngën popullore qytetare për të  vijuar me pjesën e kultivimit të këngës qytetare.

Jetmir Rexhepi duke interpretuar ne skene 

CMG: Cili ka qenë angazhimi juaj këto vite me këngën popullore si dhe me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore?

Jetmir Rexhepi: Unë aktualisht punoj në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku merrem me këngën popullore. Për momentin merrem me të gjithë zhanret e muzikës dhe kemi marrë pjesë me disa programe artistike ku dhe vazhdojmë me programe të tjera. Ne jemi në ansambël tetë këngëtarë, shumë të pregatitur si dhe me shumë përvojë ku përveçse si solistë, jemi edhe në grup në pjesën e korit.

CMG: Ju keni publikuar mjaft këngë popullore qytetare. Si janë pritur këto këngë nga publiku?

Jetmir Rexhepi: Duke pasur parasysh që në Tetovë dhe më gjerë këngët qytetare dhe ato folklorike i merrnin dhe i kthenin në muzikë rock, menduam që ta bëjmë këngën shembull. Kënga “Vijnë vaporat’, e cila është një këngë perlë, kemi bërë në të akorde dhe e kemi sjellë në një mënyrë shumë perfekte për veshin e të gjitha moshave dhe kjo këngë është bërë himn. Unë kryesisht jam duke u kujdesur për këngën qytetare, këngën autoktone dhe këngën popullore që mos të humbi vlerën.

CMG: Cilën trevë lëvroni më tepër në interpretimet tuaja?

Jetmir Rexhepi: Më shumë jam marrë me këngë të vjetra qytetare, por jam nga Tetova dhe këngën tetovare nuk e humb sepse është vendi që kam lindur dhe aty dua ta kultivoj. Gjithashtu është kënga autoktone, e cila ka vlera artistike dhe nuk duhet të humbasë.

Jetmir Rexhepi me kengetarin Selajdin Miftari 

CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Jetmir Rexhepi: Unë kam shumë bashkëpunëtorë, por do të veçoj disa nga të cilët më kanë ndihmuar shumë dhe njëri prej tyre është miku im Ylber Asllanaj si dhe Besim Dinaj, të cilët më mundësuan që të shkoja në emisionin “Oksigjen”. Njëkohësisht edhe orkestra e këtij emisioni janë shumë profesionistë. Pastaj miqtë e mi, të cilët kanë studio më kanë ndihmuar në inçizimin e këngës “Vijnë vaporat”. Kam bashkëpunuar shumë edhe me Besarta Myrtezajn dhe vazhdoj të bashkëpunoj akoma. Jam shumë me fat që kam një kolege dhe bashkëpunëtore si Besarta, e cila është pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në Maqedoninë e Veriut.

CMG: Jeni i pranishëm në dasma dhe festat familjare?

Jetmir Rexhepi: Normal që çdo këngëtar e ka atë pjesën e dasmave, ku edhe unë shkoj nëpër gëzimet familjare, por dasmat i zgjedh d ku më adhurojnë si këngëtar i këngës qytetare, sepse e kam thënë publikisht që nuk këndoj muzikë tallava. Unë kam adhuruesit e mi, të cilët dëgjojnë këngët e mia dhe e adhurojnë këngën qytetare.

CMG: Çfarë do ju sugjeroje këngëtarëve të rinj për ta ruajtur të pastër këngën e mirëfilltë popullore?

Jetmir Rexhepi: Unë çdo herë kur kam qenë i ftuar nëpër emisione të ndryshme e kam thënë një shprehje që thuhet tek ne këtu në Tetovë, që “me një lule të vetme nuk çel pranvera”. Kështu që duhet të bëhet një buqetë e madhe e luleve që të mposhtim atë pjesën e tallavasë, sepse ai zhanër nuk na takon ne shqiptarëve. Ne kemi një folklor shumë të pasur, si nga kënga qytetare ashtu edhe nga kënga polifonike dhe folklori që mund të jetë dhe histori, por disa këngëtarë marrin pjesën më të keqe të këngës dhe normal e ushqejnë popullin me atë lloj muzike.

Ne artistët duhet të përcjellim diçka të bukur për popullin dhe të bindemi se ne shqiptarët kemi folklor shumë të pasur. Gjithë këngëtarët duhet të gjurmojnë që të shohin çfarë këngësh ka populli shqiptar, artistët e mëparshëm që e kanë kultivuar këngën dhe e kanë ruajtur vlerën artistike të këngës popullore. Unë mund të veçoj dhe disa pjesë të këngës “Udha e shullanit”, që e kemi  këtu në Maqedoni, apo këngën “Çohu more Rexho” dhe disa këngë të tjera perla që akoma nuk janë prekur, por janë në atë pjesën e pluhurit. Shpresoj që ndonjë këngëtari do t’i shkojë ndërmend që të bëjë një bashkëpunim me këngëtarë të tjerë, të cilët kanë mbaruar pjesën e solo-këndimit dhe të nisin të punojnë në mënyrë më profesionale sepse nuk është gjithçka paraja. Duke parë paranë mund të humbasim shumë vlera artistike, që në të ardhmen fëmijët tanë duhet t’i dëgjojnë dhe t’i ndjejnë.

Jetmir Rexhepi me veshje popullore 

CMG: Si jeni ndjerë kur keni veshur kostumin popullor në skenë?

Jetmir Rexhepi: Në fakt unë kam veshur shumë veshje popullore, por veshjen që e dua më shumë është ajo e Rekës. Aty do të shohësh se çfarë vlere artistike ka populli shqiptar, aty do të shohësh gjithçka që nga ngjyrat e veshjes, xhamadanit dhe të gjitha pjesët që janë bërë nga artizanet. Unë ndjehem shumë krenar që vishem me një veshje popullore, pavarësisht e cilës krahinë është veshja. e Kërçovës, e Pullogut apo e veshja e Rekës, por ndjehem shumë krenar kur e vesh kostumin popullor dhe ngjitem në skenë. Çdo këngëtar duhet ta veshë kostumin popullor dhe atëherë mund ta ndjejë se çfarë vlere artistike ka një artist dhe një komb.

CMG: Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen?

Jetmir Rexhepi: Unë kam dëshirë që të realizoj një album, por do të shohim se si do të jetë puna me Ministrinë e Kulturës dhe se sa do na mbështesi. Do kisha veçuar një këngë, të cilën e kam shumë për zemër sepse e di historinë e asaj kënge. Është kënga “Çanakale”, e cila është kënduar shumë më herët dhe këndohet dhe në Turqi, por do të mundohem që të bëjmë një bashkëpunim me një këngëtar turk, pra këngën ta këndojmë shqip dhe turqisht, sepse është një këngë vërtetë interesante.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese.

Jetmir Rexhepi: Faleminderit, suksese dhe juve. Shfrytëzoj rastin tju uroj të gjithë muslimanëve muajin e shenjtë të Ramazanit.

Intervistoi: Gazmend Agaj