“Veshur me diell, mbathur me hanë” promovohet antologjia e poezisë shqipe
2023-04-10 14:38:51

Autori i antologjise Rudolf Marku

Autori i antologjise Rudolf Marku

Vëllimi antologjik “Veshur me diell, mbathur me hanë” është titulli i librit të promovuar vetëm para pak ditësh në Tiranë. Libri është tashmë në duart e lexuesit, si një ftesë për të njohur historinë e poezisë shqipe nga shek i XXI –XX. Antologjia e përzgjedhur nga poeti Rudolf Marku ka si titull fjalët e shën Franceskut, që frymëzuan edhe vargun e Bogdanit, varg i cili tregon një lidhje të hershme të gjuhës shqipe me kulturën botërore. I rimarrë nga Dhiata e re, ky varg është komentuar gjatë nga Fan Noli, e më pas nga Kadare në disa raste për të treguar përkryerjen e shqipes. E të njëjtit ka edhe antologjia e poezisë moderne shqiptare, përzgjedhur me kujdes nga Rudolf Marku.

59 poetë janë përshirë në këtë antologji që tregon arritjet më të larta të poezisë shqipe, nga Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Zef Serembe, Asdreni, Fan Noli, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, deri tek Ismail Kadare, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Bardhyl Londo, Ndoc Gjetja, Martin Camaj, tek poetët e tranzicionit Preç Zogaj, Teodor Keko, Luljeta Lleshanaku, Flutura Açka, Rita Petro, për të përfunduar tek poetët bashkëkohës, që janë bërë të njohur edhe nga rrjetet sociale, si Gentiana Kore, Matilda Bashillari, etj.

Antologjia Veshur me diell mbathur me hane - foto QKL

Antologjia Veshur me diell mbathur me hane - foto QKL

Titulli i librit në fakt nuk ka kaluar pa marrë edhe komente kundërshtuese. Faqja e specializuar letrare Pasazhe të fjalës e akuzon Rudolf Markun se titulli është marrë nga Bibla e jo nga një varg i Pjetër  Bogdanit. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i autorit të librit, Rudolf Marku, i cili thotë se “Të akuzosh se Rudolfi ka përdorur Biblën nuk është e drejtë…unë nuk e kam shkruar vargun “Veshur me diell, mbathur me hanë. Ky është një varg i Pjetër Bogdanit”.

Ndërkohë studiues e kritikë të tjerë janë shprehur për librin. I tillë është studiuesi Sadik Bejko i cili shprehet se “përfshirja e të tilla modeleve, koncepsioneve, figuracioneve nga kultura biblike botërore, është në nderin e poezisë shqipe”.

Për studiuesin Besnik Mustafaj, suksesi i përzgjedhjes së poezive nga Rudolf Marku lidhet sidomos me sqimën e tij estetike.

“Erudicioni i tij, kultura e tij e përgjithshme, sidomos ajo letrare, më japin mua garanci se Rudolfi këtu ka zgjedhur poezi absulotisht cilësore”.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit, Alda Bardhyli jep konsideratën e saj të lartë për librin, duke komentuar pozitivisht vlerat e tij:

“Kjo antologji ngre lart poezinë shqipe, ajo është poezi e nivele jo vetëm evropiane, por do e quaja edhe botërore”.

Promovimi i librit- foto QKL

Promovimi i librit- foto QKL

450 vite poezi janë të përfshira në këtë antologji poetike, që vjen për lexuesit e botuar nga shtëpia botuese Mediaprint, një antologji e munguar, siç citohet në parathënien e librit të shkruar nga Gëzim Basha. Janë 59 auorët më të mirë të poezisë sonë, të përzgjedhura sipas autorit të librit Rudolf Marku.

Antologjia “Veshur me diell, mbathur me hanë”, me prirjen e saj të qartë për të nderuar traditën dhe kanonizuar avangardën, synon jo vetëm atë pakicë të publikut shqiptar, që ende e ndjek me vëmendje kultivimin e poezisë lirike në shqip, por edhe audiencën masive e më pak të informuar.

Mes poetësh dhe lexuesish të rinj, kjo antologji u promovua përmes diskutimesh dhe analizash interesante

Leximi i antologjisë “Veshur me diell, mbathur me hanë” duket se projekton ngadalshëm, por në mënyrë të plotë, dinamikën, kurbën e poezisë lirike në shqip, kohët kur janë shfaqur metaforat e freskëta dhe tropet e tjera inovative. Ky libër është një libër i çmuar, që vë në qendër të vëmendjes poezinë, në kohën kur duhet sikur nuk ka më një poxicion qëndror e nga ana tjetër e bën më të nevojshme se kurrë përkthin e tij në gjuhë të ndrsyhme të botës, për t’ua dëshmuar të gjithëve bukurinë e vargut tonë poetik.

Neritana Kraja