Kina e nxit Japoninë t'i trajtojë ujërat e ndotura bërthamore në mënyrë shkencore, të hapur dhe të sigurt
2023-04-14 15:46:11

foto nga

foto nga MPJ

Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me vendimin e njëanshëm të Japonisë mbi lëshimin e ujërave të ndotura bërthamore të Fukushimës, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin e nxiti palën japoneze t'i trajtojë në mënyrë të drejtpërdrejtë shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare, të mbajë përgjegjësinë e duhur ndërkombëtare dhe të zbatojë me rigorozitet detyrimet ndërkombëtare, duke i trajtuar këto ujëra në mënyrë shkencore, të hapur, të tejdukshme e të sigurt dhe duke pranuar mbikëqyrjen e rreptë të bashkësisë ndërkombëtare.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze theksoi se, para konsultimeve të plota dhe arritjes së unanimitetit me palët e interesuara dhe me institucionet përkatëse ndërkombëtare, Japonia nuk duhet t'i lëshojë në det ujërat e ndotura bërthamore.

foto nga VCG

Centrali bërthamor Fukushima / foto nga VCG

Më 13 prill 2021, qeveria japoneze vendosi që të lëshojë në det mbi njëqind milionë tonë ujëra të ndotura nga centrali bërthamor i Fukushimës, pas filtrimit dhe hollimit, gjë që ka ngjallur shqetësimin dhe kundërshtimin kategorik të publikut japonez dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Gjatë dy vjetëve të fundit, qeveria japoneze nuk e ka tërhequr këtë vendim, por shpalli se do të nisë lëshimin këtë verë. Kohët e fundit, qytetarët japonezë kanë zhvilluar disa protesta kundër këtij plani.

Gjatë konferencës së shtypit të enjten, Wang Wenbin-i tha se pala kineze ka shprehur më se një herë shqetësimin e vet serioz dhe kundërshtimin e vendosur.

"Nuk ka shembull në histori që të lëshohen në det ujërat e ndotura bërthamore, të cilat nuk janë ujëra të zakonshme të mbetura nga centrali bërthamor, sepse ato përmbajnë dhjetëra elemente bërthamore radioaktive, për disa prej të cilave nuk është gjendur ende teknologjia efikase e pastrimit, e pranuar zgjerësisht në botë. Tani pala japoneze ka rezervuar mbi 1.3 milion tonë ujëra të ndotura bërthamore dhe do të prodhojë edhe mbi 100 tonë të tjerë në ditë. Këto ujëra të ndotura do të lëshohen në det për 30 vjet, e madje edhe më gjatë, dhe do të ushtrojnë ndikime të paparashikueshme për ekologjinë detare të globit dhe për shëndetin e njeriut. Japonia zbaton metodën e hollimit të ujërave për të ulur përqendrimin e lëndëve radioaktive, por nuk kontrollon vëllimin e përgjithshëm të elementeve radioaktive në këto ujëra. Ajo pretendon se ujërat e ndotura bërthamore janë të padëmshme pas trajtimit, por nuk pranon kërkesën e vendeve ishullore të Paqësorit që t'i lëshojë këto ujëra 'të padëmshme' në lumenjtë e vet për përdorim bujqësor dhe industrial. Një veprim i tillë i palës japoneze është vetëmashtrim," theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës. (Wang Lei)