Teatri i Fantazise (Foto nga instagrami)
Katër aktorë dhe një muzikant komunikojnë drejtpërdrejtë me publikun, duke u treguar se çfarë është teatri dhe si përdoret fantazia për të krijuar një shfaqje. Mirëpo, ku ka më mirë sesa ta bëjnë një shfaqje, sesa thjeshtë ta shpjegojnë? Prandaj ata zgjedhin përrallën e Pinokut dhe e rrëfejnë në mënyrën e tyre. Ndryshojnë tekstin, ndryshojnë personazhet, përdorin objektet dhe kostumet që iu gjenden në skenë dhe rrëfejnë përrallën e Pinokut skenë pas skene, në një atmosferë të improvizuar.
Pinoku i ditëve tona
Pinoku i tyre modern, pasi krijohet nga dëshira e Xhepetos, zemërmirit dhe Zanës Mandarinë të Dëshirave, niset për në shkollë për t’u bërë një fëmijë i ditur. Por rrugës haset me të poshtrën, mashtruesen, dinaken 24 karat, Dhelprën. Sipas saj, shkolla është e dalë mode sot, sepse njerëzit duan famë, “showbiz” dhe “bloger”-llëk. Pinoku i beson dhe i drejtohet cirkut që të bëhet i famshëm. Aty pritet nga Zjarrëhedhësi materialist, i cili e shfrytëzon për spektaklet e tij.
Shumë shpejt Pinoku kupton që fama dhe paraja janë një kurth dhe një burg për njeriun. Për fat të mirë, Zana Mandarin e Dëshirave e shpëton nga burgu dhe ai niset sërish për në shkollë. Por, kësaj radhe, Dhelpra e devijon drejt qejfit dhe lojërave; drejt Ishullit të Lodrave, ku çdo gjë që është e ndaluar në këtë botë, atje është e lejueshme. Pinoku shkon, luan dhe harbohet, por kupton që edhe kjo nuk e bën asgjë më shumë se sa një gomar. Ai ndërgjegjësohet dhe vendos të kthehet tek i ati. Mirëpo i ati është ngrënë nga balena. Pinoku shkon ta shpëtojë dhe arrin ta shpëtojë fal zgjuarsisë së tij. Në fund të gjithë kësaj aventure, ai është treguar i mbarë, i drejtë, i sinqertë, i guximshëm, i dashur dhe aspak egoist, prandaj Zana Mandarinë e Dëshirave e kthen Pinokun në një djalë të vërtetë. I ftuar në Radio Ejani për të folur më tepër rreth kësaj shfaqje është regjisori, Endri Çela.
Regjisori Endri Çela (Foto nga facebook)
CMG: Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mëngjesi i fundjavës është i rezervuar për fëmijët dhe këtë muaj është vënë në skenë shfaqja "Teatri i Fantazisë" Na tregoni më tepër për këtë shfaqje?
Endri Çela: Jo se është shfaqja ime, por për nga eksperienca, i bie që të jetë diku shfaqja e 18-të e imja dhe e di që publiku do ta përthithë mirë. Në këtë shfaqje fëmijët kanë qenë të jashtëzakonshëm, kanë duartrokitur disa herë aktorët në skenë dhe jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e kanë pritur mirë. Në këtë mënyrë duket se shfaqja i përçon mesazhet e mëdha tek publiku i vogël.
CMG: Ju keni vënë në skenë disa shfaqje dhe do vazhdoni sërish gjatë muajit prill, por si e kanë pritur fëmijët?
Endri Çela: Është e vërtetë që unë e kam shkruar, e kam inskenuar dhe më pas e kam interpretuar. Është bukur t’i shfaqesh publikut nëpërmjet penës, mendjes, nëpërmjet filozofisë dhe në fund nëpërmjet gjuhës së trupit. Janë tre gjëra të veçanta, por që këtu bëhen njësh, tre në një. Është një eksperiencë e veçantë, kur unë jam në skenë di tekstin, lëvizjet e trupit, di që në fillim se çfarë kam dashur të shpreh me këtë shfaqje dhe të gjitha këto më plotësojnë. Them se arrij në një nivel më të lartë përçueshmërie të asaj çfarë kam dashur të përçoj tek spektatori i vogël. Është kënaqësi.
CMG: Ju jeni regjisori i shfaqjes, keni përshtatur skenarin, por edhe aktroni në skenë. Si është të bësh gjithçka vetë?
Endri Çela: “Teatri i fantazisë” është një shfaqje e krijuar me tekst nga unë, por e bazuar në përrallën e mirënjohur të “Pinokut”. Është një shfaqje për grupmoshat mbi 5 vjeç, por kemi parasysh edhe prindërit. E theksoj këtë sepse shfaqja mund të flas deri diku nëpërmjet ngjyrave, atmosferave gati magjike që aktorët krijojnë. Është një tekst deri diku origjinal sepse ashtu siç fillon shfaqja nuk është një përrallë e “Pinokut”, shfaqja fillon me katër aktorë dhe një muzikant të cilët së bashku i mirëpresin spektatorët e vegjël dhe fillojnë t’u tregojnë, se çfarë është teatri, çfarë është fantazia që përdorin aktorët për të krijuar diçka në teatër, çfarë është emocioni, lëvizjet e në fund çfarë është teksti, etj. Duke filluar nga personazhet që ata fillojnë të mendojnë, konsultojnë me publikun në një marrëdhënie të drejtëpërdrejtë të aktorit me publikun, ata marrin sinopsin e “Pinokut” dhe e krijojnë siç duan artistët. Këtu vjen dhe origjinaliteti i sjelljes së kësaj përralle, nëpërmjet tekstit që kam krijuar unë. Nuk është një Zanë tipike që e kemi hasur tek përralla, ne këtu kemi një zanë më pragmatike, por mund të flas edhe për personazhe të tjerë.
Këtu kemi edhe një dhelpër që nuk është një nga ato dhelprat lajkatare, por është një dhelpër e ditëve të sotme, është ajo dhelpra e show bizz-it , janë mashtrimet e sipërfaqes, e personazheve që jetojnë në sipërfaqe dhe e duan këtë gjë.
Pra karakteret janë të ndryshuara, të krijuara nga e para ashtu si unë kam dashur t’i shoh dhe t’i sjell tek publiku i vogël. E veçantë është se ne kemi sjellë një Pinok ndryshe që nuk është parë në ndonjë përrallë, por është një Pinok shqiptar, që i flet realitetit të sotëm, i flet jo vetëm fëmijëve, por edhe prindërve.
Aktorët dhe muzikanti u flet fëmijëve se si duhet përdorur imagjinata dhe fantazia, për të krijuar një shfaqje teatri. Në fund shfaqja jep mesazh shumë të bukur. Ashtu si aktorët që krijuan këtë shfaqje, duke përdorur imagjinatën dhe fantazinë edhe fëmijët duhet të përdorin imagjinatën dhe fantazinë, për të krijuar një shfaqje të vetën dhe të marrin prindërit si spektatorë për të parë fantazinë dhe imagjinatën e fëmijëve të tyre. Pra është një shfaqje që e nxit këtë imagjinatë e fantazi, duke u thënë fëmijëve që ta vendosin në punë këtë imagjinatë dhe fantazi që mund të keni.
Teatri i Fantazise (Foto nga instagrami)
CMG: Në të njëjtën periudhë përveç shfaqjes për fëmijë, ju keni vënë në skenë edhe shfaqjen për të rritur "Gruaja e thyer". Cila të merr më shumë kohë dhe përgjegjësi?
Endri Çela: Unë tani ndodhem në atë pikë ku shfaqjet e kanë marrë rrugën e tyre të bukur e të suksesshme dhe kjo gjë më gëzon. Nuk jam në atë pikë se cila më merr më shumë kohë, sepse provat tani janë të mbyllura dhe janë ato që të marrin më shumë kohë dhe impenjim. Nëse do i referohemi kohës së shkuar secili projekt ka pasur kohën që ka merituar. Nuk mund të ndaj se shfaqja për të rritur “Gruaja e thyer” ka qenë një shfaqje për të rritur dhe ka dashur një kohë më të gjatë, sigurisht që impenjimin më të plotë e ka pasur edhe shfaqja për fëmijë. Nuk i ndaj pasi për mua përgjegjësia është njësoj.
Puna filozofike, analizuese me aktorët sigurisht që është pak më e madhe tek “Gruaja e thyer” e Simone de Beauvoir. Për vetë faktin që është një nga autoret më të mëdha e të studiuara, ndaj analiza dhe puna përgatitore analizuese për përgatitjen e tekstit të Simone de Beauvoir, është më e madhe në krahasim me tekstin e Endrit Çelës. Sa i takon përgjegjësisë, kjo ka qenë njësoj për të dyja shfaqjet, më ka dhënë kënaqësi dhe satisfaksion.
-Mesazhi që përcjell shfaqja “Teatri i Fantazisë” është që të gjithë të dinë më së miri vlerën e fantazisë dhe të imagjinatës. Ndër problematikat e shumta që prek kjo shfaqje për fëmijët janë: Të dinë të ndajnë të mirën nga e keqja, të kuptojnë vlerën e shkollës, të dallojnë limitin mes lirisë dhe rregullit, të mos tregohen egoistë, të jenë të guximshëm dhe të mos gënjejnë.
Përshtatja e tekstit të “Teatrit të Fantazisë” është realizuar nga Endri Çela, i cili është njëkohësisht regjisori dhe aktor në këtë shfaqje bashkë me aktorët Mateo Dervishaj, Adriana Tolka, Xhoana Karaj, Anxhelo Shkreli dhe Florjan Hoxha. Muzika është realizuar nga Florjan Hoxha, me koreografi nga Aledia Kondaj, skenografi të Beqo Nanaj dhe kostumografi nga Sofi Kara. Shfaqja “Teatri i Fantazisë” do vazhdojë vihet në skenë çdo fundjavë të shtunë dhe të djelë në orën 10.30 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Intervistoi: Sava Lena
Teatri i Fantazise (Foto nga facebook)