Pse u ul ndjeshëm inflacioni në mars?
2023-04-14 14:58:27

INSTAT (Foto INSTAT)

INSTAT (Foto INSTAT)

Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT) bëri të ditur se inflacioni për muajin mars 2023 ishte 5,3 përqind. Treguesi i mesatares së çmimeve të konsumit në Shqipëri  ka rënë ndjeshëm nga 7.1% që ishte në shkurt 2023 dhe 8.3% që arriti në tetor 2022, duke shënuar rekordin për inflacionin, që nga viti 1998. Rënia e inflacionit ishte e pritshme, për shkak të bazës së lartë të muajit mars të vitit të kaluar, kur filloi një valë shtrenjtimesh të mallrave e produkteve, si rrjedhojë e pasojave që dha lufta në Ukrainë, në zinxhirin global të furnizimit.

Për shembull, nafta në mars të vitit të kaluar arriti deri në 260 lekë për litër, ndërsa aktualisht është më pak se 190 lekë. Në mars 2022, në Shqipëri, si kudo në Evropë dhe në botë, filloi edhe shtrenjtimi i drithërave, vajit e produkteve të tjera ushqimore.

Rënia e inflacionit nga nivelet e larta të vitit të kaluar, është një ogur i mirë për ekonominë shqiptare, e cila përballet me presionet e shtimit me 46 përqind të pagës mesatare në shtet, si pasojë e nismës më të fundit të qeverisë shqiptare. Qeveria shpreson se rritja e pagës në rradhët e punonjësve të administratës publike, do të shtyjë sipërmarrësit që të rrisin pagën mesatare edhe në sektorin privat, i cili siguron 80 përqind të prodhimit kombëtar dhe punëson mbi 1.2 milionë punonjës.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Eduard Gjokutaj, specialist pranë AlTax flet për këtë

 

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

CMG: Z. Gjokutaj, përse inflacioni, mesatarja e çmimeve të konsumit ra në Shqipëri me 5.3 përqind në mars 2023, në krahasim me nivelin 7.1% të shkurtit 2023, sipas të dhënave të INSTAT?

Eduard Gjokutaj: Inflacionin duhet ta shikojmë në historikun e tij. Në vitin e kaluar ishte 6.7 përqind si mesatare vjetore. Tashmë kemi këto ulje-ngritje, por arsyet se çfarë pritet të ndodhë nuk mund t’i thotë njeri me lehtësi. Pavarësisht prashikimeve, të cilat ngrihen dhe ulen edhe ato, sipas treguesve. Nga ajo çfarë shihet në të dhënat e publikuara nga INSTAT, ka ndikuar çmimi i transportit, i reduktuar ndjeshëm tashmë nga ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Kjo ka reflektuar në lëndën e parë në transport, që janë karburantet.

Nga ana tjetër, ka një tregues të uljes së lehtë të çmimeve edhe në grupin e ushqimeve. Edhe grupet e tjera të mallrave po rikthehen në ato përmasa të kostove që sipërmarrësit e këtyre mallrave mendojnë se mund t’u vlejë më shumë në një nivel më të ulët për të shitur në tregje, pasi kemi rrudhje të konsumit, në raport me periudhat e mëparshme gjatë vitit 2022. Kjo, për arsyen e thjeshtë se vetë çmimet e larta i kanë detyruar njerëzit të kursejnë.

Po ashtu, edhe vetë politika e Bankës së Shqipërisë, e cila lidhet shumë me mbajtjen nën kontroll të inflacionit, duke ndikuar me shtimin e normave të interesit, ka tentuar të frenojë konsumin dhe rritjen ekonomike, për të përballuar inflacionin.

Megjithatë, ia vlen të diskutojmë se si operon në këtë treg që ka probleme me informalitetin, me paranë informale, apo me të gjitha institucionet që përpiqen të kufizojnë paranë informale, për të qenë në sinkron me atë çfarë ka apo çfarë po jep sinjale ekonomia.     

   CMG: Në gjykimin tuaj, rritja e ndërmarrë nga qeveria e pagës mesatare në sektorin shtetëror me 46 përqind deri në korrik 2024, a do të ushtrojë presion për rritjen e inflacionit në muajt në vijim?

Eduard Gjokutaj: Kjo është një rritje pagash për një pjesë të caktuar të konsumatorëve. Nuk përbën kjo bazën kryesore të konsumit, pasi baza kryesore e konsumit janë shtresat që marrin më pak lekë. Këto shtresa janë pensionistët dhe ata që marrin pagë minimale. Megjithatë, rritja e pagës mesatare në shtet do të japë një impakt në optimizimin e tregut, për aq kohë sa kjo do të vihet në zbatim, pasi plani i rritjes do të vihet në zbatim në disa faza.

Natyrshëm që është një veprim i mirë i vonuar. Në këtë rast, qeveria nuk ka nevojë të konsultohet me biznesin, si në rastin e pagës minimale. Gjithsesi, qeveria duhet të vijë me analiza të plota, për të parë të gjithë efektet dytësore që vijnë nga një rritje pagash në sektorin publik dhe, nga ana tjetër, se si sektorit privat do t’i duhet ta perthithë këtë lloj qasjeje, në momentin kur do t’i bëhet e pranishme nga ofertat politike.

Mendoj që sfida më e madhe nuk është pjesa e ndikimit të pagës mestare të rritur tek inflacioni, se sa pjesa se si kjo e gjitha do të përkthehet në shërbime më cilësore për qytetarin.

Kjo, pasi qeveria, mbi çdo veprim që ndërmerr në buxhetin e shtetit, duhet të japë edhe arësyet se pse ndërmerret një rritje kosto e caktuar. Kjo rritje kosto mund të ishte shumë mirë një politikë që mund të shkonte për pensionet, të cilat, edhe me këtë rritje pesë mijë lekëshe që po jepet, nuk duket se po vlerëson apo po zgjidh problematikën më të madhe të pensionistëve.

    

Eksperti E. Gjokutaj (Foto CMG)

Eksperti E. Gjokutaj (Foto CMG)

CMG: Cili do të ishte një nivel inflacioni i shëndetshëm për ekonominë tonë në kushtet që jemi, për kërkesë-ofertën tek ne? A mund të arrihet ky inflacion i shëndetshëm në një të ardhme të afërt, në fund të këtij viti apo në mesin e vitit të ardhshëm?

Eduard Gjokutaj: Duke parë të gjitha analizat që vijnë prej asaj çfarë bën Fondi Monetar Ndërkombëtar për pjesën globale, me atë impakt që ka në Shqipëri, duke parë Bankën e Shqipërisë në deklaratat më të fundit që ka dalë, për shkak të rritjes së normës së interesit, duke ndjekur me vëmendje veprimet e qeverisë, dhe, nga ana tjetër reagimin e biznesit, nëpërmjet organizatave të tij dhe sondazheve dhe analizave të këtyre organizatave, besoj se në një mesatare 4-5 përqind, inflacioni do të jetë i akomoduar për këtë vit. Kjo, edhe në këndvështrimin e asaj që thuhet për vende të ngjashme me ne.

Vetë qeveria duhet të sinkronizohet me politikat monetare të bankës qendrore, përsa i përket detyrave për luftimin e informalitetit, i cili nuk krijon kushte të favorshme për të bërë biznes. Këtë ne e dëgjuam kohët e fundit edhe nga pesë organizatat më të mëdha të biznesit që veprojnë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, qeveria duhet të ndërmarrë një paketë shumë më të plotë, përsa i përket luftimit të parasë informale dhe të pistë në vend. Paraja informale dhe e pistë ka ndikuar për të kufizuar sado pak atë politikë që Banka e Shqipërisë ndërmerr për të frenuar disi ekonominë, në përpjekje për të përballuar inflacionin. Kemi një situatë që duhet t’i japë përgjigje qeveria dhe Banka e Shqipërisë.

Ndërsa u rritën normat e interesit në nivele deri gjashtë herë, pra në nivelet më të larta që mund të kemi parë tashmë në këtë dekadën e fundit, kemi deklarimin e një rritjeje ekonomike më të madhe në Ballkan. Kjo gjë nuk përkon me atë që ka për objektiv politika e rritjes së normave bazë të interesit.

Llogjika ta thotë se, duke qenë se ndërtimi dhe ekonomia u zhvillua nga pasuritë e paluajtshme, kanë qenë paratë informale, të cilat kanë ndikuar në rritjen e këtij sektori, e për rrjedhojë, edhe në rritjen ekonomike. Përndryshe nuk funksionon formula që ekonomia është kufizuar nga rritja e normave të interesit.

Mund të kemi një rritje ekonomike statistikore, por kjo nuk e ndihmon shëndetin e ardhshëm të ekonomisë dhe mund të krijojë flluska financiare, të cilat janë të dëmshme. Për Shqipërinë janë mjaftueshëm problemet që kemi dhe nuk duhen probleme të reja.

CMG: Jemi njohur me raportin e fundit të një nga kompanitë ndërkombëtare të njohura të vlerësimit të ekonomive dhe borxhit publik, kompania “Moody’s”, e cila ka dhënë edhe një vlerësim për Shqipërinë. Kjo kompani e ka lënë të pandryshuar në “B+” vlerësimin për ekonominë tonë dhe financat tona publike. Gjykimi juaj, një prognozë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit. Për tremujorin e fundit të vitit të kaluar tetor-dhjetor 2022, rritja ishte 4.8 përqind.

Eduard Gjokutaj: Ne i kemi parë edhe herë të tjera këto lloj vlerësimesh. Serbia, për shembull, e ka vlerësimin më pozitiv se sa ne. Nuk mund të thuash që një vlerësim i një kompanie të caktuar, e cila merret me studimin e tregjeve, përsa i përket analizës së situatës dhe shëndetit financiar, të japë plotësisht dhe automatikisht të gjithë performancën e ekonomisë së një vendi. Indeksi i kësaj kompanie dhe dy indekse të tjerë dështuan 10-12 vite më parë, për të parashikuar shëndetin financiar të ekonomive më të mëdha të botës, edhe pse të dhënat i kishin.

Pra, këto kompani kanë disa tregues që mund të orientojnë investimet e huaja dhe nivelin e asaj çfarë përfaqëson Shqipëria në arenën rajonale, por nuk mundet të na thonë se sa e shëndetshme është situata financiare, për sa kohë kemi këtë që përmendëm, tregun informal. Po ashtu, edhe për sa kohë kemi një mënyrë kreditimi, e cila nuk ecën në sinkron me atë që ka nevojë ekonomia, aksesin në kreditim.

Nga ana tjetër, edhe për sa kohë kemi një mungesë stabiliteti të ekonomisë, e cila në vetvete, nuk është e varur tek prodhimtaria apo produktiviteti. Ekonomia, në gjykimin tim, më së shumti është e varur tek disa sektorë, të cilët janë të lehtë për të gjeneruar rritje ekonomike në momente të caktuara, sikurse ndodhi me ndërtimin, që në vitet 2008-2010 bëri që ekonomia e Shqipërisë ta anashkalonte krizën botërore financiare dhe ekonomike. Ndërtimi ndihmoi, por krijoi edhe problematika, lidhur me borxhet që qeveria u kishte kompanive të ndërtimit, për punë të pashlyera.

Tashmë jemi në kushtet kur vetë sektori energjitik ka ngelur peng në zhvillimin e tij, për shkak të borxheve që kanë kompanitë shtetërore, për mospagimin e detyrimeve të furnizimit me energji. Dhe ja ku jemi, në një gjendje të pjesshme jo shumë të shëndetshme financiare, e cila duhet marrë në konsideratë         

 CMG:  Duke parë edhe performancën e sektorit privat tek ne, që përfaqeson 80 përqind të ekonomisë sonë, kjo rritje e deklaruar e pagës mesatare në sektorin shteteror, a mund të japë efekt pozitiv për kufizimin e problematikës kryesore që kemi në ekonomi, që është migrimi, emigracioni i ndjeshëm i krahut të punës?

Eduard Gjokutaj: Të frenosh migrimin, në rradhë të parë duhet të bësh analiza në themel. Ato janë, por sot janë të pjesshme. Nga një anketim që kemi bërë, pjesë e analizave që po bëjmë për performancën e bashkive të vendit, na rezulton se migrimi, emigracioni afatgjatë është i vogël.

Pra, kemi më shumë migrim afatshkurtër, lëvizja e qytetarëve brenda një viti, për punë sezonale jashtë vendit. Nuk ka tendencë për nivele të tilla migrimi që krahu i punës mund t’i mungojë Shqipërisë për shumë kohë. Kjo duhet të jetë një qasje dhe mendoj se qeveria duhet të reagojë tashmë, bazuar mbi këtë tregues, që ne e konsiderojmë pozitiv. Ajo duhet të ndërtojë politika për nxitjen e krahut të punës, bazuar në të gjitha analizat dhe vrojtimet e studjuesve dhe organizatave të ngjashme me ne.

Ka ardhur koha që qeveria të ndërtojë një politikë gjithëpërfshirëse për problemet e emigracionit. Dhe jo të ndërtohen strategji dhe qasje të veçuara nga njëra-tjetra, të cilat nuk i shërbejnë askujt dhe nuk tregojnë realitetin.  

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

CMG:  Sipas jush, ç’duhet të bëjë qeveria për të mbështetur më fort rritjen ekonomike për këtë vit, sidomos në lidhje me dialogun me biznesin?

Eduard Gjokutaj: Qeveria duhet të rrisë produktivitetin e vet, në nivel të cilësisë dhe zbatueshmërisë së politikave që ndërton. Në monitorimin që ne i bëjmë programeve të premtuara qeveritare, ajo nuk ka arritur më shumë se gjysma e atyre që ka premtuar. Ndërkohë, viti i dytë i mandatit pothuajse po mbyllet. Nga ana tjetër, do të thosha se shqetësimet që janë ngritur duhen marrë pjesë-pjesë dhe me themel.

Duhet të analizojmë sidomos këtu sektorin bujqësor, i cili në vitet e fundit është rritur me 2 përqind. Kjo tregon se sektorit i është ulur produktiviteti dhe është rritur vetëm si sasi. Kjo nuk i shërben qasjes më të mirë. Unë e konsideroj të gabuar mburrjen që do të bëjmë 1 miliardë eksporte bujqësore brenda këtyre katër viteve, ndërkohë që shumica e vlerës së eksporteve bujqësore janë foragjere, pra lëndë e parë dhe jo e përpunuar. Kjo nuk mund të ndihmojë në rritjen cilësore të produktit bujqësor.

Bujqësia në vetvete duhet marrë në themel, për të parë ku është gabuar, çfarë duhet ndryshuar dhe si duhet të përfshihet në zinxhirin e furnizimit jo përmbrenda vendit, gjë të cilën qeveria duhet ta garantojë, për të ulur kostot e ushqimit për popullatën, por, nga ana tjetër, për të rritur vlerën e eksporteve jo bazuar tek fuqia punëtore, por tek vlera e shtuar e të gjitha proceseve. Mendimet janë dhënë nga ekspertët e sektorit dhe ka edhe analiza përkatëse.

Ndërkohë, sektori i turizmit, i cili po e rimerr vetë pozicionin si lokomotivë e ekonomisë sonë, pavarësisht se askush nuk po e ndihmon, duhet të bazohet jo vetëm tek qasja kontraktuale me sektorët që i nevojiten për të ulur kostot, por, nga ana tjetër, të rrisë pjesën e formalizimit, të cilësisë dhe të japë shërbimet turistike në formë dhe cilësi, të ngjashme me ofertën e vendeve fqinje, duke u bërë i konkurrueshëm me turizmin e këtyre vendeve.

Thënë ndryshe, të rrisë kohë qëndrimin e turistëve në Shqipëri, të cilët, edhe pse në vitin 2022 ishin në një nivel të shtuar, tek 7.5 milionë vizitorë, nuk ndihmuan shumë rritjen ekonomike të vendit, ose të ardhurat prej tyre kanë shkuar një pjesë e mirë tek ekonomia informale, e cila nuk figuron në shifrat zyrtare. E gjitha kjo kërkon sërisht ndihmën nga ana e qeverisë.

Sektori i tretë është ndërtimi, i cili pret vetingun e tij. Në momentin që sektori i ndërtimit verifikohet nga vetingu, do të shikojmë risqet që mund të kenë bankat e ekspozuara me kreditë që kanë dhënë, por edhe se sa do të pastrohet ky sektor, i cili mbart në vetvete shumë problematika të ekonomisë informale.

Ngelet për t’u parë edhe sektori i energjisë, i ndikuar nga kushtet e motit.       

 

Intervistoi Fatos Çoçoli