Klaudia Gjini Foto personale
Pianistja e re Klaudia Gjini pas fitores ne "Bienalen Netët e Muzikës Klasike" në Durrës, shkëlqeu me dy koncerte të suksesshme në Spanjë, ku ka ekzekutuar pjesë të autorëve botërorë dhe shqiptarë.
Pianistja 16 vjeçare nga qyteti i Durrësit Klaudia Gjini, ka dhënë dy koncerte të suksesshme në prani të autoriteteve të muzikës klasike në qytetet Korunja dhe Vigo. Loja e saj i ka surprizuar artdashësit e pranishëm dhe komentet apo vlerësimet nga personalitetet e muzikës klasike kanë çmuar lart talentin dhe përkushtimin e artistes së re. Në program u ekzekutuan pjesë të autorëve të famshëm botërore, por edhe artistëve shqiptarë. Talentet dhe puna e këtyre të rinjve janë përkrahur nga violinisti, Maestro Florian Vlashi, i cili është themelues i “Bienales Netët e Muzikës Klasike në Durrës”, ku Klaudia ka qenë fituese e këtij aktiviteti muzikor. Në intevistë për radio Ejani, Klaudia tregon rreth kësaj eksperience, por edhe planet e saj në të ardhmen.
Klaudia Gjini (Foto personale)
CMG: Ti ke qenë fituese në “Bienalen Netët e Muzikës Klasike” në qytetin e Durrësit, si ishte ky konkurs për ty?
Klaudia Gjini: Unë kam qenë fituese në konkursin “Yjet e rinj” në “Bienalen Netët e Muzikës Klasike” në qytetin e Durrësit në vitin 2017, një konkurs i organizuar nga Maestro Florian Vlashi. Në këtë konkurs merrnin pjesë nxënësit më të talentuar të shkollës “Jan Kukuzeli”. Ky konkurs për mua ishte një mundësi shumë e mirë, pasi fituesi do të organizonte koncerte në Spanjë dhe puna ime do të vlerësohej edhe jashtë Shqipërisë.
CMG: Më pas erdhi paraqitja jote me dy shfajqje në Spanjë, na trego për këtë eksperiencë?
Klaudia Gjini: Në datat 22 dhe 23 mars unë bëra dy koncerte recitale, të cilat u organizuan në auditoret muzikore më me emër të qyteteve të Spanjës si La Coruna dhe Vico, ku në program janë ekzekutuar vepra të autorëve botërorë dhe shqiptarë si, Bethoven, Bah, Çesk Zadeja, etj. Në atë koncert përveç publikut artdashës, morrën pjesë edhe personalitetet më të mirë të muzikës klasike, të cilët më vlerësuar për punën e bërë.
Foto personale
CMG: Disa nga këto personalitete në Spanjë janë shprehur me superlativa për talentin tënd të jashtëzakonshëm, si i prite ti këto?
Klaudia Gjini: Të vlerësohesh me superlativa nga personalitete të njohur në Spanjë si dhe profesor Florian Vlashi është vërtetë një emocion i madh. Kam qenë shumë e lumtur që puna dhe mundi im janë vlerësuar maksimalisht.
CMG: A i sheh këto koncerte dhe komplimentat si një ogur i mirë për t’u hapur dyert e karrierës tënde artistike në të ardhmen edhe jashtë vendit?
Klaudia Gjini: Sigurisht që këto koncerte i shoh si një ogur i mirë për karrierën time artistike edhe jashtë vendit. Mendoj se është shumë e rëndësishme për artistët e rinj që të kenë mbështetjen dhe promovimin edhe jashtë vendit të tyre, pasi kjo mbështetje i çon ata drejt suksesit të tyre të karrierës muzikore. Falenderoj shumë Maestron Florian Vlashi dhe profesoreshën Rediana Lukaçi, të cilët më mundësuan këto koncerte në Spanjë.
CMG: Ti je vetëm 16 vjeç, por cili është synimi yt për të vazhduar studimet e larta?
Klaudia Gjini: Pas përfundimit të shkollës së mesme do më pëlqente që të studioja në shkollat më të mira të muzikës në Evropë. Dëshira ime është që të studioj në Vjenë ose në Gjermani, pasi mendoj se muzika kalsike ka qenë dhe është më e zhvilluar në këto shtete.
Foto personale
Dy koncertet në Spanjë të pianistes së re durrsake Klaudia Gjini ishin të suksesshme, duke u vlerësuar nga personalitete të artit dhe muzikës klasike aty. Jacobo Gaspar Grandal, drejtori “Festivalit VIII de Música e das Artes do CSMVigo Nas Ondas” ka thënë për Klaudian: “Klaudia Gjini ofroi një koncert në festivalin e lartpërmendur të mërkurën, më 22 mars, në të cilin performoi një program të përbërë nga vepra të J. S. Bach, L. V. Beethoven, F. Chopin, Ç. Zadeja dhe M. Moszkowski. Koncerti u prit shumë mirë nga publiku dhe më së shumti, nga studentët tanë, të cilët panë te interpretuesja e re një shembull madhështor talenti dhe përkushtimi. Klaudia Gjini, pavarësisht rinisë së saj, gjatë gjithë recitalit, tregoi mjaft pjekuri si interpretuese, muzikalitet të madh dhe përsosmëri teknike. Për këtë arsye, ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm për Conservatorio Superior de Música de Vigo ta mirëpresë atë në programin tonë të koncerteve dhe do të ishte shumë kënaqësi të kishim përsëri praninë e saj në të ardhmen.”
Një tjetër personalitet, Esteban Valverde Corrales, Drejtor “Conservatorio Superior de Música de Vigo” theksoi: “Klaudia Gjini tregoi një talent të jashtëzakonshëm artistik si dhe pjekuri gjatë koncertit të saj në institucionin tonë. Pas përvojës së drejtimit të një institucioni ku trajnohen të rinj të kombësive të ndryshme dhe që pranon një numër të madh studentësh, kam mundur të perceptoj tek Klaudia Gjni disa cilësi të rralla që tregojnë për një karrierë të jashtëzakonshme artistike në fushën e interpretimit muzikor.”
Klaudia Gjini (Foto personale)
Laura Gonzaez Garcés, Ex-Directora de la Biblioteca Municipal de A Coruña është shprehur për vajzën shqiptare: “Klaudia Gjini interpretoi me mjeshtëri dhe ndjeshmëri të thellë një repertor të gjerë. Një program që kërkon virtuozitet të vështirë për t'u arritur, veçanërisht në këtë moshë kaq të re. Më emocionoi, Klaudia! Më mahniti. Uroj me gjithë shpirt që fati të jetë me të!”
Ndërsa profesor, Florian Vlashi krijuesi dhe drejtuesi i GISXX Spanjë, i Bienales “Netët e Muzikës Klasike” si dhe i Çmimit Solisti i Ri i Bienales shprehet: “Në Bienalen Netët e Muzikës Klasike që krijuam në Durrës në verën e vitit 2003 është dhe Konkursi për Talentet e Rinj të qytetit. Fituesin e konkursit e ftojmë në Spanjë për koncerte. Kjo ftesë, ku përfshihen çdo gjë që nga udhëtimi e deri tek muzetë, nuk paguhet nga buxheti i Bienales, apo i ndonjë enti spanjoll, por nga unë dhe ime shoqe, Rediana. Në fillim menduam të krijonim nje çmim me vlerë monetare, por na u duk më e arsyeshme një ftesë e tillë. Kështu, fituesi apo fituesja njihet me një vend e me një kulturë të madhe siç është Spanja, dhe, koncertet që japin aty nuk mbeten vetëm në CV por edhe në memorien dhe formimin e tyre. Në të vërtetë, ky është një borxh që i kemi shkollës ku kemi studjuar, një borxh që nuk deshëm të ishte vetëm një fjalë sterile. Por, dua të pohoj edhe diçka tjetër: tek secili nga këta fëmijë unë takohem me veten time nxënës. Edhe unë kam ëndërruar atëherë për një ftesë të tillë që nuk erdhi kurrë. “ ka përfunduar profesor maestro Florian Vlashi, krijuesi i Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.
Intervistoi: Sava Lena