Paga mesatare në Shqipëri do të jetë 900 euro në vitin 2024
2023-04-11 14:51:38

Në një periudhë dyvjeçare paga mesatare në Shqipëri do të rritet në 900 euro, ose 102 mijë lekë. Këtë e deklaroi kryeministri Edi Rama në fund të muajit mars. Rritja e pagës mesatare nga 580 euro në 900 konsiderohet nga ekspertët si një vendim pozitiv, i domosdoshëm për të gjitha kategoritë e punës dhe strukturën e pagave në sektorin publik.

Në fund të marsit Kryeministri Edi Rama bëri me dije se në harkun kohor të dy viteve, qeveria synon rritjen e pagës mesatare në Shqipëri, në nivelin e 900 eurove ose 102 mijë lekë.

Sot, paga mesatare në vend, sipas INSTAT, është 66 mijë lekë ose 580 euro. Vendimi për të rritur pagën në administratën publike me 45 përqind nga niveli i tanishëm brenda dy viteve, është një vendim pozitiv, i pritur prej shumë kohësh, i domosdoshëm për të gjitha kategoritë e punës dhe strukturën e pagave në sektorin publik. Ai do të shërbejë edhe si nxitje për rritjen e mëtejshme të pagave edhe në sektorin privat.

Kryeministri Edi Rama (Foto Shqiptarja.com)

Kryeministri Edi Rama (Foto Shqiptarja.com)

Administrata publike punëson sot rreth 180 mijë punonjës, në sektorë si arsim publik, shëndetësi publike, administratë publike qendrore dhe vendore, në polici, ushtri, ndërmarrje shtetërore aksionere, etj.

Sektori privat, i cili jep më shumë se 80 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit, punëson më shumë se një milion e dyqind mijë punonjës në Shqipëri. Një pjesë e mirë e punonjësve në sektorin privat, rreth 40 përqind, janë të vetëpunësuar në bujqësi.

Kreu i qeverisë deklaroi se si fillim, paga mesatare do të rritet për një pjesë të punonjësve në disa sektorë të administratës publike, ndërsa brenda dy javëve, do të publikohet dhe plani i plotë në lidhje me pagat.

Niveli i pagave, më shumë se sa një politikë sociale, varet nga produktiviteti i ekonomisë dhe mundësitë financiare që ka vendi për të zbatuar një politikë të pagave më të larta minimale dhe mesatare.

Pagat (Foto Balkanweb)

Pagat (Foto Balkanweb)

Përpara disa ditësh, qeveria deklaroi se, nga 1 prilli 2023, do të rriste pagën minimale me 11%, nga 36 mijë lekë ose 315 euro në 40 mijë lekë ose 350 euro. Shtimi i ndjeshëm i pagës minimale do të shërbejë si presion pozitiv edhe për rritjen e pagës mesatare në ekonominë shqiptare.

Në Shqipëri, prej vitesh ka pasur një hendek lidhur me nivelin e pagave minimale dhe mesatare, krahasuar me vendet e rajonit, të afërta me nivelin e fuqisë blerëse të vendit tonë, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Në 9 vitet e fundit,  rritja ekonomike nuk ka arritur që të kthehet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, ndërkohë që të ardhurat për frymë vijojnë të mbeten, pas Kosovës, më të ulëtat në Europë, me 32% të mesatares europiane, sipas Eurostat. 

Paga mesatare bruto(pa taksat), është rritur ngadalë gjatë nëntë viteve të fundit. Nga 45.5 mijë lekë që ishte në vitin 2014, viti i parë që INSTAT raporton pagën mesatare, ajo arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-in, me një rritje të paindeksuar me inflacionin, prej 45 përqind.

Gjatë vitit 2022, pagat u rritën me shtim dyshifror, nga presioni i inflacionit të lartë dhe nga presioni i mungesës së punonjësve, me pothuajse të gjitha bizneset që raportonin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë, deri në nivele 55 mijë-60 mijë punonjës në kërkim.

Kuptohet se, ndërsa qeveria ka në dorë rritjen e pagës minimale, që e çoi në 40 mijë lekë, nga 1 prilli 2023, është tregu ai që e rrit pagën mesatare. Megjithatë, qeveria, me politikën e saj të shtimit të pagës mesatare në sektorin publik, mund të ushtrojë një presion pozitiv të rëndësishëm mbi sektorin privat, për ta rritur edhe ai pagën mesatare akoma dhe më shumë nga sa e ka shtuar vitin e fundit.

Premtimi i sotëm i qeverisë, që brenda dy vitesh paga mesatare do të shkojë në 102 mijë lekë, realisht e sjell këtë pagë në nivelin e pagës mesatare në dy sektorët me pagat të larta në vend, sektori i Informacionin dhe Komunikimit, që e ka pagën mesatare 103 mijë lekë në muaj dhe sektori i Aktiviteteve Financiare dhe Sigurimeve, pra sektori bankar, me pagë mesatare 106 mijë lekë në muaj.

Pagat mesatare në rajon (Foto Monitor)

Pagat mesatare në rajon (Foto Monitor)

Nga çdo këndvështrim, vendimi i qeverisë i 29 marsit 2023 për rritjen e pagës mesatare në 900 euro brenda dy vjetësh, është vendim i shumëpritur, që do të mundësojë një politikë më strukturore në ekonominë dhe shoqërinë tonë, për të vlerësuar më shumë punën në raport me të ardhurat e tjera nga kapitali.

Fatos Çoçoli