Izraeli: Sulmet ajrore goditën objektivat siriane në përgjigje të lëshimeve të raketave
2023-04-10 10:56:19

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Avionët izraelitë goditën objektivat ushtarake siriane të dielën në përgjigje të raketave të lëshuara drejt territorit të kontrolluar nga Izraeli gjatë natës, njoftoi ushtria izraelite, ndërsa dhuna u ndez përsëri pas shkëmbimeve ndërkufitare të zjarrit gjatë javës, përcjell “CGTN”.

Media shtetërore në Siri raportoi shpërthime në afërsi të kryeqytetit Damask, pasi Izraeli njoftoi se forcat e tij vazhduan të godasin territorin sirian pasi gjashtë raketa u hodhën gjatë natës drejt Lartësive të Golanit.

Sipas Izraelit, sulmet me artileri dhe dron goditën raketat dhe u pasuan nga sulme ajrore kundër një kompleksi të ushtrisë siriane, sistemeve të radarëve ushtarakë dhe postave të artilerisë.

Ushtria izraelite e sheh shtetin e Sirisë përgjegjës për të gjitha aktivitetet që ndodhin brenda territorit të saj dhe nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të shkelur sovranitetin izraelit, njoftuan në një deklaratë Forcat e Mbrojtjes izraelite.

Ministria siriane e Mbrojtjes bëri të ditur se mbrojtja e saj ajrore i është përgjigjur sulmeve izraelite dhe ka kapur disa raketa izraelite. Sipas ministrisë, nuk kishte viktima, por vetëm dëme materiale të shkaktuara nga sulmet.

Sirenat kishin rënë më herët pranë qyteteve në lartësitë e Golanit ndërsa raketat u lëshuan nga territori sirian, por nuk u raportuan dëme apo viktima.

Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe aneksoi territorin prej 1200 km katrorë (460 milje katrorë) në vitin 1981, një veprim që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Sipas Ushtrisë, vetëm tre nga raketat kaluan në territorin e kontrolluar nga Izraeli, dy ranë në tokë të hapur dhe një u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Televizioni “Al Mayadeen”, me bazë në Liban, bëri të ditur se raketat u hodhën nga Brigadat Al-Quds, krahu i armatosur i lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez.

Të enjten, më shumë se 30 raketa u hodhën drejt Izraelit nga Libani jugor, duke tërhequr kundërsulme ndërkufitare nga Izraeli në vendet e lidhura me lëvizjen islamike Hamas në Liban dhe Gaza.

Shkëmbimet ndërkufitare erdhën në mes të tensioneve në rritje midis Izraelit dhe grupeve palestineze pas bastisjeve të policisë izraelite në ditët e fundit në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, gjë që shkaktoi zemërim në të gjithë botën arabe.

Izraeli njoftoi se të gjitha pikat e kalimit të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe Rripit të Gazës do të qëndrojnë të mbyllura deri të enjten për arsye sigurie.

Lejet e hyrjes në Izrael për qëllime pune ose për lutjet e Ramazanit në xhaminë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor gjatë kësaj periudhe do të anulohen, tha në një deklaratë ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, njofton “Xinhua”.

Sipas deklaratës, u vendos, pas një vlerësimi të situatës operacionale, që mbyllja, e planifikuar fillimisht të hiqet gjatë natës të shtunën, do të jetë në fuqi deri në fund të festës njëjavore hebraike të pashkës.

Gallant udhëzoi gjithashtu institucionin e mbrojtjes që të ndajnë më shumë burime dhe ushtarë për të zbatuar aktivitetet e policisë izraelite. (Fatosi)