Historia e filmit shqiptar “Një natë pa dritë”
2023-04-12 14:58:57

Poster i filmit Nje nate pa drite- foto Kinematorafia shqiptare

Poster i filmit Nje nate pa drite- foto Kinematorafia shqiptare

Filmi “Një natë pa dritë”, i regjisorit Gëzim Erebara është realizuar në vitin 1981 dhe fokuson biografinë e një personaliteti të letërsisë shqipe. Filmi bazohet në ngjarje të vërtetë të shkrimtarit Migjeni gjatë viteve të tij të rinisë. Filmi mbështetet në skenarin e shkrimtarit Kiço Blushi, ndërsa muzika origjinale është kompozuar nga  Hajg Zaharian. Filmi “Një natë pa dritë”është një produksion i “Kinostudios Shqipëria e Re”. 

Nga ana strukturore, filmi ndahet në dy pjesë. Njëra prej tyre fokuson jetën e Migjenit në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, ku u shkollua dhe zhvilloi një pjesë të rëndësishme të aktivitetit letrar, ndërsa pjesa tjetër zhvillohet në Vrakë, në fshatin ku dha kontributin e tij si mësues e ku shkroi edhe disa prej krijimeve të tij.

Filmi fokusohet tek faktet jetësore të njeriut që u shfaq si zë i vërtetë dhe shumë origjinal në qarqet letrare të Shkodrës në vitet ’30. Përmes zbulimit të realitetit të jetës dhe veprës së Migjenit, në film gjejmë edhe një realitet social dhe politik që e revolton thellësisht poetin. Është një periudhë në të cilën populli shqiptar vuan nga uria, skamja dhe pasiguria.

Ngjarja fillon në Shkodër, Milloshi është mësues në fshatin Vrakë. Nxënësit e tij kishin disa kohë pa shkuar në shkollë, kjo e shqetëson mësues Milloshin. Ai shkon të ankohet tek kryeplaku i fshatit, por si gjithmonë fjalët e kryeplakut ishin: "aty ku ka fukarallëk nuk i vjen mendja njeriut për shkollë". Milloshi shikon jetën e përhershme të njerëzve rreth tij, një jetë e varfër, e skajshme, ku të varfërit presin një jetë më të mirë, një jetë që nuk e patën, ku besojnë tek Zoti, ku ata i luten Krishtit dhe Allahut, ku këmbanat e kishës zgjojnë fëmijët natë e ditë, ku meshat e agjërimet mbushin njerëz me mendjen se Zoti nuk do t’i lërë ne skamje dhe uri.

Pamje nga filmi - foto Aktoret shqiptare

Pamje nga filmi Nje nate pa drite- foto Aktoret shqiptare

Pasi Migjeni arrin që të kthejë fëmijët në shkollë, kryeplaku dhe prifti i fshatit i drejtohen me zemërim atij, sespe sipas tyre ai duhet t’i lejë fëmijët të kryejnë mësimin e Zotit.

Ndërkohë, filmi në linja paralele, jep jetën e Milloshit në Shkodër, në shtëpinë etij, në lagjen ku ka jetuar, takimet me miqtë, bisedat intelektuale dhe ideologjike që zhvillonin mes tyre. Ndalet tek librat që lexonte Migjeni, muzikën që pëlqente, qëndrimin e tij ndaj argumenteve politike dhe sociale, marrëdhëniet me femrat dhe mendimin e tij ndaj tyre, duke synuar të ndërtojë një portret të poetit. Dhe në këtë mori skenash, faktesh, detajesh jetësore dhe artistike, kamera kalon sa nga Pjaca e famshme, te Kafja e Madhe, tek Këmbënorja e kishës, apo minarja e xhamisë, tek malësorët që zbrisnin të uritur nga mali apo oborret me trëndafila të shtëpive të vjetra, ku dëgjihehsin jaret e qytetit.

Më tej filmi i shpie ngjarjet në Pukë, ku ka si detyrë që të hapë një shkollë për fëmijët e Pukës. Me shumë përpjekje ia arrin dhe shkollën vijnë që ta ndjekin shumë fëmijë malësorë. Pas atyre vështirësive dhe pengesave, për t’i arsimuar fëmijët, mësues Milloshi sëmuret nga tuberkulozi. Në film jepet planifikimi i tij për të shkuar me anije në Itali, ku edhe do të mjekohej për tuberkulozin, sëmundjen prej së cilës vuante.

Në rolet kryesore interpretojnë Vangjel Toçe në rolin e Migjenit, si dhe aktorët Rabie Hyka, Alfred Bualoti, Paskualina Gruda, Ndrek Luca, Eduart Makri, Agron Dizdari, Bruno Shllaku, Bep Shiroka, etj.

Ndoshta për shkak të ngjashmërisë fizike, por edhe për realizmin e thellë dhe mjeshtërinë në interpretim, roli i Migjenit iu besua aktorit Vangjel Toçe. Për të realizuar këtë rol aktori ka lexuar me kujdes, gjerë e gjatë veprën e Migjenit, ka folur me njerëz që dinin detaje rreth jetës së tij, ka njohur rrugët dhe rrugicat e qytetit, pa udhëtuar në fushë e në mal, për të realizuar sigursht, rolin më të rëndësishëm të karrierës së tij artistike.

Por, pavarësisht punës së bërë nga aktori protagonist, peshën më të madhe të filmit e ka mbajtur regjisori, Gëzim Erebara. Ai, në të gjallë të tij, ka folur shpesh për filmin, duke treguar se filmi “Një natë pa dritë është filmi i tij i parapëlqyer.

Alfred Bualjoti, Rabiie Hyka dhe Vangjel Toce ne nje sekuence nga filmi- foto Aktoret shqiprae

Alfred Bualjoti, Rabiie Hyka dhe Vangjel Toce ne nje sekuence nga filmi- foto Aktoret shqiprae

Dy dekada më parë, në vitin 1961, pati realizuar një dokumentar për figurën e Migjenit, ndërsa në vitin 1981 ai e mitizoi Migjenin në kinema. Për të përmbushur misionin e tij, regjisori Erebara lexoi pothuajse në ilegalitet veprat e Niçes dhe studimet e huaja mbi Migjenin, gjë që binte ndesh me politikën zyrtare që e paraqiste pjesën Niçeane të Migjenit si një periudhë kalimtare e gjendjes shpirtërore të poetit dhe jo si burim i rëndësishëm frymëzimi. Në principin e tij, ai mbronte mendimin se Migjeni ishte niçean dhe filmin është munduar ta trajtojë në këtë linjë.

Interesant është fakti se filmi e pati premierën pikërisht në Shkodër, në qytetin ku lindi e jetoi poeti, si dhe në qytetin ku i xhirua njëpjesë e konsiderueshme e filmit. Dhe jo pa arsye, nëse në Shkodër filmi do të pëqehej, suksesi i tij do të ishte i garantuar. Më 1 mars të vitit 1981, në një sallë të mbushur plot, u shfaq për herë të parë filmi që për titull mori njërën nga poezitë më të bukura të Migjenit, të cilën aktori Vangjel Toçe e sjell edhe me interpretimin e tij rrënqethës.

Migjeni (1911-1938) ka qenë poet dhe autor/publicist shumë i njohur. Millosh Gjergj Nikolla ky ka qenë emri i tij i vërtetë, se Migjeni, ka qenë pseudonimi ose emri i tij i pendës. Ai ka qenë poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ka qenë një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Konsiderohet që Migjeni kishte kaluar nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai kishte pasqyruar varfërinë e thellë të viteve kur kishte jetuar dhe u kishte dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj. Skena të tëra në fim janë ndërtuar bazuar mbi titujt e cituar më sipër.

Neritana Kraja