Ceremonia e premierës së dokumentarit serial "Boshti Qendror i Pekinit"/ foto nga CMG
U shfaq ditët e fundit dokumentari serial "Boshti Qendror i Pekinit", i cili zhytet në historitë e qytetit të vjetër të Pekinit, duke treguar dhe zgjerimin e kryeqytetit kinez.
Në ceremoninë e premierës së dokumentarit, ekspertë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, profesionistë të medias dhe të ftuar të tjerë kinezë dhe të huaj, ndanë pikëpamjet e tyre mbi ndryshimet historike të Boshtit Qendror të Pekinit, që përbëhet nga shumë relikte kulturore në qytetin e lashtë dhe tani ndodhet në kulmin e fazës së fundit për aplikimin e statusit si Trashëgimi Botërore.
Dokumentari fillon nga krijimi dhe zhvillimi i Boshtit Qendror dhe pasqyron bazat e planifikimit të linjës gjatë disa shekujve. Ai prezanton edhe jetesën e qytetarëve të thjeshtë që banojnë përgjatë boshtit, duke u ofruar shikuesve një dritare për të njohur përpjekjet e kinezëve për një ardhme më të bukur.
Dokumentari serial përbëhet nga tre episode: Episodi i parë "Përjetshmëria" tregon origjinalitetin e boshtit, të bazuar në filozofinë kineze për qiellin dhe tokën; Episodi i dytë "Momentet" prezanton jetesën e shumëllojshme përgjatë boshtit, ndërmjet kujtimeve për të kaluarën dhe ndryshimeve që përjetohen sot; Episodi i tretë "Integrimi" tregon si boshti bëhet një urë që lidh Kinën me pjesë të tjera të botës dhe si përqafon ajo popujt me sfonde jo të ngjashme kulturore nga vende dhe rajone të ndryshme të botës.
Shen Pengfei, drejtori ekzekutiv i dokumentarit serial për Boshtin Qendror të Pekinit/ foto nga CMG
"Kërkojmë të përbashkëtat në grupet e ndryshme të njerëzve. Mendoj se njerëzimi ndan të njëjtën vlerë emocionale. Kemi kërkuar gjithmonë këtë vlerë të përbashkët, si dhembshuria e familjes, dashuria etj." - shtoi ai.
Ai vuri në dukje se boshti qendror është një lloj plani urban dhe shumë qytete në vende të tjera kanë gjëra të ngjashme. "Për shembull, dizenjimi urban i Parisit dhe i qyteteve të tjera të vendeve perëndimore janë rrezor. Kjo ndoshta ka të bëjë me sfondin e tyre kulturor. I ngjashëm me të, ideja që përmbahet në boshtin qendror të qyteteve kineze, është kuptimi i tyre për qiellin dhe tokën. Kjo është një mënyrë e kinezëve për njohjen e botës dhe të natyrës". Sheni shprehu besimin se shikuesit në mbarë botën do ndajnë emocione të përbashkëta dhe mund të zbulojnë historitë e dashurisë, jetën interesante, gastronominë dhe kulturën e mrekullueshme kineze në këtë dokumentar serial.
Santiago Barrio, fotograf spanjoll dhe një nga personazhet kryesore në dokumentarin serial për Boshtin Qendror të Pekinit/ foto nga CMG
Santiago Barrio, një fotograf spanjoll dhe një nga personazhet kryesore në dokumentar, i tha gazetarit të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) se dokumentari e nxit të mendojë për kuptimin e thellë të boshtit, jo vetëm nga këndvështrimi i strukturës së një qyteti të rëndësishëm. "Ai më kujton shumë rreth filozofive të Taoizmit dhe Budizmit, të cilat na ftojnë gjithmonë të ndjekim rrugën e mesme, që do të thotë të mos jetë në një ekstrem apo në një ekstrem tjetër. Të përpiqemi të jemi në linjën e mesme." – tha ai, duke shtuar se "gjëja më e mirë që mund t'u këshilloj shikuesve është të jenë mendjehapur dhe të harrojnë ato që dijnë dhe nuk dijnë. Të shikojnë dokumentarin dhe ta shijojnë atë".
Dokumentari u prodhua nga Radio Televizioni i Pekinit (BRTV). Ai do të transmetohet edhe në kanalet e huaja të CMG-së.
Pallati i Dimrit, pjesa përbërëse e Boshtit Qendror të Pekinit/ foto nga VCG
Boshti Qendror i Pekinit, me një gjatësi prej 7.8 kilometrash, niset nga porti Yongding në jug, duke kaluar nga porti Zhengyang, sheshi Tiananmen, Qyteti i Ndaluar (Pallati i Dimrit) dhe përfundon në Kullën e Daulleve dhe Kullën e Kambanës në veri. Ai ka qenë dëshmitar i kryeqytetit kinez qysh prej shekullit të 13-të dhe "është jo vetëm një mbartës fizik dhe përfaqësues i kujtimit të jetës urbane tradicionale, por edhe një peizazh qytetor ende plot gjallëri." – thuhet për të në Listën e Përkohshme të UNESCO-s.
Pas vështirësive qindravjeçare, Boshti Qendror i Pekinit po hyn në një kapitull të ri, kur Kina përgatitet për kërkimin e statusit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për këtë peizazh të lashtë urban.