Shkëmbimet e nivelit të lartë Kinë-BE, sinjal i qartë kundër shkëputjes dhe ndërprerjes
2023-04-12 18:14:37

Foto nga VCG

Foto nga VCG


Ditët e fundit, kompania "Airbus", Kompania e Investimeve e Zonës së Tregtisë së Lirë e Tianjin-it dhe Korporata e Industrisë së Aviacionit e Kinës (AICC) nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e linjës së 2-të të prodhimit të avionëve "Airbus" në Tianjin të Kinës Veriore. Kjo linjë do të shtojë aftësinë e montimit të avionit të tipit "A320" e do të japë kontribut për arritjen e objektivit të "Airbus"-it për prodhimin e 75 avionëve "A320" në muaj deri në vitin 2026.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet, thotë:
"Airbus" është jo vetëm një kompani franceze, por edhe gjermane e spanjolle. Dua të them që ajo është europiane. Jam shumë i kënaqur që është diskutuar në Pekin dyfishimi i prodhimit. Ata kanë prodhuar 600 avionë "A320" dhe është vërtet një gjë e madhe.
Kryetari ekzekutiv i "Airbus"-it, Guillaume Faury, vëren:
"Airbus" ka një histori shumë të suksesshme në bashkëpunimin me industrinë kineze të aviacionit. Kemi partnerë dhe bëjmë blerje nga furnizuesit kinezë, partnerët kinezë. Jemi një kompani me investime të përbashkëta.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina ka tregun e aviacionit civil me potencialin më të madh në botë. "Airbus"-i parashikon që, deri në vitin 2041, kërkesa e Kinës për avionë udhëtarësh dhe mallrash do të arrijë në 8 420, duke zënë mbi 20 % të kërkesës botërore. Më 6 prill, kur presidenti francez Emmanuel Macron bëri vizitë në Kinë, "Airbus"-i dhe Kompania e Pajisjeve të Aviacionit e Kinës (CAS) nënshkruan marrëveshjen e blerjes së 160 avionëve, me vlerë 20 miliardë dollarë amerikanë.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet, shprehet:
Nuk është një çështje shkëputjeje mes Kinës dhe BE-së. Kjo ka shumë rëndësi për Kinën, për Europën dhe për ekonominë botërore.
Kohët e fundit, Kina dhe BE-ja kanë pasur shkëmbime të dendura të nivelit të lartë. Pas vizitave të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, kohët e fundit edhe kryeministri spanjoll, presidenti francez dhe kryetarja e Komisionit Europian kanë bërë vizita në Kinë. Ata kanë lëshuar një sinjal të qartë, se shpresojnë që të vazhdojë të thellohet bashkëpunimi tregtar Kinë-BE, duke kundërshtuar shkëputjen dhe ndërprerjen.
Ish-zv.ministri i Ekonomisë dhe i Zhvillimit i Italisë, Michele Geraci, vë në dukje:
Unë mendoj që marrëdhënia Kinë-BE po shndërrohet nga ideologjike, që nuk është gjithmonë gjë e mirë, në praktike e pragmatike. Për fat të mirë, lidhur me marrëdhëniet Kinë-BE, kemi hasur një krizë ekonomike në Europë dhe njerëzit kanë filluar ta kuptojnë që zgjidhja e këtij problemi është rifillimi i tregtisë me Azinë dhe Afrikën. Kina është vend udhëheqës në këto kontinente, sepse ka ndikim të fuqishëm në këto dy kontinente. Prandaj, për ne, marrëdhëniet me Kinën po bëhen të nevojshme.
Kina dhe Europa thellojnë bashkëpunimin, çka përshtatet me interesat e përbashkët dypalësh dhe do të sjellë vazhdimisht siguri dhe energji pozitive për botën që është në luhatje. Me këtë konsensus, Kina dhe BE-ja po rifillojnë shpejt lidhjet në fushat e ndryshme.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Drejtori i Institutit të Çështjeve Europiane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Feng Zhongping vëren:
Kjoka lidhje jo vetëm me marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me marrëdhëniet mes fuqive të mëdha, me zhvillimin global dhe sigurinë globale. BE-ja, ShBA-ja dhe Kina janë tre ekonomitë kryesore të botës. Nëse Kina dhe BE-ja përpiqen bashkë, do të garantohet qëndrueshmëria e ekonomisë botërore. Kina dhe Europa dëshirojnë të bëjnë diçka për sa i përket qeverisjes globale e të përballojnë bashkërisht ndryshimet klimatike. Krahas kësaj, ndryshimi i modelit energjetik është një shprehje kyçe për Kinën dhe Europën. Këto janë çështje shumë të rëndësishme për të gjithë botën.