Ambasada gjermane: Bursa Shqiptare e energjisë, gur themeli në reformën e këtij sektori
2023-04-13 10:39:19

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë bëri të ditur se nisja e operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë, duke hapur edhe ankandin e parë të tregut të ditës në avancë, është një gur i rëndësishëm themeli në reformën e sektorit të energjisë në Shqipëri.

Përmes një njoftimi në faqet zyrtare në rrjetet sociale, Ambasada e Gjermanisë ka uruar për fillimin e veprimtarisë së ALPEX dhe thekson se mbështet reformën e sektorit të energjisë në Shqipëri, përcjell “ATSH”.

“Ky sektor është mbështetur nga qeveria gjermane dhe franceze që prej vitit 2019 nëpërmjet një kredie që nxit reformat nga Bankat për Zhvillim “KfË” dhe “AFD” për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe kontribuon në sigurinë energjetike dhe integrimin e tregut Shqiptar të energjisë në tregun rajonal dhe evropian”,- thuhet në njoftimin e ambasadës. (Elona)