Ministria e Jashtme kineze vlerëson rezultatet e vizitës së presidentit francez në Kinë
2023-04-11 14:17:47

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministria e Jashtme kineze vlerësoi vizitën shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë, duke vënë në dukje se krerët e shtetit të të dy vendeve arritën një sërë konsensusesh strategjike dhe të dy palët nënshkruan rreth 40 marrëveshje ndërqeveritare dhe kontrata biznesi në një sferë të gjerë fushash, përfshirë aviacionin, shkencën e teknologjinë, arsimin dhe bujqësinë.

Të dy krerët e shtetit ishin në një mendje që Kina e Franca janë në gjendje të mbajnë drejtimin e përgjithshëm të një partneriteti të gjithanshëm strategjik që është i qëndrueshëm, me dobi të ndërsjellë, me frymë sipërmarrëse e dinamik, dhe të nxisin së bashku paqen botërore, qëndrueshmërinë e zhvillimin, vuri në dukje të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin.

Duke përmendur një deklaratë të përbashkët të publikuar nga të dy vendet më 7 prill, Wang tha që të dy palët theksuan rëndësinë e mekanizmave të nivelit të lartë mbi dialogun strategjik, ekonomik e financiar dhe të shkëmbimeve njerëzore, për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh dhe ranë në një mendje të zhvillojnë një raund të ri takimesh në kuadrin e tre mekanizmave.

Të dy palët pranuan të thellojnë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë në fushat e aviacionit dhe hapësirës ajrore, bujqësisë dhe ushqimit, mbi bazën e epërsive përplotësuese të njëra-tjetrës, për të nxitur zhvillimin dhe rigjallërimin e të dy vendeve, tha zëdhënësi.

Ai shtoi që të dy palët do të mbështesin konceptet dhe nismat e njëri-tjetrit lidhur me multilateralizmin, do të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat globale si ndryshimi i klimës, ruajtja e biodiversitetit e siguria ushqimore, dhe do të përmirësojnë së bashku qeverisjen globale.

Të dy krerët e shtetit patën gjithashtu një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi krizën e Ukrainës dhe pranuan të vazhdojnë të forcojnë komunikimin e të luajnë një rol konstruktiv në nxitjen e bisedimeve të paqes e të një zgjidhjeje politike për krizën, tha Wang.