foto nga VCG
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Produkteve të Konsumit u hap të hënën në Haikou, kryeqendrën e provincës ishullore Hainan të Kinës Jugore. Kjo është e para ekspozitë e madhe ndërkombëtare që zhvillohet në Kinë pas pandemisë, duke tërhequr mbi 3 100 marka produktesh cilësore të konsumit nga 65 vende e rajone. Pjesëmarrësit kinezë dhe të huaj janë të mendimit që kjo ekspozitë u ofron ndërmarrjeve të mbarë globit rast për të përfituar nga zhvillimi i Kinës dhe se tregu kinez i konsumit do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë globale.
Si vend i ftuar nderi i këtij viti, Italia merr pjesë në këtë ekspozitë me marka bizhuterish, veshmbathjesh, syzesh, pajisjesh për prodhimin e akulloreve, motoçikletash etj. Numri i markave italiane pjesëmarrëse është dyfishuar në krahasim me edicionin e kaluar. Në ceremoninë e hapjes, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha:
“Jam krenare që Italia është vend i ftuar i nderit i kësaj veprimtarie të madhe sivjet. Jemi të mendimit se duhet të përpiqemi bashkërisht për nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike globale dhe për thellimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare Itali-Kinë".
Pavijoni i Italisë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit të Kinës në Haikou/ foto nga VCG
Ekspozita Ndërkombëtare e Produkteve të Konsumit është ekspozita e parë në rang kombëtar në Kinë me produktet cilësore të konsumit si temë kryesore, dhe është gjithashtu ekspozita e tillë me përmasën më të madhe në Azi-Paqësor. Ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao vuri në dukje të hënën se ky edicion i ekspozitës së produkteve të konsumit thekson më shumë karakterin e saj ndërkombëtar dhe shërben si një nyjë e rëndësishme për lidhjen e tregut të brendshëm kinez me atë ndërkombëtar.
“Kina zotëron një treg dhe potencial konsumi gjigant. Gjatë vitit 2022, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të produkteve të konsumit në Kinë arriti në 44 trilionë juanë, ndërkohë që vëllimi i importit të këtyre produkteve kapi vlerën 1.9 trilionë juanë. Nëpërmjet kësaj ekspozite, ndërmarrjet e vendeve e të rajoneve të ndryshme mund të lidhen shpejt me tregun kinez dhe të shfrytëzojnë rastet e zhvillimit të Kinës. Ekspozita përfshin edhe zonën e produkteve cilësore kineze, të cilat do të hyjnë në tregun ndërkombëtar ndërmjet blerësve pjesëmarrës në këtë ekspozitë," theksoi kreu i dikasterit kinez të tregtisë.
Pavijoni i Turqisë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit të Kinës në Haikou/ foto nga VCG
Grupi japonez "SHISEIDO" merr pjesë në këtë ekspozitë për herë të tretë. Përgjegjësi i këtij grupi për projektin e ekspozitës së konsumit, Chen Zhiji, tha: "Vihet re se produktet e reja të konsumit të paraqitura në këtë ekspozitë kanë qenë në rritje çdo vit, qoftë për sa i përket sasisë, cilësisë, apo edhe gamës. Kjo mishëron plotësisht rolin drejtues të kësaj ekspozite në rrymën e re të konsumit global dhe pasqyron gjithashtu forcën e madhe tërheqëse të tregut kinez.”
Gjatë tre vjetëve që prej fillimit të organizimit të kësaj ekspozite, në të janë integruar disa sektorë të shërbimeve moderne, si turizmi, kultura dhe konsumi, gjë që do të hedhë një bazë të fortë për ndërtimin e portit të tregtisë së lirë të Hainan-it, shtoi Chen-i.
Pasaporta për Ekspozitën Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit të Kinës në Haikou/ foto nga VCG
Sun Pan, partneri i degës në Kinë të grupit të konsulencës "Pricewaterhouse Coopers", vuri në dukje që, me zbutjen e ndikimeve të pandemisë, rimëkëmbja e ekonomisë kineze, dhe veçanërisht rimëkëmbja e konsumit në Kinë, me siguri do t'i japin impuls të ri ekonomisë botërore.
“Tregu i konsumit i Kinës është shumë i madh dhe në rritje shumë të shpejtë. Besojmë se ekonomia kineze, duke përfshirë konsumin, do ta gjallërojë dhe nxitë ekonominë botërore. Tregtimi i produkteve të konsumit do të nxitë qarkullimin e brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë kineze.” (Wang Lei/ Artan)