Zona e zhvillimit ekonomik “TEDA” synon të krijojë 5-7 mijë vende pune
2023-04-12 09:46:13

Në vitin 2024 në periferi të kryeqytetit  shqiptar, në Kashar do të nisë funksionimi i Zonës së zhvillimit ekonomik, e quajtur TEDA. Projekti i saj u prezantua këto ditë nga Bashkia e Tiranës. Synimi i kësaj zone është thithja e investimeve të huaja direkte. Më gjerësisht për këtë ka folur për mediat Genci Kojdheli, Drejtor i përgjithshëm për Projekte Strategjike dhe Zhvillim Ekonomik në Bashkinë e Tiranës

Është prezantuar projekti për Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik të Tiranës (TEDA) në Kashar. Përmes TEDA Tirana, Bashkia e Tiranës synon të thithë investime të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus te industritë prodhuese si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logistics etj

Genci Kojdheli, Drejtor i përgjithshëm për Projekteve Strategjike dhe Zhvillim Ekonomik në Bashkinë Tiranë ka shpjeguar detajet gjatë një interviste për mediat.

“Nuk është specifikisht një zonë e lirë ekonomike, pra e regjimit tatimor, doganor, fiskal mbi zonën nuk është 100% i lire, por ofrohet një set me iniciativa dhe me lehtësime financiare dhe tatimore për të gjithë bizneset që investojnë në zonë. Ka të bëjë me impaktin e tvsh-së, tatim taksave, disa nga shpenzimet që mund të bëhen për trajnimet për kërkimin shkencor, për përmirësimin teknologjik. Të gjitha këto janë disa iniciativa që iu ofron ligji që ka kaluar qeveria para disa vitesh për zonat e lira ekonomike dhe për zonat teknologjike të zhvillimit ekonomik siç është TEDA. Ajo është zona e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik i Tiranës. Fokusi në fakt është  jo vetëm për të hapur vende të reja pune, por vende pune cilësore, të qëndrueshme dhe në industri të cilat konsiderohen si risi të ardhmes”- tha Kojdheli.

Synimi i TEDA-s është që të sillen në Shqipëri disa industri të së ardhmes.

“Në 10-15 vitet  e fundit fokusi i vendeve të reja të punës të ashtuquajtura industri të cilat kanë ardhur në Shqipëri, kanë qenë fokusuar te industria e manifakturës, që ne e quajmë rëndom fason. Industria e telekomunikimit dhe marketingut që ne i quajmë zakonisht Call center. Këto kanë mbajtur një barrë të rëndësishme në tregun e punës sidomos tek të rinjtë, por cilësia e punës që ofrohet në termat e pagesës, e me radhë, nuk ka qenë shumë e lartë. Kjo është reflektuar edhe tek rroga. Sektori fason ka mbajtur një peshë të madhe të punësimit të shqiptarëve në vitet e fundit, por nuk ka dhënë të ardhura shumë të mira. Edhe pse janë punësuar njerëz, fokusi i bashkisë Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave ka bërë që krijimi i TEDA-s, të sjellë disa industri të së ardhmes, përfshirë të gjithë komunikimet teknologjike, internetin data center, zhvillimet teknologjike që kanë të bëjnë me aplikacionet me programimin, apo kodim. Industria automotive ka një fokus shumë të madh, si dhe bioteknologjia ka një fokus të madh. Industria teknologjike ka një fokus të madh dhe të gjitha këto janë të përfshira tek ajo që quhet ekonomia globale. Deri më sot kemi patur disa kërkesa nga kompani të huaja që kanë shprehur interes për t’u bërë klientë”- shprehet Drejtori i përgjithshëm për Projekteve Strategjike dhe Zhvillim Ekonomik në Bashkinë Tiranë.

Që në lancimin e projektit ka patur interes nga kompani të ndryshme botërore.

“Kemi klientë potencialë nga Izraeli, nga SHBA, kompani italiane që duan të vijnë të krijojnë në Tiranë. makina elektrike. Kemi kompani holandeze, si dhe holandeze-amerikane të cilat do të krijojnë në Tiranë dhe prodhojnë biçikleta elektrike, shumë të shtrenjta, me fibra karboni. Apo edhe investime të rëndësishme në sektorin e ICT të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, nga shteti i Izraelit.”, ka theksuar ai

Kur do të jetë funksional TEDA?

“TEDA duhet të jetë operacionale sipas planeve tona edhe sipas mandatit që na ka dhënë Komiteti i Investimeve Strategjike dhe Ministria e Financave, që na ka dhënë lejen si zhvillues. Këtu duhet sqaruar se ligji në fillim i ka dhënë të drejtën privatëve që të bëjë zonat e lira ekonomike, apo zonat e zhvillimit ekonomik në vend. Kjo nuk ka ndodhur deri më sot në Shqipëri, nga zhvillues privat. Ishte iniciative e kryetarit të bashkisë rreth 5 vite më parë, që ne të fillojmë procedurat për të qenë zhvillues dhe të ishte shteti që t’i kërkonte leje shtetit për ta bërë këtë zhvillim, bëmë gjithë ciklin e proceseve për t’i marrë të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme për të qenë zhvillues dhe brenda vitit 2023, TEDA do të jetë operacionale, në sensin që do jetë përmirësim i pronës rreth 1 mijë, dërgimi i infrastrukturës mbështetëse, uji, energji, me fibra optike, internet e kështu me radhë. Klienti i parë besoj që do të jetë operacional brenda fillimit të 2024”- shton Kojdheli.

Kryesore është që në këtë zonë të zhvillimit ekonomik të hapen shumë vende të reja pune.

“Ne nuk kemi një parakusht që kompania të jetë e huaj, parakushti ka të bëjë me tipologjinë e  biznesit që të futet në TEDA. Përfshihen edhe start-up që kanë një normë rrisku pak më të lartë se bizneset e tjera për të qenë operacionale për nivelin e vendeve të punës që ne kërkojmë që të ketë tek TEDA, por nëse një start up e ka kapacitetin që të ofrojë ato vende pune që ne besojmë se duhet të ofrohen brenda TEDA-s dhe janë brenda spektrit të bizneseve të gjithë janë të lirë të jenë të përfshirë, edhe bizneset shqiptare. Sigurisht nuk do të lejohet që një fason që bën këmisha jashtë TEDA-s ta transferojë punën brenda TEDA-s.”, spjegoi ai

Më herët edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se “Bëhet fjalë për një territor të madh toke, fillimisht 35 ha, potencialisht 50 ha dhe idealisht 100 ha, në varësi si ecën projekti, i cili ndodhet në një hapësirë fushore mes dy akseve, aksit të Kombinatit dhe aksit të rrugës Tiranë-Durrës-Kashar”.

Sipas kryebashkiakut kjo hapësirë do të jetë shtëpia e re e Zonës së Lirë Ekonomike të Tiranës, ku një biznes mund të investojë pa u shqetësuar se kush e ka tokën në pronësi, me sa pronarë duhet të flasë, sa negociata duhet të bëjë, kush do të jetë sekseri, apo agjencia, që do të më koordinojë etj.