Kina nxit Japoninë ta asgjësojë ujin e ndotur bërthamor në mënyrë të sigurt
2023-04-12 17:27:42

Foto: Një pamje e përgjithshme që tregon depozita të ujit të ndotur në centralin bërthamor të Fukushimës të Kompanisë së Energjisë Elektrike të Tokios (TEPCO), në Okuma të prefekturës Fukushima. / VCG

Kina i ka kërkuar përsëri Japonisë të marrë seriozisht shqetësimet e ligjshme të të gjitha palëve rreth asgjësimit të ujit të ndotur bërthamor dhe të mos fillojë hedhjen e tij në det pa u këshilluar plotësisht dhe pa konsensusin e palëve të interesuara dhe të organizatave ndërkombëtare përkatëse.

Duke komentuar mbi një raport të fundit për anëtarët e partisë më të madhe të opozitës në Korenë e Jugut Minjoo, që kanë shprehur shqetësim të madh rreth lëshimit nga Japonia të ujit të ndotur bërthamor në Oqeanin Paqësor, dhe protestat masive të zhvilluara kohët e fundit në Japoni kundër planit të qeverisë japoneze për ujin e ndotur bërthamor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin theksoi se plani i Japonisë do të sjellë një rrezik të paparashikueshëm për botën.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

"Kina ka shprehur vazhdimisht shqetësim të madh dhe kundërshtim ndaj vendimit të qeverisë japoneze për ta lëshuar ujin e ndotur  bërthamor të Fukushimës  në det. Uji i ndotur bërthamor ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me bërthamat e reaktorit të shkrirë në aksidentin bërthamor të Fukushimës  dhe përmban më shumë se 60 radionuklide, shumë prej të cilave nuk mund të trajtohen efektivisht me teknologjitë e tanishme. Disa radionuklide që jetojnë gjatë, mund të përhapen me rrymat oqeanike dhe të formojnë një efekt biopërqendrimi, i cili do të shumëfishojë sasinë e përgjithshme të radionuklideve në mjedis, duke shkaktuar rreziqe të paparashikueshme për mjedisin detar dhe shëndetin njerëzor," shpjegoi zëdhënësi.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Japonia pretendon se uji i ndotur bërthamor i trajtuar nga pajisja e njohur si ALPS, është i sigurt dhe i padëmshëm. Megjithatë, pjekuria dhe efektshmëria e teknologjisë së ALPS-it nuk janë vlerësuar a certifikuar nga ndonjë palë e tretë. Nuk ka asnjë rast të mëparshëm të trajtimit të një sasie aq të madhe uji të ndotur bërthamor që përmban aq shumë përbërës kompleksë, dhe mbetet në pikëpyetje nëse ALPS-i do të jetë efektiv për një kohë të gjatë.

Wang theksoi se Japonia duhet të ndalojë shmangien e përgjegjësisë dhe të zbatojë detyrimin e vet për ta trajtuar ujin e ndotur bërthamor në mënyrë të sigurt, në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare, standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe praktikat e pranuara ndërkombëtarisht.