Pekini paralajmëron Japoninë rreth ndërhyrjes në çështjet territoriale të Kinës
2023-04-11 14:41:22

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gjatë një mbledhjeje mbi çështjet detare të hënën, Pekini e paralajmëroi Tokion kundër shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës, veçanërisht lidhur me rajonin e Tajvanit të Kinës.

Kina dhe Japonia zhvilluan të hënën në Tokio raundin e 15-të të konsultimeve të nivelit të lartë mbi çështjet detare, mbledhja e tyre e parë e drejtpërdrejtë në kuadrin e këtij mekanizmi që nga viti 2019.

Mbledhja e bashkëdrejtua nga Hong Liang, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Çështjeve të Kufijve dhe të oqeanit të Ministrisë së Jashtme të Kinës, dhe Takehiro Funakoshi, drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Çështjeve Aziatike dhe Oqeanike të Ministrisë së jashtme japoneze.

Sipas një deklarate të publikuar nga pala kineze, gjatë mbledhjes, delegacioni kinez përsëriti qëndrimin e vet mbi problemet e Detit të Kinës Lindore, ishujve Diaoyu dhe Detit të Kinës Jugore, si edhe rreth çështjes së Tajvanit, duke pasur parasysh komentet e fundit negative të Japonisë lidhur me këto çështje.

Kina shprehu gjithashtu shqetësimin e saj lidhur me planin e Japonisë për të hedhur në oqean ujin e ndotur bërthamor, duke i kërkuar palës japoneze të marrë parasysh shqetësimet e ligjshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe ta trajtojë këtë çështje në mënyrë të hapur, transparente, shkencore e të sigurt, me një qëndrim të përgjegjshëm ndaj mjedisit detar dhe shëndetit të njerëzve.