Kryebashkiaku Veliaj: Tirana, kryeqyteti më i pastër i rajonit
2023-04-11 11:25:26

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi planin strategjik të pastrimit të qytetit për 5 vitet e ardhshme, si vijim i bashkëpunimit të suksesshëm me Bashkinë e Veronës dhe kompaninë “Eco Tirana”.

Veliaj theksoi se Tirana është një nga qytetet më të pastra në Ballkan dhe u shpreh krenar se kjo vihet në dukje edhe nga të huajt e shumtë që vizitojnë kryeqytetin shqiptar, shkruan “ATSH”.

“Sot Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore. Kjo vjen falë njerëzve që punojnë orar pa orar, edhe në ditë pushimi. Ata sigurohen që çdo gjë të pastrohet në kohë rekord, e në 15 minuta Tirana kthehet në normalitet. Jam ndjerë vërtet krenar kur shumë delegacione të huaja, pavarësisht se flasin gjuhë të ndryshme, pavarësisht se vijnë nga vende të ndryshme, pavarësisht se vijnë për aktivitete të ndryshme, një gjë e thonë të gjithë njësoj: Tirana është kryeqyteti më i pastër që kanë qenë në këto vite”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se pastërtia e Tiranës është kartëvizita më e bukur e qytetit, sidomos për turistët e huaj që e vizitojnë atë çdo vit. (Irma)