Tregtia e jashtme kineze u rrit 4.8 % në tre muajt e parë, me gjithë dobësimin e kërkesës së jashtme
2023-04-13 17:52:50

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tregtia e jashtme e Kinës në tremujorin e parë të sivjetshëm u rrit 4.8 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur 9.89 trilionë juanë (1.44 trilion dollarë), me përmirësimin e rritjes së tregtisë që nga shkurti, treguan të enjten të dhënat e doganave kineze.

Gjatë kësaj periudhe, eksportet kapën vlerën 5.65 trilionë juanë, ndërsa importet 4.24 trilionë juanë, duke u shtuar përkatësisht 8.4 dhe 0.2 për qind.

Kërkesa e dobët e jashtme për shkak të inflacionit të lartë botëror dhe amullia e rritjes së ekonomive të mëdha ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në tregtinë e jashtme kineze, theksoi Liu Daliang, zëdhënës i Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Megjithatë, me përmirësimin e rritjes ekonomike të vendit, prirja pozitive e tregtisë së jashtme pritet të vazhdojë, shtoi ai.

Vëllimi i tregtisë së jashtme u rrit në shkurt pas një rënieje në janar dhe u përshpejtua më tej me një rritje prej 15.5 për qind në mars.

Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) vazhdoi të jetë partnerja më e madhe tregtare e Kinës në 3-mujorin e parë të vitit, me një vlerë import-eksporti që u shtua 16.1 për qind krahasuar me janar-marsin e vjetshëm, duke arritur në 1.56 trilionë juanë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tregtia ndërmjet Kinës dhe 14 vendeve të tjera anëtare  të RCEP-it u rrit 7.3 për qind në tre muajt e parë, duke përbërë 31.2 për qind të vëllimit të tregtisë së jashtme kineze.

Nga ana tjetër, tregtia ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" shkoi në 3.43 trilionë juanë, 16.8 për qind më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vjetshme.