Ditët e fundit, liderja e rajonit të Tajvanit të Kinës Tsai Ing-wen, gjatë udhëtimit “tranzit” në ShBA, u takua me disa kongresmenë amerikanë, duke përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy. Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), ky është një veprim tjetër provokues i Partisë Demokratike Progresive në bashkëpunim me forcat e huaja pro “pavarësisë së Tajvanit”, duke shkelur rëndë parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta Kinë-ShBA, duke dëmtuar rëndë sovranitetin e tërësinë territoriale të Kinës, duke ndikuar seriozisht në bazën politike të marrëdhënieve kino-amerikane dhe duke cenuar paqen dhe qëndrueshmërinë e ngushticës së Tajvanit.
Banorë tajvanezë në protestë kundër udhëtimit "tranzit" të Tsai Ing-wen-it(Foto:VCG)
“Forcat separatiste të 'pavarësisë së Tajvanit' janë kërcënimi më i madh për paqen e qëndrueshmërinë në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, të cilat dëmtojnë interesat e të dy brigjeve dhe të banorëve tajvanezë. Gjithnjë e më shumë bashkatdhetarë tajvanezë e kanë kuptuar qartë se përpjekjet e forcave separatiste nuk mund të realizohen dhe do të sjellin pasoja të rënda në ishull. Tani, rryma kryesore e opinionit publik në shoqërinë tajvaneze do paqe e jo luftë, do zhvillim e jo turbullira, do jetë të lumtur e jo vështirësi, do kontakte e jo izolim dhe do dialog e jo kundërvënie”, thuhet në koment.
Që kur Partia Demokratike Progresive erdhi në pushtet në vitin 2016, Tajvani ka humbur nëntë të ashtuquajtura “vende me lidhje diplomatike”, dhe tani mbeten vetëm 13 vende të tilla në botë. Synimi tjetër i udhëtimit të kësaj here të Tsai Ing-wenit, përveç gjetjes së ndihmës nga ShBA-ja, ishte konsolidimi i marrëdhënieve me këto vende përkatëse, por rezultati ishte krejtësisht i kundërt.
Për shembull, me t’u larguar nga Guatemala delegacioni i Tsai-t, erdhi menjëherë lajmi për paqëndrueshmërinë e marrëdhënieve ndërmjet të dy palëve. Ndërkohë, në fund të prillit, në Paraguai do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Kandidati i Partisë Liberale Radikale Autentike (PLRA) të opozitës Efraín Alegre është shprehur disa herë që, nëse zgjidhet, do të rishqyrtojë marrëdhëniet e vendit të tij me Tajvanin, duke mos përjashtuar mundësinë e “ndërprerjes” së marrëdhënieve zyrtare.
Tsai Ing-wen(Foto:VCG)
Sipas Grupit Mediatik të Kinës, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Hondurasin, 182 vende të botës kanë lidhje diplomatike me Kinën, gjë që tregon plotësisht se parimi i “Një Kine” është një normë bazë e njohur nga bashkësia ndërkombëtare, e cila përfaqëson drejtësinë, dëshirën e përbashkët dhe prirjen e kohës. “Besojmë se më shumë prej 13 vendeve e mbetura që kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, do të marrin vendimin e duhur,” thuhet në koment.
Autoritetet e Partisë Demokratike Progresive të Tajvanit nuk duan të pranojnë “Konsensusin e vitit 1992”, duke ngulur këmbë të mos braktisin programin e saj për “pavarësinë e Tajvanit”. Ato po shpejtojnë veprimet pro “pavarësisë kulturore e arsimore” e po pengojnë shkëmbimet normale ndërmjet dy brigjeve, duke qenë shkaktaret e situatës së tensionuar aktuale, vijon komenti.
“Pavarësia e Tajvanit” është kundër paqes së ngushticës. Rruga që po ndjek Partia Demokratike Progresive, është një rrugë pa krye. Tsai Ing-wen, që shfrytëzoi udhëtimin “tranzit” si pretekst, synon në të vërtetë “pavarësinë”. Veprime të tilla vetëm sa do ta çojnë Tajvanin në rrezikun e luftës, do të errësojnë zhvillimin ekonomiko-shoqëror të ishullit dhe do të sjellin pasoja të rënda për banorët vendorë.
Manovra ushtarake të forcave të armatosura të Kinës rreth Tajvanit pas udhëtimit "tranzit" të Tsai Ing-wenit(Foto:VCG)
Manovra ushtarake të forcave të armatosura të Kinës rreth Tajvanit pas udhëtimit "tranzit" të Tsai Ing-wenit(Foto:VCG)
“Tajvani që nga lashtësia ka qenë pjesë e territorit të Kinës. Pavarësisht nga ndërveprimet midis Partisë Demokratike Progresive dhe forcave të huaja, ky fakt nuk mund të ndryshojë. Separatistët po bëjnë përpjekje të kota dhe do të dështojnë. Populli kinez ka vullnet të palëkundur, besim të plotë e fuqi të madhe për të shkatërruar çdo orvatje pro ‘pavarësisë së Tajvanit’. Forcat separatiste që guxojnë ta provojnë, do të pësojnë vetëm goditje serioze,” përfundon komenti.(Zhang Yan/Artan)