
Gjithnjë e më shumë shtetas të huaj po kthehen në klientë të zakonshëm për agjencitë e pronave në Durrës, duke u bërë ndër blerësit kryesorë të apartamenteve në qytetin bregdetar, shkruan “RTSH”.
Burime nga agjencitë e pronave bëjnë të ditur se tashmë shtetasit rusë, ukrainas, polakë apo çekë janë klientë të zakonshëm.
Sipas ekspertëve, klientët e huaj ndjekin rrjetet sociale që lidhen me pronat në Shqipëri dhe kanë forume të përbashkëta ku diskutojnë për shumë detaje para se të marrin vendimin për blerje.
Një arsye tjetër se pse të huajt po investojnë në blerjen e pronave në Shqipëri është edhe fakti se çmimet në bregdetin e Durrësit janë më të lira krahasuar me rajonin.
Çmimet e apartamenteve buzë detit në Durrës kanë shkuar në 1200-1300 euro për metër katror, por në zona të tjerë të plazhit mund të gjenden apartamente edhe me 40-50 mijë euro dhe këto çmime janë shumë të leverdishme për shtetasit e huaj.
Blerësit e huaj zgjedhin të qëndrojnë për pak kohë në apartamentet që blejnë dhe më pas i japin me qira ditore me qëllimin për t’i shitur pas 4 ose 5 vitesh me çmim më të lartë. (Fatosi)
