Spanja regjistron marsin e dytë më të nxehtë në shekullin e 21-të
2023-04-13 10:36:11

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të dhënat e fundit nga Agjencia Shtetërore Meteorologjike Spanjolle (AEMET) treguan se muaji i kaluar ishte marsi i dytë më i nxehtë i shekullit të 21-të i regjistruar në vend, me reshjet më të pakta në rreth 30 vjet, përcjell “Xinhua”.

Pavarësisht motit të ftohtë në fillim të marsit, temperatura mesatare për muajin ishte 11.6 gradë Celsius për Spanjën kontinentale, që është 1.8 gradë mbi mesataren për periudhën 1991-2020, sipas AEMET.

Një rekord prej 33 gradë Celsius u regjistrua në qytetin Murcia në juglindje të Spanjës, ndërsa temperatura mesatare në Ishujt Kanarie në brigjet veriperëndimore të Afrikës ishte 3 gradë më e lartë se normalja.

Temperatura mesatare e lartë u shoqërua me mot të pazakontë të thatë. Ministria për Tranzicionin Ekologjik dhe Sfida Demografike bëri të ditur se për shkak të motit, Spanja mbetet në një gjendje thatësire të vazhdueshme që filloi në fund të dhjetorit 2022.

Moti i nxehtë dhe i thatë rezultoi gjithashtu në një fillim të hershëm të sezonit të zjarreve në Spanjë. (Elona)