Gjuha shqipe në Universitetin e Harvardit
2023-04-10 10:58:21

Studentët e Universitetit të Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë mundësi të zgjedhin të studiojnë gjuhën shqipe, pasi zyrtarisht ajo është pjesë e kurrikulave të gjuhës. Lajmi u bë i ditur nga “RTSH” ndërsa i referohet një postimi nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në rrjetet sociale.

“Këtë semester studentët e Universitetit të Harvardit mes gjuhëve të tjera do të kenë mundësi të studiojnë edhe gjuhën shqipe”,- shkruan MEPJ.

E konsideruar gjerësisht si një nga gjuhët më të vjetra në familjen e gjuhëve indo-europiane, e ndryshme dhe e vetmja përfaqësuese e një dege të veçantë të gjuhëve indo-europiane, gjuha shqipe mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane si në Universitetin shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në Dobbs Ferry, Nju Jork. Tashmë do të jetë edhe në Universitetin e Harvardit, shkruan MEPJ. (Fatosi)