Expocity, Shqipëria, destinacion turistik për 365 ditë
2023-04-12 15:05:31

Expocity, panairi i turizmit (Facebook)

Expocity, panairi i turizmit (Facebook)

Shqipëria ka potencial që të bëhet një destinacion kryesor turistik në rajon për çdo ditë të vitit. Me logon “Shqipëria, destinacion turistik për 365 ditë”, Expocity organizoi edicionin e 5-të të panairit ndërkombëtar të turizmit në Tiranë. Shumë tur-operatorë, investitorë të pavarur, shkolla profesionale dhe të tjerë morën pjesë në ExpoTurism. Ky panair solli rreth 100 biznese dhe 30 blerës nga vendi dhe rajoni për të përmirësuar produktet turistike shqiptare. Expocity erdhi në këtë panair me një traditë të re bashkëpunimi me bashkitë e vendeve dhe shteteve të ndryshme, ku bashkia e Tiranës ishte ajo e nderit dhe Armenia shteti nderi. Në një intervistë për Radio Ejani ekspertja e turizmit Flora Xhemani Babi flet për risitë e këtij edicioni të panairit të turizmit.

Flora Xhemani Baba. (Facebook)

Flora Xhemani Baba. (Facebook)

CMG: Cilat ishin risitë që solli ky edicion i panairit të turizmit organizuar në Tiranë?

Flora Xhemani Baba: Paniri tre ditor në Expocity është një vazhdë e javës së turizmit, e cila ka një pjesëmarrje të kënaqëshme të tur-operatorëve më të rëndësishëm të Ballkanit. Mënyra se si është organizuar panairi i sivjetëm është interesante sepse ka disa shtylla kryesore, që janë besoj të rëndësishme edhe për vetë pjesëmarrësit e panairit, duke mos e bazuar të gjithë ofertën turistike tek përcjellja e ofertës përmes vizitorëve të jashtëm. Kanë ardhur 30 tur-operatorë të huaj për takimet e biznesit për të përcjellë ofertat respektive që janë kryesisht blerës të destinacionit të Shqipërisë. Ata janë operatorë nga e gjithë Europa, operatorë të turizmit të madh të eventeve, operatorë blerës të destinacionit dhe janë drejtpërdejt të interesuar për të sjellë grupet e tyre në Shqipëri. Gjithashtu janë operatorë që duan të investojnë në Shqipëri, pra kompani investimi që ndoshta janë të interesuar të blejnë prona ose të investojnë në real estate, por me fokus turizmin. Kështu që mendoj se kjo është mjaft interesante për pjesëmarrësit e panairit. Në këtë panair u organizuan panele shumë interesante, që përveç hapjes të madhe që ishte shumë e bukur si një aktivitet ceremonial solemn, u organizuan në çdo orë të ditës panele me të ftuar ku grupet e interesit shpërfaqën ofertën, atë që kanë për të ofruar apo atë që kanë për të blerë. Prezantimi i Armenisë si destinacion të produkteve të tyre shoqëruar me video të ndryshme nga vendi. Prezantimi i Shkodrës si destinacion, prezantimi i Tiranës, Elbasanit si destinacion nëpërmjet bashkive përkatëse, por edhe prezantimi i xhubletës, që tashmë është hyrja jonë më e re në UNESCO.

Gjithashtu ishte dhe paneli i turizmit të aventurës organizuar nga Travel Magazine që fton grupet e interesit për të ditur se çfarë po bëhet në Shqipëri aktualisht me turizmin e aventurës, si një pjesë shumë e rëndësishme e turizmit të qëndrueshëm. Pra të gjitha këto panele dhe aktivitete që u organizuan brenda mjediseve të panirit janë një dinamikë e gjallë që e bën panirin vërtetë një festë të turizmit.

Ceremonia e hapjes se edicionit te 5-te te panairit te turizmit (Facebook)

Ceremonia e hapjes se edicionit te 5-te te panairit te turizmit (Facebook)

CMG: Pjesë e këtij panairi ishte dhe turizmi kulturor, që është vërtetë i rëndësishëm për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë.

Flora Xhemani Baba: Edhe hapja e panairit u bë nëpërmjet një feste me kostume popullore të Tiranës. Prezantimi i Shkodrës u mbyll me këngët më të bukura shkodrane dhe me ofertën e tyre gjithashtu, që do të thotë se turizmi kulturor në fakt ka qenë baza kryesore e ofertës turistike të çdo stende në panair. Mendoj që do të jetë një prej fokuseve tona kryesore të ofertës turistike sepse vetëm nëpërmjet turizmit kulturor që është shtylla kryesore e turizmit të qëndrueshëm, ne do të mund ta ngremë cilësinë e ofertës si dhe vlerën e saj, çmimin e paketës tonë turistike.

Turizmi masiv është jetëshkurtër, i cili zgjat vetëm tre muajt e verës dhe në momentin që kemi turizëm masiv rrezikojmë ndotjen e mjedisit, superpopullimin e zonave të caktuara, për të cilat duhet të jemi të ndërgjegjshëm që janë të pashmangshme. Në tre muaj verë Shqipëria ka një fluks të lartë vizitorësh që patjetër krijojnë dhe problematikat e tyre. Ndërkohë që turizmi i qëndrueshëm me në fokus turzmin kulturor është ai që do ta shtrijë sezonalitetin përgjatë gjithë vitit dhe do të ketë mundësi që t’i pasurojë qytetet tona kulturore si Shkodra, Kruja, Berati, Gjirokastra dhe Tirana që është kryeqyteti dhe stacioni kryesor.

Këto qytete do t’i pasurojë me turistë gjatë gjithë vitit, pra vetëm nëpërmjet turizmit kulturor dhe turizmit të aventurës dimëror dhe veror, turizmit malor, turizmit rural sidomos që nëpërmjet ofertave të agroturizmit shkon deri në fshatrat më të thella. Kjo është besoj mënyra e vetme për ta bërë ofertën tonë turistike efikase për çdo zonë të thellë të Shqipërisë. Kemi kohë që e kemi shpallur qëndrimin tonë, dhe pse turizmi masiv sot për sot është shfrytëzuesi kryesor i ekonomisë sonë, mendoj se turizmi kulturor, turizmi rural dhe ai i aventurës duhet të jenë tre shtyllat kryesore ku duhet të përqëndrojmë ofertën tonë në të ardhmen.

Edicioni i 5-te i panairit te turizmit ne Tirane (facebook)

Edicioni i 5-te i panairit te turizmit ne Tirane (facebook)

CMG: Flasim për revistën turistike që ju drejtoni “Travel Magazine - Ballkans” që besoj se është një promotor i mirë i vlerave turistike të turizmit shqiptar, por edhe më gjerë.

Flora Xhemani Baba: Unë shpresoj që ne të jemi në lartësinë e duhur në këtë pikë sepse revista ka më shumë se 10 vjet që prezanton destinacionet më të mira shqiptare si dhe të gjitha trojeve shqiptare në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi përpjekur që të jemi zëri i këtyre bizneseve të vogla, sipërmarrjeve familjare, bujtinave, pikave agroturistike. Gjithashtu edhe bregdetin jemi përpjekur ta trajtojmë si një ofertë familjare se në fakt 80 për qind e biznesit turistik në Shqipëri ofrohet nga bizneset e vogla dhe të mesme, me sipërmarrje kryesisht familjare, që do të thotë ka shumë pak investitorë të huaj që mund të ndikojnë realisht në të ardhurat ekonomike që vijnë nga turizmi.

CMG: Si pritet të jetë ky sezon turistik përsa i përket vizitorëve të huaj në vendin tonë?

Flora Xhemani Baba: Ky sezon pritet të ketë rritje të ndjeshme të paktën në 30% duke u bazur tashmë në numrin e vitit të kaluar, dhe jo më në vitin 2019 që e kemi marrë gjithmonë si pikë referimi. Interesi për Shqipërinë është rritur për shkak të efektit mediatik që ka pasur në publikimin e artikujve në mediat e huaja, por edhe sepse gjithë Ballkani Perëndimor tashmë është në fokusin e turistëve si pjesë e Mesdheut. Mesdheu është destinacioni më i kërkuar dhe më i vizituar në botë, dhe Shqipëria është pjesë e pellgut të Mesdheut si vend në Ballkanin Perëndimor. Kështu që sivjet pritet fluks shumë i lartë turistësh dhe mendoj që të jetë 30% më i lartë, qoftë në prurje demografike, por edhe në prurje monetare.

Intervistoi: Gazmend Agaj