Entela Binjaku, mes sociologjisë dhe pasioneve të saj
2023-04-11 09:41:49

Kur studion jashtë vendit për një degë ende të panjohur në atdhe dhe duhet të sfidosh çdo realitet. Kështu ka nisur lidhja e sociologes Entela Binjaku me profesionin e saj. Tashmë e njohur për publikun shqiptar, në një intervistë në Radio Ejani, Entela rrëfen rrugën plot sfida të jetës profesionale dhe pasionin e të shkruarit

Entela Binjaku, mes sociologjisë dhe pasioneve të saj

Entela Binjaku është sociologe e njohur, e cila punon prej vitesh në këtë profesion. Ajo është pedagoge e sociologjisë, në fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë. Studimet në master i ka kryer në Rumani dhe më pas u kthye në atdhe për të nisur karrierën profesionale. Në një intervistë për Radio Ejani Entela flet për jetën e saj dhe sfidat e profesionit

CMG: Si ndiheni ju në këtë profesion?

Entela Binjaku: Nuk e kam zgjedhur unë këtë profesion, por ka qenë insistimi i babait tim që unë të jem pjesë  e këtij rrugëtimi. Kur kam nisur studimet ka qenë viti 1995, kur shkencat shoqërore në Shqipëri njiheshin shumë pak. Unë në atë kohë si të gjithë maturantetët isha e foksuar tek mbyllja e gjimanzit me rezultate të larta. Ndërsa vite më vonë unë pyesja babain ku e gjete këtë profesion dhe ai më përgjigjej që është një dritare e mirë për të ardhmen, ndaj dhe e zgjodhi për mua. Mua më është dhënë edhe mundësia që të ndryshoj këtë profesion por nuk e kam bërë sepse e dua këtë degë.

Në vitet e para pas Universitetit pata shumë herë çaste kur mendoja të ndërroja drejtim e të ndahesha njëherë e mirë me këtë profesion. Kujtoj që ky mendim mi mblidhte lotët në grykë: kur mendoja aq shumë sakrifica të bëra bashkë me familjen dhe që me kthimin në Shqipëri duhej t’i lija në hije apo t’u vija kapakun…Edhe sot kur e kujtoj atë mendim, më mbushen sytë. Mezi prisja të punësohesha, isha e çliruar që prindërit i kisha lehtësuar nga gjithë ato vite sakrifica për studimet e mia.  Nuk kam lënë derë pa trokitur me diplomën shtrënguar dhe pyetja që më drejtohej më shpesh ishte: “Po ku mund të punosh ti me këtë shkollë? Ose “’Çfarë pune mund të bësh ti me sociologjinë?”

Besoj se në ato çaste dobësie lindi forca për ta vazhduar këtë rrugë.

CMG: A keni qenë një nxënëse me rezultate të mira?

Entela Binjaku: Unë isha një ish nxënëse e  shkollave tona me rezultatet nga më të lartat në Republikë në atë kohë mjaft të vështirë. Isha një studente që nuk synoja “të merrja vitin”, por të kisha rezultate të larta, kisha kultivuar një pasion të palëkundur për të studiuar, që tani kërkoja thjesht një vend pune. Kërkoja një mundësi për të siguruar jetesën me armët e mia: me dijet që kisha marrë, me edukatën që më kishin dhënë dhe me dëshirën për të mos ju bërë më barrë familjes që ishte rraskapitur ekonomikisht nga dëshirat e fëmijëve për t’u shkolluar gjatë dhe cilësisht.

Në këto lloj vështirësish u kalit edhe durimi im dhe të gjitha pengesat nuk mu dukën asnjëherë të pakapërcyeshme deri në atë pikë sa të mendoj se nuk ja ka vlejtur. Përkundrazi, sociologjia me shpjegimin e lidhjeve shkak-pasojë më ka dhënë mundësinë të kuptoj më mirë nga dhe pse vijnë këto vështirësi dhe psikologjikisht kjo ka qenë mjaft lehtësuese për mua.

CMG: Çfarë është lumturia për ju?

Entela Binjaku: Unë jam shumë e lumtur që më bëhet kjo pyetje. Rruga e jetës sime ka qenë shumë e vështirë dhe sot të jem e ftuar këtu sigurisht që më bën të ndihem e kënaqur me veten. Unë i bëj shpesh vetes pyetjen se çfarë më lumturon apo gëzon dhe shpesh reflektoj për veten. Mua ky profesion më jep mundësi të shumta të jem në kontakt me njerëz të ndryshëm dhe kjo më ndryshon ditën dhe gjendjen time.

CMG: Sa rëndësi ka shkrimi (dhe leximi) për ju?

Entela Binjaku: Shkrimi me kohën ka marrë shumë rëndësi për mua. Është siç ju e cilësoni: një passion, por që e kam zbuluar disi vonë. Sigurisht këtu nuk po flas për shkrimin e detyruar gjatë viteve të studimit, dhe as për “dallëndyshet e pasioneve të para” të shprehura në hartimet e adoleshencës gjatë gjimnazit.  Ato janë procese psikike që njihen dhe aty nuk ka asgjë për t’u shënuar, sipas meje. Ky pasion për të cilin më pyesni është i një moshe mendore të pjekur, sot ndjehem më e sigurtë në përcaktimin e tij. Kam kërkuar mendimin edhe të njerëzve që dinë të vlerësojnë artin e të shkruarit, që e njohin mirë këtë proces dhe me mënyrën si e kanë përshkruar stilin tim, më kanë dhënë  besim të vazhdoj.  Sot  kur shkruaj kam më shumë vetëbesim dhe kjo ndjesi është mjaft e mirë.

Kam nisur të shkruaj disa vite më parë  pas një kërkimi rastësor në Google  që i bëra emrit tim. Më kishte ndodhur që shpesh të gjeja artikuj të mitë në media që as nuk e dija se i  kishin botuar ose edhe më keq më kishte ndodhur të shihja ndonjë shkrim që mbante emrin tim, por që nuk ishte imi. Nisur nga këto, herë pas here e bëj këtë kontroll. Kështu rashë në kontakt me një hapësirë virtuale që mban emrin “Zemrashqiptare”. Aty dërgova një shkrim të parë dhe zbulova se kisha dhe lexues.  Falë lexuesve kuptova që çfarë shkruaja nuk kalonte pa interes dhe kjo më bindi që të vazhdoja me shkrime të tjera. Tashmë di që në këtë hapësirë i kam kaluar 160 artikujt dhe prej vitesh kam këndin tim mes editorialistëve.

Të shkruaj është edhe si një terapi  për mua: më ndihmon të shpreh shqetësimin për atë që shoh, të përcjell edhe tek të tjerët bukuritë e çasteve që përjetoj, të portretizoj me sa më vërtetësi profilet e individëve që i japin mjaft shoqërisë me personalitetin dhe profesionalizmin e tyre. Njëlloj si shkrimi edhe leximi, është mjaft i rëndësishëm. Shpesh ndjej keqardhje që nuk mund të lexoj letërsinë që dua, së cilës ja ndjej mungesën dhe nevojën. Pa letërsinë ndjehem si njeri i uritur apo me shpirtin bosh. Por në kushtet e një kohe që gjithmonë më duket se ushtron mbi mua presionin se nuk më mjafton, mjaftohem me leximet në fushën e interesit tim profesional deri sa të gjej një kohë të lirë për t’ju rikthyer letërsisë artistike.

CMG:  Çfarë rëndësie ka liria për ju?

Entela Binjaku: Liria për mua është e shenjtë, kam qenë gjithmonë luftarake për lirinë. E rëndësishme ka qenë të jem vetvetja. Segmenti i njeriut mbi tokë është i shkurtër ndaj nuk duhet të dalim nga vetja. Ka pasur momente që më kanë marrë edhe si mendjelehtë, sepse kam vendosur të fokusohem tek liria por në fakt unë kam luftuar shumë. Shpesh më ka dhembur edhe fakti që njerëzit që kam pasur afër nuk e kanë kuptuar këtë koncpet prej rrethanave shoqërore sepse edhe ata e ndiejne mungesën e lirisë.

CMG: Kujt do t’ia dedikoni suksesin ?

Entela Binjaku: Kjo është një pyetje që në fakt merr thuajse të njëjtat përgjigje pasi suksesi i dedikohet shpesh familjes, ndaj edhe për mua familja ka zënë dhe do vijojë të jetë gjithmonë në piedestalin e arsyeve se pse unë jam kjo që jam sot. Jam e lumtur dhe e bekuar që jam rrethuar me ta dhe kam pasur vazhdimisht mbështetjen dhe suportin e pakushtëzuar.

CMG: Cili do të ishte mesazhi më i mirë për të rinjtë?

Entela Binjaku: Do doja që të ishin të vërtetë në jetët e tyre, të bënin gjithnjë zgjedhjet që ata mendojnë si të drejta, pa u kushtëzuar nga të tjerët. Do të doja të mirëkuptonin të gjitha këto që kam shprehur apo që nuk i kam thënë. Nuk qenka e lehtë të flasësh për veten. Do t’u uroja të kenë në shtëpitë e tyre po atë dashuri, përkushtim, besim dhe mbështetje reciproke që kam pasur unë.

Intervistoi: Megi Latifi