Besimtarët katolikë shqiptarë festuan pashkën
2023-04-10 09:54:36

Besimtarët katolikë kremtuan të dielën festën e pashkës, ringjalljen e Jezus Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin e festimeve për besimtarët katolikë, shkruan “ATSH”.

Festimet e pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që u mbajt në të gjitha kishat katolike dhe përfunduan me drekën tradicionale të së dielës.

Arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, imzot Arjan Dodaj, tha në mesazhin e tij se paqja nuk vjen nga konfliktet, por vetëm përmes dashurisë për njëri-tjetrin.

“Shqipëria me ringjalljen e Krishtit të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për të përballur emigrimin, por edhe numrin e ulët të lindjeve”,- tha imzot Dodaj

“Shpresa, dashuria dhe jeta e gëzueshme që përcjell fryma e pashkës bekoftë jetën e të gjithëve”, u shpreh presidenti i Republikës Bajram Begaj, në mesazhin drejtuar besimtarëve katolikë shqiptarë. (Fatosi)