“Çelësi i së sotmes”, skulpturë e Alfred Mirashi Milot vendoset në Napoli
2023-04-10 11:18:41

Artisti Alfred Mirashi Milot (facebook)

Alfred Mirashi Milot është një artist shqiptar shumë i njohur për veprat e tij në skulpturë. Ai është larguar nga Shqipëria në vitin 1991 dhe pas qëndrimit  për 10 vjet në qytetin e Milanos është transefuar në Firence. Artisti me origjinë shqiptare ka vendosur më 30 mars në Piazza Mercato, në Napoli, skulpturën e tij monumentale “Çelësi i së sotmes” në kuadrin e projektit “Çelësat e unitetit”, në bashkëpunim me Jean Wolfe nga Los Angeles. Ky projekt ambicioz u lançua me bujë të madhe në një prezantim publik në qytetin e Napolit. Skulptura gjigante e ekspozuar për herë të parë në Napoli do të jetë simboli i jetës, i rilindjes së një shoqërie të hapur ndaj gjithçkaje dhe ndaj dialogut. Në një intervistë telefonike për Radio Ejani Alfredi tregon për rrugëtimin e tij artistik, projektet e realizuara në disa vende të botës si dhe planet në të ardhmen.

Alfred Mirashi Milot me Ambasadorin e Kines Zhou Ding dhe Ministren e Kultures Eva Margariti (Facebook)

Alfred Mirashi Milot me Ambasadorin e Kines Zhou Ding dhe Ministren e Kultures Eva Margariti (Facebook)

CMG: Përshëndetje Alfred dha faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Alfred Mirashi Milot: Përshëndetje nga Firence dhe faleminderit për ftesën tuaj.

CMG: Si ju lindi pasioni për pikturën dhe skulpturën?

Alfred Mirashi Milot: Pasioni për pikturën dhe skulpturën ka lindur para shumë vitesh në qytezën e vogël ku unë kam lindur, në Milot të rrethit të Kurbinit kur studioja në shkollën 8 vjeçare. Ishte një profesor, i cili pa vizatimet e mia dhe i tha babait se unë kisha talent të mirë për të shkuar në liceun artistik. Në atë kohë më shtynte dhe kureshtja të realizoja portrete se kisha vite në Milot dhe daja im kishte një portret malësori me mustaqe dhe ishte një burrë zotni, që mua më dukej se e vizatoja shumë lehtë sepse kishte personalitet.

CMG: Ju jeni larguar nga Shqipëria në moshë të re shumë vite më përpara. Si erdhi largimi juaj dhe më pas integrimi në Itali?

Alfred Mirashi Milot: Largimi nga Shqipëria ishte me eksodin e vitit 1991, ku bashkëatdhetarë të mitë në atë vit u larguam dhe erdhëm në Itali. Ndoshta ishte dhe për ne diçka e fortë sepse erdhëm në Itali dhe filluam çdo gjë nga fillimi, pa ndihmën e familjarëve, por çdo gjë nga vetvetja.

CMG: Keni mjaft vlerësime dhe arritje profesionale në fushën e artit pamor në Firence. Cilat kanë qenë arritjet tuaja gjatë këtyre viteve?

Alfred Mirashi Milot: Unë kam studiuar në Milano ku kam jetuar për gati 10 vjet, pastaj jam transferuar në Firence ku jetoj me familjen time, dy fëmijët dhe bashkëshorten time nga Shkodra. Qyteti ku unë jetoj është qytet i artit dhe ëndrrat e mia sikur po realizohen dita ditës, jo vetëm në pikturë por edhe skulpturë, duke marrë pjesë nëpër bienale në shumë vende të botës si në Kinë, Angli dhe shumë ekspozita nëpër muze në Europë. Kur shikon arritjet të duket sikur harrohen dhe vuajtjet që kemi pasur përpara për të realizuar diçka.

CMG: Ju jeni afirmuar tashmë si artist bashkëkohor në një profil që i ka munguar pikturës dhe skulpturës shqiptare.

Alfred Mirashi Milot: Kemi shumë artista shqiptarë në Itali, Europë dhe SHBA, që me mund dhe djersë kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre. Ndoshta vepra ime është një vepër që ka një mesazh shumë të madh për shoqërinë e sotme dhe e kam vendosur në piacën historike në Napoli, ku ka bërë jehonë në media dhe për kritikën italiane. Unë kam shumë miq artistë të talentuar dhe është shumë mirë që bëjnë ekspozita në të gjithë muzetë e Europës.

Vepra e artit e skulptorit shqiptar vendosur ne Napoli (Facebook)

Vepra e artit e skulptorit shqiptar vendosur ne Napoli (Facebook)

CMG: Flasim për projektin tuaj të fundit “Çelësi i së sotmes” vendosur në Piazza Mercatto në Napoli. Si lindi ideja për këtë vepër arti?

Alfred Mirashi Milot: Kjo ide lindi duke bashkëpunuar me një kompani amerikane në Los Angeles. Ata më mbështetën sepse kemi një projekt të madh që quhet “Key of Unity”, ku do të vendos disa skulptura në SHBA, Australi dhe Kinë ku bota e sotme ka nevojë për dialog, dhe kjo lloj skulpture shërben për të treguar se shoqëria e sotme ka më shumë nevojë të jemi më të lidhur, të respektojmë njëri -tjetrin. Besoj se është vetëm fillimi i këtij mesazhi kaq të madh për botën e sotme.

CMG: Flasim për inagurimin e kësaj vepre arti dhe përshtypjet e vizitorëve kur e kanë parë këtë skulpturë në sheshin e Napolit.

Alfred Mirashi Milot: Në Napoli inagurimi ishte diçka e bukur, ku i gjithë sheshi ishte plot me njerëz dhe kryetari i komunës më falenderoi për veprën. Aty kishte shumë studentë të çdo moshe, që të gjithë mbetën të mahnitur nga vepra e madhe dhe mesazhi është i fortë sepse më prezantoi në Napoli shkrimtari i momentit në Itali Maurizzio De Giovanni. Gjithashtu ishte dhe ambasadorja shqiptare në Romë,  Anila Bitri dhe fjalët e saj i treguan të pranishmëve se si në Napoli kjo vepër ka lidhje dhe me heroin tonë kombëtar Skënderbeu, që kishte marrëdhënie shumë të mira me qytetin e Napolit.

CMG: Si erdhi pjesëmarrja juaj në Bienalen e Artit Kontemporan, që mbahet në Kinë?

Alfred Mirashi Milot: Unë kam më shumë se 10 vite që bashkëpunoj me Kinën sepse jam emëruar profesor në një nga universitetet  kineze dhe kjo bienale ka qenë e organizuar nga shteti kinez ku kanë marrë pjesë artistët më të mirë kontemporanë nga disa vende të botës. Unë kam prezantuar Shqipërinë me një pikturë, një vepër e vizatuar shumë herë në liceun tonë artistik në Durrës “Dea e Butrintit”. Shumë qytetarë kinezë mendonin sikur ishte vepër italiane dhe unë ju tregoja se ishte vepër shqiptare dhe ata ngelën të mahnitur nga historia e kombit tonë.

CMG: Para një viti jeni përzgjedhur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë në konkursin “Art në hapësiara publike” dhe vepra juaj do të vendoset në Han të Hotit. Si ndjeheni që jeni në mesin e artistëve të tjerë fitues të këtij konkursi?

Alfred Mirashi Milot: Vepra që kam fituar në Shqipëri në konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës ndoshta është ajo ëndrra ime për të vendosur një vepër në vendlindje dhe forma e çelësit ka formën e fluturimit të shqiponjës. Më kujtohet kur isha i vogël, se me origjinë jam nga Kelmendi dhe shikonim si fluturonte e lirë shqiponja dhe forma e fluturimit është edhe forma e çelësit. Ne jemi një popull që kur jemi jashtë shtetit i shprehim më mirë ambicjet tona personale në çdolloj fushe. Mua më ka kontaktuar Ministria e Kulturës dhe vepra do të vendoset në hyrje të Shkodrës sepse në Han të Hotit kur zbret nga Vermoshi është një urë shumë afër dhe kishte probleme me shikimin e autostradës nga ana e kontrollit rrugor. Eshtë vendosur që vepra të vendoset kur vjen nga Lezha në hyrje të Shkodrës, ku dhe aty do rrijë shumë bukur sepse qyteti i Shkodrës është dhe qyteti i paqes në Shqipëri, prandaj dhe çelësi është menduar si simbol i paqes.

Alfred Mirashi Milot me Ministren e Kultures Eva Margariti (Facebook)

Alfred Mirashi Milot me Ministren e Kultures Eva Margariti (Facebook)

CMG: Shumë gazeta prestigjoze kanë shkruar për veprat tuaja, duke vlerësuar punë dhe talentin tuaj.

Alfred Mirashi Milot: Ndoshta këto vijnë me një sakrificë aq të madhe saqë nuk është e lehtë të thuash si arrita, sepse në Itali në 10 veta 7 veta janë artista, ku arti ka shumë konkurencë dhe konkurenca në art është e pamëshirëshme. Të realizosh ëndrrat e tua në një vend ku e adhurojnë artin dhe ndoshta historia e botës ka më shumë se 50 për qind të artit në Itali, të duket sikur saktificat e mia i kam harruar me këtë energji që ndjej sot, kur shkruajnë gazetat më të mëdha në Europë, si La Repubblica, Corriere della Sera për mesazhin e madh që ju drejtojmë botës.

CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në të ardhmen?

Alfred Mirashi Milot: Besoj së shpejti do kthehem në Shqipëri për të realizuar veprën “Albanian Key”. Përpara pandemisë kam filluar dhe një projekt në Kinë ku do prezantoja Italinë për 50 vjetorin e bashkëpunimit midis Italisë dhe Kinës sepse unë jam dhe qytetar italian mbas 30 vitesh që jetoj në Itali. Gjithashtu kam dhe një vepër tjetër që do të vendoset në hyrje të qytetit Italian të Avellinos.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese

Alfred Mirashi Milot: Faleminderit dhe dëgjohemi përsëri ndoshta në projektin tjetër në Shqipëri, që do të vendoset në qytetin historik të Shkodrës.

Intervistoi: Gazmend Agaj