Rritja e normës bazë të interesit dhe ndikimi te klientët e bankave
2023-04-13 15:30:45

Banka e Shqipërisë (Revista Monitor)

Banka e Shqipërisë (Revista Monitor)

Teksa Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi  të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 3%, niveli më i lartë që prej fundit të vitit 2013, ekspertët shpjegojnë efektet që do të ketë në ekonomi. Spiro Brumbulli Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave thotë se me këto lëvizje gjithmonë synohet të frenohet konsumi, në mënyrë që të barazohet kërkesa me ofertën.

“Me një fjali thjesht dhe shkurt përkthehet rritje e kostos së parasë, pra Banka e Shqipërisë në kuadrin e politikës monetare për të mbrojtur shtresat e popullatës dhe ekonominë nga gërryerja e inflacionit, synon rritjen e normës së interesit për të bërë paranë më të kushtueshme dhe për të frenuar konsumin, me nivele të larta të inflacionit. Gjithmonë synohet të frenohet konsumi, në mënyrë që të barazohet kërkesa me ofertën. Masa e fundit pas katër muajsh nga rritja e mëparshme tregoi një lloj përgjegjësie në analizë dhe ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, duke gjykuar tashmë efektet inflacioniste, nga të dy anët, edhe nga presioni ndërkombëtar edhe nga presioni brendshëm. Ndërsa vitin e kaluar u detyruam të bënim rritje të normës bazë për shkak të ndryshimeve  në arenën ndërkombëtare,  presionin inflacionist e ndjenim më shumë nga importi i mallrave dhe shërbimeve të ndryshme. Tani ka ardhur koha që të shikojmë efektin e presionit të brendshëm. Pra kemi rritje të tregut të punës, kemi edhe presion të rritjes së pagës, të dy këta faktorë çojnë në rritje të presionit për inflacion.” thotë Spiro Brumbulli Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Kjo është një masë e duhur, sipas Brumbullit.

“Nuk është vonë, është më shumë maturitet, durim, jo përshpejtim për një vendim që na prek të gjithëve, sepse fillon e prek që tek huamarrja shtetërore, në ankandet e bonove të thesarit, obligacionet shtetërore, prek të gjithë sektorin financiar, që merret me kreditimin e ekonomisë dhe prek edhe depozituesin pasi normat për depozitat mund të ndryshojnë”

Spiro Brumbulli (Revista Monitor)

Spiro Brumbulli (Revista Monitor)

A është aktualisht  niveli i inflacionit kërcënim për ekonominë?

“Në nivelin që është inflacioni nuk përbën kërcënim, por ai sigurisht ka efekte negative sepse fillon dhe ndikon në rritjen ekonomike. Ne në teori themi që nuk ka një optimum dhe një pikë të gjetur të ekuilibrit mes rritjes së normës bazë dhe rritjes së GDP-së prodhimit të brendshëm bruto. Njëra kundërshton tjetrën, nëse rritet inflacioni, atëherë rritja e prodhimit të brendshëm bruto ngadalësohet, pra rritja ekonomike ngadalësohet. Duhet të ulet inflacioni dhe të rritet GDP-ja. Në këto kushte kur inflacioni është i lartë duhet të frenohet apo stabilizohet dhe duke u stabilizuar fillon dhe garantohet zhvillimi që ndryshon ekonominë. “ thotë Brumbulli.

Sa  pritet të ndikojë norma e re bazë e interesit tek kreditë?

“Po të flasim vetëm për rritjen e fundit të normës së interesit me 0.25% ndikimi nuk do jetë i njëjtë me ato ndryshimet që kemi parë gjatë vitit të kaluar kur u bë një rritje katër herë dhe norma e interesit arriti në nivelet 2.75%. sot ne jemi 3 % dhe si ndikon kjo normë. 3% tek kredimarrësit ekzistues por edhe ata që duan kredi të re? Vangat në politikat e tyre kur japin kredi të ndryshueshme marrin bazë normën e interesit të bonove të thesarit një vjeçare dhe mbi këtë shtojnë marzhin, që është fitimi që merr banka dhe lëviz nga 1 deri në 3%, ky është intervali. Pra nëse do të themi bonot e thesarit janë katër % atëherë norma e interesit tek kredia varion nga 5 deri në 7%. 5-7% sepse varet nga cilësia e kredimarrësit. Ka kredimarrësit që paraqesin më pak risk dhe do ta marrin me marzhin më të ulët, ka kredimarrës të tjerë që nuk kanë vlerësim risku më të lartë dhe ata mund ta marrin në maksimumin e marzhit më 3%. Aktualisht ndikimin e parë që i jep rritja e normës bazë të interesit e jep.... të bonove të thesarit dhe obligacioneve apo letrave me vlerë shtetërore, sepse këtu nisim ne kufirin që vlerësojnë pastaj të gjitha produktet tona me normat e interesit. Detyrimisht kjo normë e re, apo rritje e re me 0.25 fillon të ndikojë dhe të reflektojë në ankandet e radhës qoftë për bonot e thesarit apo obligacionit., dhe me rritjen e tyre sigurisht kur të mbushë atë frekuencën e ndryshimit të interesit për kredimarrësit ekzistues, norma e re do të jetë jo më e mëparshme por do të jetë e rritur me këtë efektin e ri”- shprehet ekpserti.

Kredi(Balkan web)

Kredi(Balkan web)

Ndikimi tek rritja e kësteve të kredive  është i pashmangshëm.

“Patjetër që do ketë një ndikim, këstet do ndryshojnë të themi që nëse paguaje 300 euro mund të paguash 305 apo i 310 apo 315 varet nga jetëgjatësia dhe shuma që ke marrë po themi, por që do ketë një ndikim. Megjithatë me vlerësimet që bëjmë ne, deri tani deri sa me rritjet e mëdha që pësuam vitin e kaluar nuk patëm, shtim të kredive me vonesë pra me probleme, do të thotë që rritja e fundit është më e përballueshme më e absurbueshme qoftë nga individët apo nga korporatat. Por ndikimi më i madh që pritet të ketë është tek kërkesa e re për kredinë. Sepse në kërkesën e re për kredinë, një normë interesit më e lartë fillon dhe kualifikon vetëm në rastet më pozitive, shumë nga kërkesat e reja që mund të miratoheshin, tani me rritjen e re skualifikohen. Do ketë shumë kërkesa, por kualifikimi i tyre do jetë më i përzgjedhur, më selektiv dhe kjo do bëjë që të ketë kërkesë më të rritur por miratime do të ketë më pak. “- thotë Brumbulli.

Krahasuar me vetëm 1 vit më parë, normat e interesit të kredive janë shtrenjtuar mesatarisht me 3% për shkak të normës bazë të interesit, euriborit, apo bonove të thesarit.