Raporti i FMN-së: Ekonomia globale, rritje "të vakët" sivjet
2023-04-12 14:32:49

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gjatë pesë vjetëve të ardhshëm ekonomia globale do të ketë rritjen më të dobët që nga viti 1990, ndërsa inflacioni do të ulet më ngadalë sesa ishte parashikuar, thuhet në raportin e fundit "Një rimëkëmbje e vështirë" të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Raporti vë në dukje që ekonomia globale do të rritet me rreth 3 për qind në vit gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, ndërsa inflacioni mesatar global do të ulet në 7 për qind këtë vit dhe 4.9 për qind më 2024.

Një numër ekonomish evropiane do të kenë një rritje më pak se 1 për qind sivjet, dhe disa, duke përfshirë Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të tkurren disi.

Po sipas raportit të FMN-së, India dhe Kina do të ekuilibrojnë këtë amulli, duke krijuar rreth gjysmën e të gjithë rritjes së ekonomisë botërore në vitin 2023

Një nga arsyet kryesore për këtë parashikim jooptimist është kostoja e lartë e huamarrjes në Amerikën e Veriut dhe Europë. Raporti paralajmëron për "turbullira" nën sipërfaqe, duke përmendur brishtësinë që dëshmohet nga kriza e fundit bankare, me rrënimin e bankave "Credit Suisse" dhe "Silicon Valley" ndër të tjera.

Shpresat për një përmirësim të shpejtë të ekonomisë botërore sivjet janë pakësuar, ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon dhe tensionet gjeopolitike mbeten të larta.

Në raport vihet në dukje gjithashtu që problemet e zinxhirit të furnizimit janë zbutur ndjeshëm, me daljen e shpejtë të Kinës jashtë ndikimeve të mbylljeve për shkak të COVID-19, teksa rimëkëmbja e ekonomisë kineze ka sjellë përfitime për vendet e tjera të Azisë Lindore dhe Juglindore.

Raporti përmend një numër masash të autoriteteve kineze që kanë pasur një ndikim pozitiv, të tilla si lehtësimi monetar, ulja e taksave për bizneset dhe politikat që synojnë përshpejtimin e përfundimit të projekteve të ndërtimit.

Parashikohet që si Kina, ashtu edhe India, do të kenë një rritje më të lartë se 5 për qind këtë vit dhe 4 deri 6 për qind në vitin 2024, shumë më e lartë se mesatarja prej 3 për qind për të gjitha ekonomitë dhe rreth katër deri pesë herë më shumë se rritja e mjaft ekonomive të përparuara.