Monitorimi elektronik për konsumin e energjisë elektrike
2023-04-10 10:21:53


Matja e energjisë elektrike (Foto Monitor)

U miratua këto ditë nga qeveria shqiptare  vendimi për ngritjen e platformës elektronike të monitorimit dhe verifikimit të konsumit të energjisë elektrike. Sipas zëvendëskryeministres, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku bëri të ditur se kjo platformë do të jetë në funksion të Agjencisë për Eficiencën e Energjisë Elektrike dhe se do të monitorojë konsumin e energjisë elektrike në të gjithë sektorët dhe parametrat e eficiencës së energjisë.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritjen e platformës elektronike të monitorimit dhe verifikimit të konsumit të energjisë elektrike. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, bëri të ditur se kjo platformë do të jetë në funksion të Agjencisë për Eficiencën e Energjisë Elektrike dhe se do të monitorojë konsumin e energjisë elektrike në të gjithë sektorët dhe parametrat e eficiencës së energjisë, ku më pas do të hartohen politika dhe do të merren masa.

“Sot miratuam vendimin e platformës së monitorimit dhe verifikimi elektronik për eficencën e energjisë për të ndjekur konsumin e energjisë në të gjithë sektorët për të ndjekur parametrat e energjisë elektrike dhe për të arritur në rezultatin e masave që duhet të marrim më pas. Pra tashmë Agjencia e eficencës energjetike pas një periudhe më shumë se dy vitesh funksionimi të saj e përballur edhe me krizën energjetike të vitit të kaluar kur mbajti peshën kryesore për sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë për sa i përket konsumit dhe uljes së konsumit të energjisë, tashmë do të ketë një instrument elektronik që do të arrijë që më pas të ndërtojë më pas planet dhe strategjitë për eficencën energjetike në Shqipëri”- tha Balluku.

Po në fushën e energjisë u ndërmor edhe ndryshimi për përshpejtim më të shpejtë për certifikimin dhe aprovimin e lejeve që kërkohen nga subjektet private për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme.

“Një tjetër vendim që prek fushën energjetike është ai i ndryshimit e VKM 822 e njohur ndryshe si VKM e cila rregullon procedurat e ndërtimit të kapaciteteve të reja të energjike së rinovueshme që nuk janë objekt koncesioni i ndryshuar. Kjo VKM është një VKM që ka pasur disa herë ndryshime pasi sot fusha  energjetike ajo e prodhimit të energjisë elektrike është një fushë e konsoliduar dhe koha e kolaudimit të kësaj fushe po kalon duke bërë edhe rregullimet e fundit që do e bëjnë sektorin akoma më të fuqishëm në kuadrin ligjor dhe do na jap mundësinë ne pra të gjithë si agjenci dhe si ndërmarrje ashtu edhe ministri e infrastrukturës dhe energjisë për të qenë më të shpejtë për certifikimin dhe aprovimin e lejeve që kërkohen nga subjektet private për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme”- tha Balluku.

VKM e re gjithashtu  përcakton se aplikuesi privat për ndërtimin e parqeve fotovoltaike,  që në fazën fillestare duhet të dorëzojë dokumentacionin se ku do e ndërtojë parkun për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

“Konkretisht shtohet një dispozitë, e cila përcakton se dokumentacioni i pasurisë ku do të ndërtohet impianti duhet të paraqitet që në fazën fillestare të aplikimit që deri më sot aplikimi paraprakë nuk kërkonte që të kishim dëshmi të pasurisë që do të përdoret për ndërtimin e këtij impianti, qoftë kjo me qira apo pronësi, pra tokë e blerë apo tokë e marrë me qira. Ndërkohë që duke nisur nga zbardhja e ndryshimit në VKM 822 të gjitha aplikimet që do të vijnë për të ndërtuar parqe qofshin këto fotovoltaike apo eulike në të ardhmen, duhet patjetër që të dorëzohet edhe pronësia apo qiramarrja e tokës, pra aplikimi paraprak do të ketë një element i cili e vendos në kushte të sigurta për avancimin. Ajo që na ka sjellë në këtë vendimmarrje është pasi shpeshherë na ka ndodhur që aplikimet paraprake janë përdorur thjesht për tu mbajtur nga investitorët privat dhe për tu tregtuar pa pasur një plan të vërtetë për ndërtimin  Kjo është diçka që duhet të marrë fund dhe siç iu thashë tashmë energjia elektrike prodhimi, burimet e reja të rinovueshme të energjisë elektrike janë totalisht një fushë e konsoliduar kur nuk mund të bëhen më eksperimente”- u shpreh Zv.Kryeministrja.

Për ta bërë Shqipërinë një vend eksportues të energjisë elektrike, autoritetet duhet të garantojnë tregun. Ky është objektivi që po ndjek qeveria, teksa po përpiqet të diversifikojë burimet e energjisë. Gjatë vizitës në një park fotovoltaik në Fier, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zbuloi se qeveria Rama po negocion me Italinë për një linjë transmetimi nënujore, një projekt i përfolur edhe në  vitet 2010-2011.

Fatura Oshee (Foto Dosja.al)

“Qeveria shqiptare në vitin 2010 apo 2011 ka pasur jo vetëm negociata, por ka arritur deri në vendimmarrje mes operatorit të transmetimit shqiptar OST-së dhe operatorit të transmetimit italian terna. Por për arsye të pakuptueshme kjo marrëveshje u prish pasi nga pala shqiptare pati një ndërhyrje nga kompani private dhe pala italiane e kërkonte këtë marrëveshje si marrëveshje mes dy shteteve. Sot duke parë të gjithë shtimin e kapaciteteve prodhuese që kemi sidomos në ultësirën perëndimore, do të jetë shumë e nevojshme dhe do të jetë efikase dhe eficente financiarisht për prodhuesit shqiptarë që të transmetojnë direkt në Itali, pa përdorur linjën e Malit të Zi dhe më pas në Itali, duke krijuar kosto të mëdha. Jemi në fazat fillestare, pra asgjë nuk ka mbetur nga marrëveshja e pa firmosur e 2011-2012, kështu që jemi në fazat fillestare, por ka pozitivitet nga pala italiane dhe ka insistim nga pala shqiptare duke qenë se është në interes të njësive që po ngrihen sot në gjithë ultësirën perëndimore të energjisë së rinovueshme”- theksoi Balluku.

Balluku foli edhe për pagat, duke qëndruar në të njëjtën linjë me premtimet e Kryeministrit Edi Rama.