Uzbekistan, zhvillohet Mbledhja e 4-t e Ministrave të Jashtëm të Shteteve Fqinje të Afganistanit
2023-04-14 17:09:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në Samarkand të Uzbekistanit u mbajt të enjten Mbledhja e Katërt e Ministrave të Jashtëm të Shteteve Fqinje të Afganistanit, ku morën pjesë kryediplomatët dhe zyrtarët e lartë të Kinës, Iranit, Pakistanit, Rusisë, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.

Në një atmosferë të sinqertë dhe pragmatike me mirëkuptim të ndërsjellë, palët zhvilluan një diskutim të gjithanshëm, të thellë dhe konstruktiv mbi gjendjen e tanishme në Afganistan dhe perspektivat për zhvillimin e saj.

Pjesëmarrësit ritheksuan angazhimin ndaj zhvillimit të Afganistanit si një shtet paqësor, i bashkuar, sovran dhe i pavarur, i lirë nga kërcënimet e terrorizmit dhe trafikut të drogës.

Ata vunë në dukje rëndësinë e ndërtimit të një sistemi qeverisjeje përfshirëse e me bazë të gjerë në Afganistan, që pasqyron interesat e të gjitha segmenteve të shoqërisë afgane.

Palët u shprehën se gjendja e sigurisë lidhur me terrorizmin në Afganistan është ende e vështirë dhe përsëritën angazhimin e tyre për të përmirësuar bashkëpunimin kundër terrorizmit e për sigurinë ndërmjet vendeve fqinjë dhe për të krijuar një front të bashkuar kundër terrorizmit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mbledhja theksoi që të gjitha grupet terroriste, veçanërisht ISIL, "Al-Kaeda", Lëvizja Islamike e Turkistanit Lindor (ETIM), "Tehreek-e-Taliban" e Pakistanit (TTP), Ushtria e Çlirimit të Baloçistanit (BLA), "Jundallah", "Jaish al-Adl", "Jamaat Ansarullah", Lëvizja Islamike e Uzbekistanit (IMU), dhe organizatat e tjera terroriste me bazë në Afganistan, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale e globale.

Palët theksuan rëndësinë e luftës kundër drogës dhe kërkuan përkrahje për zhvillimin e programeve të zëvendësimit të bimëve prodhuese të drogës, si dhe për luftën kundër prodhimit e trafikimit të drogës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ato shprehën rëndësinë e bashkërendimit të përpjekjeve rajonale e ndërkombëtare për të garantuar sigurinë e qëndrueshmërinë në rajon, duke theksuar kontributin pozitiv të forumeve rajonale ekzistuese, duke përfshirë Konferencën Ndërkombëtare të Tashkentit "Afganistani: Siguria e Zhvillimi Ekonomik" dhe Konsultimet e Formatit të Moskës mbi Afganistanin.