Ish-këshilltari diplomatik bullgar: Vizita e Macron-it në Kinë, ndikim të thellë në marrëdhëniet evropiano-kineze
2023-04-11 14:31:22

foto nga CMG

Duke komentuar vizitën ditët e fundit të presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë, që ka tërhequr vëmendje globale, ish-këshilltari bullgar për politikën e jashtme Boyan Chukov tha se kjo vizitë e Macron-it lëshoi sinjale pozitive për zhvillimin e marrëdhënieve evropiano-kineze, duke treguar që Franca e Evropa i kushtojnë një rëndësi gjithnjë e më të madhe forcës ndikuese të Kinës në botë.

Gjatë një interviste ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Boyan Chukov vuri në dukje se kjo vizitë e Macron-it në Kinë integron shkëmbimet ekonomike, diplomatike dhe kulturore. Ajo dëshmon pavarësinë e politikës së jashtme të Francës dhe do të ushtrojë ndikime të thella mbi marrëdhëniet franko-kineze, e madje edhe ato evropiano-kineze. Ai theksoi gjithashtu që, teksa kriza e Ukrainës ka goditur rëndë ekonominë evropiane, potenciali ekonomik dhe forca ndikuese ndërkombëtare e Kinës janë fuqizuar dita-ditës. Për Francën dhe Evropën, zhvillimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor me Kinën është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm.

Chukov vuri në dukje gjithashtu që Kina i përmbahet parimit të respektit të ndërsjellë në trajtimin e marrëdhënieve me vendet e tjera, çka është në ndihmë të luajtjes prej saj të një roli konstruktiv në çështjet ndërkombëtare, duke i dhënë edhe shpresë bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen diplomatike të krizës së Ukrainës. Kjo vërtetohet nga vlerësimi i Macron-it gjatë vizitës së tij në Kinë për rolin e rëndësishëm të palës kineze në zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës. (Wang Lei/ Artan)