Xheni Hatillari: Unë jam mozaik i dashurisë së dhënë nga familja
2023-04-13 09:39:18

Xheni Hatillari ka mbaruar studimet në fushën e shkencave mjekësore teknike, ndërsa ka një sërë trajnimesh në fushën e të drejtave të njeriut dhe të rinjve në programet Erasmus+. Karriera e saj ka filluar në vitin 2015 me punë vullnetare në Shqipëri e në Europë me anë të programit Erasmus+.

Pas kthimit në Shqipëri ka vazhduar angazhimin në shoqërinë civile, ku për vite me radhë ka qenë e angazhuar në programe të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare. Fokusi i saj kanë qenë zgjedhjet dhe partitë politike, përfaqësimi i grave në politikë, përfshirja e të rinjve në vendimmarrje dhe rritja e qasjes së grave e të rinjve në tregun e punës.

Ajo ka mbajtur trajnime të ndryshme me organizatat ndërkombëtare, të cilat operojnë brenda dhe jashtë vendit. Ky është mandati i saj i dytë pranë Këshillit Bashkiak.

CMG: Si ka qenë rrugëtimi juaj në aspektin profesional?

Xheni Hatillari: Jeta ime ka qenë sa e bukur po aq edhe sfiduese. Ka edhe nga ato ditë që më duket shumë e vështirë gjithçka dhe nuk kam dashur të ngrihem nga shtrati por me guxim dhe besim kam mposhtur çdo dilemë që më ka dalë përpara, për të bërë gjërat e duhura në jetën time.

Bëj pjesë tek ata njerëz që eci me parime dhe synime në rrugëtimin e jetës, sidomos në aspektin profesional dhe shkallët e karrierës i kam ngjitur dalëngdalë. Kujtoj këtu vitet e para kur kam ardhur në Tiranë dhe u gjenda në një realitet komplet ndryshe nga ai që isha rritur. Shqipëria është shumë e bukur, por njëkohësisht edhe terren sfidues, pasi kur lind dhe rritesh në vende të vogla ke një tjetër mentalitet dhe vështirësi që i kupton kur hasesh me to çdo ditë.
Unë isha 18- vjeç kur kam ardhur në Tiranë dhe normalisht që ka qenë e vështirë. Nuk kam pasur shumë mbështetje dhe nuk kam bërë pjesë tek ata  të rinj që kanë pasur prindër të njohur dhe të kisha më shumë mundësi për të filluar punën që doja apo të më jepnin një dorë drejt gjërave që kisha vendosur të bëja, por ata më ofruan besim që unë vetë do t’ia dilja.

Gjatë këtij rrugëtimi unë kam bërë edhe punë të thjeshta e kam nisur duke e sifiduar veten për të kuptuar çfarë mbaj apo nuk mbaj në jetën time. Të rinjtë duhet të jenë më sfidues dhe më të vëmendshëm për gjërat që kanë rrotull jetës së tyre. Ata duhet të zhvillojnë praktika dhe të rrisin potencialin e tyre, por kjo bëhet vetëm nëse njohin  aftësitë e tyre.

Unë kam kuptuar cilat ishin pikat e mia të forta dhe më pas ato u kthyen në karrierë. Sot punoj me të rinjtë, me ata të cilët kam dashur gjithmonë. Jo se sot shkon çdo gjë siç duhet, por në fund të ditës e di se çfarë dua.
Unë kujtoj që një verë kam aplikuar në mbi 100- vende pune dhe jo të gjitha më kthyen email, por nuk e humba durimin. E rëndësishme në jetë është të jesh konsistent dhe të marrësh më të mirën nga çdo ambient në të cilin gjendesh.

CMG: A mund të bëjmë një retrospektivë në kujtimet e tua më të bukura në fëmijëri?

Xheni Hatillari: Mua më vijnë shpesh ndjesitë e bukura të fëmijërisë dhe ajo periudhë është një stad shumë i rëndësishëm i jetës sime. Unë kam pasur një fëmijëri ndryshe, jam rritur vetëm me mamin dhe kjo ka qenë shumë sifduese.
Jam rritur me një motër dhe kam qenë shume e lidhur  me të. Ndërsa gjyshi dhe gjyshja ime kanë qenë udhëtarët e mi dhe shumë decizivë në krijimin e inteligjencës emocionale. Gjyshi më mësonte tabelën e shumëzimit dhe më priste dhe përcillte nga shkolla. Mendoj që kam pasur fat dhe jam e bekuar me njerëzit që kanë treguar kujdes ndaj meje. Këta njereëz kanë qenë rrethi i ngushtë që më ka hedhur më pas drejt një jetë sfiduese. Unë jam mozaik i dashurisë së dhënë nga familja. Familjet kanë probleme të ndryshme, por e rëndësishme është që baza të jetë dashuria dhe kjo e bën një njeri definifitivsht më të mirë.

CMG: Ju folët për një mozaik ngjyrash në jetën tuaj, cilat kanë qenë ngjyrat e para të ëndrrave tuaja?

Xheni Hatillari: Unë jam një natyrë që ende ëndërroj shumë dhe e dua shumë jetën. Madje mendoj që nuk jam rritur mjaftueshëm sa të mos  jap një përgjigje, kam gjithmonë një përgjigje në lidhje me ëndrrat e mia.  Kam qenë shumë fëmijë dhe adoleshente selective, doja gjërat e mia dhe rutinën time. Por, ëndrra e parë fare ka qenë të bëhesha mësuese, e ndieja që kisha shumë për të dhënë nga vetja. Më pas, duke u rritur, duke u shoqëruar edhe me njerëz të tjerë të cilët në një formë apo në një tjetër të ndikojnë ne jeteën tende qoftë edhe në menyrën se si ti i koncepton gjërat.

Kam dashur shumë që të bëja ndryshe në sistemin arsimor, kam dashur shumë të bëj gjëra ndryshe. Unë sot nuk mund të them që jam mësuese, por punoj me të rinjtë dhe në një farë mënyre edhe trajnimet që mbaj janë një formë e asaj që kam pasur dëshirë të bëj. Kur dal nga sallat e trajnimeve mendoj dhe them me vete, së paku një i ri ose e re të mësojë çdo ditë një gjë të re unë e kam fituar këtë ëndërr.

CMG: Do të ndalemi tek të rinjtë, cila është marrëdhënia që ju ndërtoni me ta?
Xheni Hatillari: Ka shumë të rinj dhe shembuj, të cilët të rinjtë duhet të ndjekin. Ndonjëherë për shkakun e shumë situatave të ndryshme të komunitetit , ka individë që kanë modele, por që humbasin në rutinën e ditës. Ata duhet të promovohen. Unë kam lindur në ditën e rinisë dhe mendoj që ka qenë e shkruar që ata do ishin pjesë kryesore e karrierës sime. Ka qenë një marrëdhënie që ka ardhur shumë natyrshëm.

Jam shumë empatike dhe kjo ka qenë si çelës suksesi sepse e vendos veten në rolin e tyre. Kam një zotim me veten që të përpiqem të jem pranë tyre dhe në çdo aspekt. Më pëlqen botëkuptimi i tyre dhe mënyra se si e konceptojnë jetën, kjo ka bërë që unë ta dua më shumë punën, por edhe ata besoj që e duan shumë këtë gjë. Kam mbi tetë vite që trajnoj të rinj dhe sot ata kanë dalë në jetë dhe jam vazhdimisht në kontakt që i pyes se si janë duke ju shkuar punët e tyre.
Kujtimet i kam të shumta në këtë profesion, ndaj edhe e dua shumë sepse më hap horizontin tim dhe kuptoj që koha kalon por ata nuk më harrojnë mua, sepse unë kam ndikuar sado pak në jëtën e tyre. Kur fle në darkë mendoj se çfarë kam bërë dhe kuptoj që këtë punë me të rinjtë jam duke e bërë shumë mirë.

CMG: Ju punoni në Tiranë për Tiranën, a është sot një qytet më i bukur?
Xheni Hatillari: Tirana mua më ngroh zemrën është qyteti i ëndrrave të mia. Sot e shoh teksa rritet dhe ofron mundësi të shumta për të rinjtë dhe gëzoj për këtë gjë. Sot një i ri ka më shumë mundësi seç ndoshta kam pasur unë kur kam qenë e re në Tiranë, ndaj edhe më bëhet qejfi kur shoh vajza dhe djem të rinj të cilët e shijojnë Tiranën, turistë qe e vizitojnë Tiranën dhe njerëz që  e duan atë dhe zhvillimin që ka marrë.

Intervistoi: Megi Latifi