Format e reja të punësimit zgjerojnë hapësirën për të rinjtë kinezë
2023-04-11 16:22:24

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në raportin e Kongresit të 20-të të PKK-së dhe në raportin e punës qeveritare të vitit 2023 është përmendur detyra kryesore e Kinës, “punësimi”. Në raportin e Kongresit të 20-të u theksua që “punësimi është mjeti bazë i jetesës së njerëzve” dhe se duhet “të mbështeten dhe të rregullohen format e reja të punësimit”. Në raportin e punës qeveritare për vitin 2023 u  kërkua që “të zbatohen hollësisht dhe konkretisht politikat e punësimit dhe t’i jepet një përparësi e dukshme punësimit të të rinjve, veçanërisht të të sapodiplomuarve në shkollat e larta”.

 

Me zhvillimin e shpejtë të ekonomisë së re në Kinë, format e reja të punësimit kanë nxitur lindjen e një numri të madh profesionesh të reja, duke zgjeruar më tej hapësirën e punësimit, veçanërisht për të rinjtë.

 

Tani format e reja të punësimit janë bërë një platformë e rëndësishme për shtimin e të ardhurave të punëtorëve kinezë, duke shtuar edhe numrin e atyre që ushtrojnë të ashtuquajturat “forma pune elastike”. Punët si postier i postës së shpejtë, promovues në internet dhe asistent për mësim në internet po parapëlqehen shumë dhe po zgjerohen shpejt ndër punëtorët, veçanërisht ata të rinj.

 

Ji Langlang kishte punuar më parë për shtatë vjet në fabrikë dhe, në vitin 2021, nisi punë si menaxher i burimeve njerëzore në një kompani për transmetime të drejtpërdrejta në internet. Tani ai ka krijuar bashkëpunim afatgjatë me 7 - 8 fabrika dhe të ardhurat e tij janë rritur nga 6 mijë në 20 mijë juanë në muaj.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ou Liping ka qenë përkthyese për tregtinë ndërkombëtare. Në vitin 2018, ajo u kthye në vendlindjen e vet në Guangdong dhe u bë menaxhere e një bujtine në fshat. Nga zbukurimet e dhomave deri në menaxhimin e përditshëm, ajo bashkë me familjen ka krijuar një biznes që parapëlqehet gjithnjë e më shumë nga turistët.

 

Për këtë punë të re, ajo shpreh një krenari të madhe, duke thënë që “kjo është puna që më  pëlqen të bëj dhe me të cilën mund të jap kontribut për zhvillimin e fshatit”.

 

Pak kohë më parë, Konfederata Mbarëkineze e Sindikatave (ACFTU) publikoi rezultatet e një sondazhi, ku vihet në dukje që tani, në Kinë, në format e reja e punësimit janë përfshirë 84 milionë veta, 21 % e numrit të përgjithshëm të të punësuarve.

 

Ndër të punësuarit në format e reja, të rinjtë zënë pjesën kryesore. Sipas gazetës “China Youth News”, ndër këta të rinj të punësuar në format e reja, 56 % kanë arsim të lartë, ndërsa të ardhurat mesatare të tyre janë 4704.49 juanë. Në këtë grup të punësuarish, dërguesit e ushqimeve, postierët e postës së shpejtë dhe kamionistët mund të marrin mesatarisht mbi 5 mijë juanë në muaj. Kjo shifër është më e lartë se e moshave të tjera.

 

Edhe pse të ardhurat janë më të larta, punonjësit me moshë të re kanë një veçanti të dukshme krahasuar me moshat e tjera: lëvizja e shpeshtë. Sipas “China Youth News”, të rinjtë ndryshojnë më shpesh punën e tyre se të tjerët. 19.5 % e tyre punojnë për më pak se 3 muaj, ndërsa 14.8 % për 3-6 muaj, përkatësisht 11.3 dhe 5.3 pikë përqindjeje më shumë se moshat e tjera. Ndërkohë, ata që punojnë 6-12 muaj janë 4 pikë përqindjeje më shumë se moshat e tjera. 51.1 % prej tyre punojnë për mbi 12 muaj, shumë më pak se 71.6 % që është shifra për moshat e tjera.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të rinjtë e punësuar në këto forma të reja janë të mendimit kryesisht që “koha më e lirë dhe më elastike” dhe “pagat sipas nivelit të punës dhe që rriten me vëllimin e punës” janë arsyet kryesore që ata kanë zgjedhur këto profesione të reja. Kjo është 15 % më shumë se shifra për moshat e tjera.

 

Ndër punonjësit me moshë të re, një pjesë e madhe janë të sapodiplomuar. Çdo vit, një numër i madh të rinjsh diplomohen dhe futen në tregun e punës, çka siguron forca të mjaftueshme pune për ndërmarrjet. Për të zgjeruar më tej hapësirën e punësimit dhe për të krijuar një lidhje më efektive ndërmjet forcave të punës dhe ndërmarrjeve, Ministria e Arsimit e Kinës ka nisur një program punësimi qysh nga fillimi i vitit, duke organizuar aktivitete promovuese në kampuset universitare. Deri në fund të marsit janë organizuar 67 mijë veprimtari të tilla, ku kanë marrë pjesë mbi 770 mijë ndërmarrje, të cilat kanë ofruar mbi 10 milionë informacione mbi vendet e punës.

 

Në Universitetin e Komunikacionit të Kinës Jugperëndimore, aktivitetet e rekrutimit zhvillohen drejtpërdrejt në zonën e konvikteve të shkollës dhe disa ndërmarrje madje janë futur brenda konvikteve për të siguruar lidhje më efektive me të rinjtë që po futen në tregun e punës.

 

Në veprimtarinë e rekrutimit të zhvilluar në Universitetin e Mjekësisë të Kinës Jugperëndimore, u tërhoqën mbi 320 ndërmarrje, të cilat ofruan mbi 10 mijë vende pune.

 

Një student që sapo nënshkroi kontratë pune tha: “Në kampusin e shkollës mund të gjejmë mundësi të shumta. Gjeta një vend pune afër vendlindjes sime dhe jam shumë i kënaqur.”

(Jiang Lei)