Qeveria shqiptare miraton amendimin e ligjit “Për zhurmat në mjedis”
2023-04-14 14:37:10

Qeveria shqiptare ka miratuar amendimin e ligjit “Për zhurmat në mjedis”. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi se ky vendim do t’i japë zgjidhje përfundimtare një problematike të akumuluar ndër vite.

Ministrja Kumbaro tha se, pas miratimit në Parlament të këtij amendimi në javët në vijim, do të ketë kontrolle të rrepta, fasha orare më të kontrolluara dhe kompetenca të zgjeruara të Policisë së Shtetit me mjete të certifikuara, akredituara dhe standarteve të OBSH-së, shkruan “RTSH”.

Kumbaro sqaroi se bashkitë do të hartëzojnë territorin ku do të përcaktojnë zonat e banuara, zonat e qeta dhe zonat larg banimeve ku lejohen aktivitetet me muzikë.

Ministrja bëri të ditur se me ligjin e ri do të ketë një ndarje të kompetencave mes Policisë Bashkiake. Sipas saj, në përputhje me hartëzimin e bërë nga Bashkia, Policia e Shtetit do të marrë kompetencat për të matur, monitoruar, kontrolluar, apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma.

Kumbaro theksoi se kontrollet do të bëhen me mjete të certifikuara dhe akredituara. Sipas saj, fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore të përditshme do të jenë nga ora 12:00 deri më 00:00. (Irma)