Nis operimin Bursa Shqiptare e Energjisë, Balluku: Shqipëria në pozitat më të mira në rajon
2023-04-12 15:26:55

Bursa Shqiptare e Energjisë nisi të martën operimin duke nisur edhe ankandin e parë të tregut të ditës në avancë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në ceremoninë e nisjes së operimit të bursës, tha se Shqipëria është sot në pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike, citon “ATSH”.

“Shqipëria është në një nga pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike dhe zhvillimit që do t’i japim vendit për të arritur objektivin për të qenë një vend eksportues neto energjie në vitin 2030. Ka qenë një rrugë e vështirë për të dizenjuar këtë strategji dhe për ta bërë atë koherente. Diversifikimi i burimeve të rinovueshme është synimi kryesor, por nuk harrojmë faktin se qëndrueshmëria dhe siguria energjetike mbeten kryesoret”,- tha ajo, duke theksuar se viti 2022 shënoi nevojë ekstreme të të pasurit të një burse për Shqipërinë.

Zv/kryeministrja vuri në dukje se edhe pse duket sikur çmimet janë stabilizuar, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në sezonin veror.

Balluku theksoi se prodhuesit privatë të energjisë do të kenë mundësi të konkurrojnë me njëri-tjetrin duke përfituar nga bursa, por duke i dhënë mundësinë edhe industrisë vendase dhe tregut ndërkombëtar për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme.

“Iu bëj thirrje të gjithë prodhuesve të energjisë elektrike dhe tregtarëve të tregojnë besim në këtë instrument të ri të digjitalizuar që krijon transparencë të plotë, për ta bërë sa më funksionale dhe dhënë mundësi që ajo koha e gjatë e kolaudimit të jetë sa më e shkurtër dhe APLEX të shërbejë si instrument çlirues nga detyrimi për të blerë energji me çmime të larta”,- tha ajo.

ALPEX është bursa e dytë operacionale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, të cilat po shtohen gjithnjë e më shumë, falë një sërë investimesh të reja. (Elona)