44 vende të interesuara për programin e FMN-së për trajtimin e ndryshimeve klimaterike
2023-04-12 15:50:41

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Dyzet e katër vende kanë shprehur interes për t'u bashkuar me fondin 40 miliardë dollarësh të FMN-së për elasticitetin dhe qëndrueshmërinë, njoftoi drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva.

Lehtësia e krijuar një vit më parë synon të rrisë elasticitetin e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të cenueshme, duke u ofruar atyre mbështetje financiare dhe duke promovuar politika të qëndrueshme ekonomike në përgjigje të rreziqeve sistematike, si ndryshimi i klimës, bën të ditur “Xinhua”.

Kërkesa e fortë për programin nënvizon nevojën urgjente për bashkëpunim global në mobilizimin e triliona dollarëve në investime në mënyrë që ta vendosim botën në një trajektore të emetimeve neto zero, tha Georgieva në një aktivitet të mbajtur të hënën pasdite.

Ruanda, Barbados, Kosta Rika, Bangladeshi dhe Xhamajka kanë arritur marrëveshje për programet e huasë, sipas Georgieva.

“Pra, 40 miliardë dollarë nuk është një zgjidhje më vete, por është një kontribut për një zgjidhje, nëse ndihmon në heqjen e barrierave për shkallën masive të investimeve, veçanërisht investimet private në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim. Por ne kemi gjithashtu shumë më tepër për të bërë. Adresimi i kësaj sfide kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese të bazuar në tre elementë të ndërlidhur: politika adekuate, investime dhe inovacion dhe financim”,- tha Georgieva.

Bashkëpunimi midis institucioneve shumëpalëshe, autoriteteve kombëtare dhe sektorit privat do të jetë thelbësor për t'i kthyer sfidat klimaterike në mundësi, tha Li Bo, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së, në diskutimin e panelit.

Sipas tij, vetëm për energjinë e rinovueshme, nevojiten 1 trilion dollarë amerikanë në vit.

Jin Liqun, president i Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë, theksoi nevojën për të rritur më tej ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për krizën klimaterike. “Nëse nuk besoni se kjo do të jetë një krizë e madhe në horizont, nuk është e mundur të mobilizohen burime të mjaftueshme për këtë qëllim”,- tha Jin. (Elona)