“Komshinjtë”, një komedi për bashkëjetesën
2023-04-11 15:10:11

Komshinjtë (Foto nga Instagrami)

Komshinjtë (Foto nga Instagrami)

Komedia “Komshinjtë” me producente Klea Huta dhe regjinë e skenarin nga Florjan Binaj, e vënë në skenë më 8 prill në teatrin e “Klea Huta Academy” do vihet në skenë çdo fundjavë, deri më 23 prill. Kjo komedi vjen në skenë pas një pune disa mujore të ekipit realizues, ku çdo person mund të gjëjë veten, ose komshiun. Në shfaqje  paraqiten 9 karaktere të ndryshme, të gjithë banorë të një pallati. Në këto role interpretojnë aktorë të rinj si Dario Zela, Dajana Nenaj, Klementina Kondi, Erni Tufa, Ajsi Çela e të tjerë. Komedia tregon se si kanë bashkëjetuar më pare komshinjtë dhe çfarë ndodh sot. Gjatë shfaqjes spektatori sheh ngjarje të përditshmërisë nëpërmjet të cilave pasqyrohet jeta në komunitet, vlerat dhe antivlerat e shoqërisë së sotme. “Komshinjtë”  mirëpret publikun t’i dhurojë të qeshura.

Aktorja Klea Huta (Foto Panorama)

Aktorja Klea Huta (Foto Panorama)

Në prononcimin e tij për mediat, regjisori dhe skenaristi i shfaqjes Florjan Binaj tregon për fabulën e saj: “Në përgjithësi është tema  e komshinjve që janë të njëjtë, por ndjehen të ndryshëm ose gjendja e tyre financiare u jep rëndësi. Për shembull; dikur ata që ishin të varfër jetonin në katet e para dhe ata më të pasurit të katet e larta, ndërsa tani ndodh e kundërta. Janë nëntë personazhe, të cilët janë banorë të këtij pallati të vogël parafabrikat, që është i fundit para se të fillojnë kullat e larta. Çfarëdo që bën njëri ndikon tek jeta, qetësia dhe mënyra e jetesës së tjetrit. Është një grua e moshuar e cila djemtë i ka në Angli dhe jeton vetëm me të ardhurat që i sjellin ata, një tjetër personazh është Dilaveri, i cili është pa punë dhe pret që të shembet ky pallat, sepse toka është e familjes së vet dhe synon të bëhet pronari i kullës”.

Aktori Florjan Binaj (Foto Sot)

Aktori Florjan Binaj (Foto Sot)

Aktorin e mirënjohur të humorit Florjan Bino e shohim për here të pare në rolin e skenaristit dhe regjisorit të shfaqjes. Për këtë ai shprehet:

 “Kur dikush luan një vepër e ka gjithçka të krijuar në kokë edhe personazhin, si lëviz, si ecën, si merr frymë, si vishet, si sillet, por në momentin që unë nuk luaj, aktorëvë u jap mendimet e mia se si e shoh unë skenarin, e më pas është detyra e aktorit, që t’i japë veshjen, ngjyrën, stilin e vet, sepse është aktori që do e shohë sipas mënyrës së tij”, thotë Binaj.

Momente  para shfaqjes (Foto nga instagrami)

Momente  para shfaqjes (Foto nga instagrami)

Nga e ka marrë këtë frymëzim skenaristi dhe regjisori i shfaqjes Florjan Binaj?

“Mjafton të flasësh me miqtë e shokët e t’i pyesësh se si shkojnë me komshinjtë dhe gjëja e parë që thonë janë ankesat. Në këtë shfaqje ka nëntë karaktere të ndryshëm, që po të ishin në situatën e sotme, nuk do të rrinin dot në një pallat. Por këta fillojnë e gjejnë harmoninë, gjejnë njëri-tjetrin, gjejnë vetveten. Një nga banorët është nënë Behija, e cila thurr një plan të hatashëm, ku të gjithë bien brenda. Me anë të këtij plani ajo jo vetëm që sjell dashurinë në çift mes Dilaverit dhe Teftës, por dhe qetësinë tek vajza e tyre. Të gjithë ato personazhe që hiqen si dikush tjetër, kërkojnë falje. Pra ajo i zbërthen të gjithë personazhet me një kurth shumë të lezetshëm”, bën të ditur ai.

Bashkë me banorët shqiptarë jeton në këtë pallat jeton dhe italiani, Fabrizio, i cili gjatë gjithë kohës vetëm ankohet.

Shfaqja jep mesazhin e rikthimit tek bashkëjetesa. Sipas regjisorit, ai e sheh si një rikthim në vlerat njerëzore. Ne edhe pse jemi të ndryshëm, mund të bashkëjetojmë shumë mirë. Si dikur ku në një shkallë ka pasur persona të niveleve dhe profesioneve të ndryshëm, por përsëri gjendej gjuha e përbashkët.

Sava Lena

Momentet e grimit para shfaqjes (Foto nga instagrami)

Momentet e grimit para shfaqjes (Foto nga instagrami)