Qindra palestinezë të plagosur gjatë përleshjeve me ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor
2023-04-12 15:25:35

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të paktën 216 palestinezë u plagosën të hënën gjatë përleshjeve me ushtarët izraelitë në juglindje të qytetit të Nablusit në Bregun Perëndimor, sipas mjekëve palestinezë.

Përleshje të ashpra shpërthyen midis protestuesve kundër vendbanimeve dhe ushtarëve izraelitë në fshatin Beita, tha në një deklaratë Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe, duke shtuar se 22 persona u qëlluan me plumba gome, ndërsa dhjetëra thithën gaz lotsjellës të hedhur nga trupat izraelite, citon “Xinhua”.

Përplasjet shpërthyen pasi shtatë ministra izraelitë, 20 anëtarë të Parlamentit izraelit dhe më shumë se 17.000 kolonë izraelitë organizuan një marshim në Bregun Perëndimor verior. Protestuesit palestinezë valëvitën flamuj, brohoritën parulla kundër Izraelit, dogjën goma dhe qëlluan me gurë ushtarët izraelitë, të cilët hodhën gaz lotsjellës dhe plumba gome për t'i shpërndarë, shtuan ata.

Marshimi u zhvillua në mes të dhunës në rritje midis izraelitëve dhe palestinezëve, e cila u nxit nga bastisjet e policisë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa javën e kaluar. Më shumë se 600.000 kolonë izraelitë jetojnë në dhjetëra vendbanime, të cilat u krijuan pasi Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor në 1967-n. (Elona)