FAO: Fuqizimi i grave në ushqim dhe bujqësi, burim i pashfrytëzuar i rritjes
2023-04-15 14:10:35

Foto nga VCG

Përmirësimi i aksesit në njohuri dhe burime për gratë që punojnë në sektorët e ushqimit dhe bujqësisë mund të nxisë rritjen globale dhe të kontribuojë në ushqimin e miliona njerëzve, thuhet në raportin e publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), cituar nga “Xinhua”.

I titulluar “Statusi i grave në sistemet agroushqimore”, raporti bën të ditur se pabarazitë gjinore si paga më e ulët dhe aksesi i kufizuar në arsim për gratë përbëjnë një hendek prej 24 për qind në produktivitetin midis grave dhe burrave fermerë në ferma me madhësi të barabartë.

Duke pasur parasysh faktin se mbi një e treta e grave që punojnë në botë janë të punësuara në sistemet agroushqimore, të cilat përfshijnë prodhimin e produkteve bujqësore ushqimore dhe joushqimore, si dhe aktivitetet e ndërlidhura nga ruajtja, transporti dhe përpunimi i ushqimit deri në shpërndarjen, gjetja e mënyrave për të rritur potencialisht produktivitetin e tyre do të rriste PBB-në globale me gati 1 trilion dollarë amerikanë dhe do të zvogëlonte numrin e njerëzve të pasigurt nga ushqimi me 45 milionë, thuhet në raport.

Në dokument thuhet se pavarësisht përmirësimeve gjatë dekadës së fundit ose më shumë, gratë mbeten të pafavorizuara në mënyrë të konsiderueshme në pronësinë e tokës në krahasim me burrat, duke përfshirë mbrojtjen e dobët për të drejtat e grave për tokën në 40 nga 46 vendet e anketuara për raportin.

“Nëse ne trajtojmë pabarazitë gjinore endemike në sistemet agroushqimore dhe fuqizojmë gratë, bota do të bëjë një hap përpara në adresimin e qëllimeve për t'i dhënë fund varfërisë dhe për të krijuar një botë pa urinë”,- tha drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Qu Dongyu në një deklaratë të publikuar nga organizata.

Raporti 264 faqesh i FAO-s synon t'u ofrojë qeverive dhe kompanive një analizë gjithëpërfshirëse të provave të disponueshme mbi hendekun gjinor dhe fuqizimin e grave në sistemet e bujqësisë dhe ushqimit. (Irma)