Presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silvafoto fillon vizitën shtetërore në Kinë më 12 prill/ foto nga VCG
Kina dhe Brazili, që gjenden afro 18 800 km larg nga njëri-tjetri, janë vendet më të mëdha në zhvillim përkatësisht në hemisferën lindore dhe në atë perëndimore. Me vizitën e presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva në Kinë, që nis të mërkurën, të dy ekonomitë e reja do të shtrëngojnë përsëri duart, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Kjo është vizita e tretë shtetërore e presidentit Lula në Kinë. Në janar të këtij viti, 77-vjeçari Lula u betua si president i Brazilit për herë të tretë. Gjatë dy mandateve të tij të kaluara, marrëdhëniet kino-braziliane kanë pasur përparim të vrullshëm. Në vitin 2009, Kina u bë partnerja më e madhe tregtare e Brazilit dhe e ka ruajtur këtë status deri më sot për 14 vjet me radhë. Ndërsa Brazili është i pari vend i Amerikës Latine me një vëllim të tregtisë me Kinën që i kalon 100 miliardë dollarët amerikanë.
Temat ekonomike janë një fokus kryesor i kësaj vizite të presidentit Lula. Aktualisht, Brazili ndodhet përpara vështirësisë për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe Lula po përpiqet për nxitjen e "riindustrializimit" të vendit të tij. Me këtë rast, zhvillimi me cilësi të lartë dhe hapja e nivelit të lartë e Kinës do t'u ofrojnë mundësi për përfitime të përbashkëta vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Brazilin, komenton CMG-ja.
Para nisjes së presidentit Lula, shumë zyrtarë dhe përfaqësues të sipërmarrësve brazilianë kishin mbërritur tashmë në Pekin. Sipas agjencisë së lajmeve EFE, numri i anëtarëve të delegacionit tregtar brazilian arrin në 240. Gjatë intervistës në Pekin, ministri i Bujqësisë dhe i Blegtorisë i Brazilit Carlos Fávaro tha: "Do të forcojmë më tej partneritetin me Kinën, që të ngremë bashkërisht kapacitetet dhe vëllimin e prodhimit të të dy palëve.”
Miniatura e projektit të transmetimit të energjisë elektrike me voltazh ultra të lartë në malin Belo të Brazilit/ foto nga VCG
Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë për lehtësimin e tregtisë dhe të investimeve ndërmjet dy vendeve është se, në fund të marsit, Kina dhe Brazili arritën marrëveshje për pagesë me monedhat e veta në tregtinë dypalëshe.
Me nxitjen e liderëve të të dy vendeve, bashkëpunimi dypalësh është thelluar më tej dhe largësia ndërmjet dy popujve është shkurtuar më shumë. Krahas futbollit, sambës dhe mishit të pjekur brazilian, kinezët, veçanërisht të rinjtë, kanë më shumë njohuri për Brazilin. Për shembull, Jiujitsu brazilian është përhapur shpejt në Kinë vitet e fundit dhe është krijuar edhe komisioni i zhvillimit të këtij sporti në Kinë. Edhe shapkat me gisht, pija "Guarana" dhe kafeja braziliane janë mirëpritur shumë në platformat kineze të tregtisë elektronike.
Ndërkohë, edhe njohuritë e brazilianëve për Kinën nuk kufizohen vetëm në Murin e Madh dhe kungfunë. Mjekësia tradicionale kineze është shumë e mirëpritur në Brazil dhe tani numri i mjekëve të mjekësisë tradicionale kineze të regjistruar aty i kalon 100 mijët. Gjithnjë e më shumë brazilianë po përfitojnë prej "Ndërtuar nga Kina", si projekti i transmetimit të energjisë elektrike me voltazh ultra të lartë në malin Belo, linja e transmetimit të energjisë elektrike nga hidrocentrali Teles Pires, objekti i shkripëzimit të ujit në qytetin João Câmara etj.
Studiuesit brazilianë montuan satelitin kino-brazilian për kërkimin e burimeve të Tokës në dhjetor 2018/ foto nga VCG
Meriton të përmendet edhe bashkëpunimi teknologjik ndërmjet Kinës e Brazilit, që filloi në vitet '80 të shekullit të kaluar dhe ka krijuar një sërë rezultatesh, si satelitët kino-brazilianë për kërkimin e burimeve të Tokës, Qendra e Kërkimit dhe e Novacionit të Teknologjisë Nanometrike, Qendra e Klimës dhe e Energjisë etj. Besohet se kjo vizitë e presidentit Lula do të konsolidojë më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën tekniko-shkencore.
Si dy vendet më të mëdha në zhvillim përkatësisht në hemisferën lindore dhe atë perëndimore, zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Brazilit është jo vetëm në favor të të dy vendeve, por është në dobi të mbarë globit. "Besohet se, nën drejtimin e liderëve të të dy vendeve, bashkëpunimi miqësor dypalësh do të shkallëzohet më tej, gjë që do të jetë kontribut i ri për nxitjen e qëndrueshmërisë e të lulëzimit të rajonit dhe të botës," përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)