MPJ: Kina nuk është burimi i "grackës së borxheve" të vendeve afrikane
2023-04-11 14:45:49

foto nga

foto nga MPJ

Kina nuk është burimi i "grackës së borxheve" të vendeve afrikane, por partnere e vendeve në zhvillim, duke përfshirë ato afrikane, për shkëputjen nga "gracka e varfërisë". Kështu u shpreh të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin duke iu përgjigjur akuzave ndaj palës kineze nga funksionarë të lartë të ShBA-së dhe zyrtarë të Bankës Botërore (BB).

Kohët e fundit, një numër zyrtarësh amerikanë dhe të BB-së e kanë akuzuar Kinën mbi problemin e borxheve të vendeve afrikane, duke pretenduar që Kina është pengesa për pakësimin dhe anulimin e borxheve të vendeve afrikane e duke i kërkuar palës kineze të punojë më shumë për ristrukturimin e borxheve të vendeve afrikane.

Wang Wenbin-i vuri në dukje se këto thënie janë krejtësisht të pabaza:

"Pala kineze i ka kushtuar rëndësi të madhe problemit të borxheve të vendeve afrikane dhe i ka ndihmuar aktivisht këto vende për përballimin e këtij problemi. Kina ka dhënë kontributin më të madh për zbatimin e nismës së G20-s për zbutjen e borxheve. Sipas rezultatit të fundit të Institutit Kërkimor mbi Kinën dhe Afrikën pranë Universitetit amerikan "Johns Hopkins", Kina ka marrë pjesë aktivisht në nismën e G20-s për zbutjen e borxheve, duke kontribuuar për 63 për qind të lehtësimit të borxheve. Në raportin e këtij instituti vihet në dukje që pala kineze kanë pasur komunikim të mirë me palët e tjera pjesëmarrëse dhe ka zbatuar në mënyrë efektive masat e zbutjes së borxheve, duke kryer me sukses detyrat e veta."

Zëdhënësi i MJK-së kineze theksoi më tej që Kina ka bërë përpjekje të vazhdueshme për përkrahjen e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendeve në zhvillim, duke përfshirë ato afrikane. Ajo ka zhvilluar bashkëpunimin për financim me vendet në zhvillim në bazë të parimit të barazisë dhe të leverdisë së ndërsjellë, dhe ka lehtësuar borxhet e këtyre vendeve me sa ka pasur mundësi.

Duke iu referuar raportit të BB-së, Wang vuri në dukje që, ndër borxhet e Afrikës, tre të katërtat janë ndaj institucioneve financiare shumëpalëshe dhe kredidhënësve komercialë, ndërkohë, borxhet ndaj BB-së dhe FMN-së përbëjnë 70 për qind të vëllimit të përgjithshëm të borxhit të dhënë nga institucionet financiare shumëpalëshe. ShBA-ja, si aksionarja më e madhe e BB-së dhe e FMN-së, dhe kapitalet financiare amerikane e evropiane, si kredidhënësit më të mëdhenj komercialë ndaj vendeve afrikane, duhet të mbajnë përgjegjësi për zgjidhjen e problemit të borxheve të Afrikës, shtoi zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Wang Lei/ Artan)