Adeja Kurteshi e ka nisur muzikën që e vogël dhe prej vitesh interpreton muzikë live me bandën e saj muzikore. Ka realizuar disa këngë të zhanrit rrok, të cilat janë mirëpritur mjaft mirë nga publiku që e ndjek gjithmonë. Adeja sapo ka publikuar dhe këngën e saj të re “Mrekulli” edhe në videoklip. Në intervistë për Radio Ejani ajo na rrëfen për fillimet në muzikë, dashurinë e saj për shkencat natyrore, muzikën dhe gazetarinë, gjithashtu edhe për materialin më të ri muzikor.
CMG: Përshëndetje Adeja! Suksese për këngën tënde më të re "Mrekulli". Na trego për këtë material të ri muzikor, si u krijua që nga fillimi dhe deri në finalizim?
Adeja Kurteshi: Përshëndetje të gjithë dëgjuesve të radios dhe faleminderit për urimet. Kënga ime që sapo e kam publikuar mban titullin “Mrekulli” dhe tashmë është publikuar në youtube, por edhe në kanale të ndryshme si Spotify, etj. Kjo këngë është realizuar nga profesionistë, muzikantë shumë të talentuar, tekstshkrues për këtë këngë është Zeqirja Bajrami, mësuesi im i kitarës ku kam ndjekur mësimet për katër vjet, orkestrimi i këngës, por edhe interpretimi në kitarë Reshat Beqiri, një muzikant mjaft i shquar nga Gjilani, regjistrimi i vokalit është kryer tek muzikanti Afrim Leka, i cili ka një studio fantastike dhe është intrumentist shumë i talentuar, ndërsa në bateri është paraqitur Florim Gerbavci, një koleg tjetër i imi me të cilin performojmë muzikë live mbrëmjeve. Montazhi dhe realizimi i videoklipit është punuar nga Gent Berisha, studio e të cilit quhet “Vepër studio” dhe dua ta falenderoj shumë për punën që ka bërë. Për këtë arsye nuk doja t’i hyja në hak asnjërit dhe doja që t’i falenderoja shumë pasi kanë dhënë më të mirën prej tyre, në mënyrë që ky projekt të dalë sa më mirë që të jetë e mundur. Unë këta persona të talentuar i mbaj afër vetes dhe kam disa vite që punoj me ta.
Të gjitha këngët i kam punuar me të njëjtit muzikantë, është po i njëjti tekstshkrues, i njëjti muzikant që ka kryer orkestrimet dhe ka luajtur në kitarë. Me të njëjtët artistë unë kam në plan që të realizoj edhe këngë të tjera, në mënyrë që të kemi një album me këngë shumë të suksesshme në vazhdimësi. Vera e kaluar ka qenë me shumë angazhime, fluks i madh i punës jo vetëm për muzikantët, por edhe për të gjitha profesionet e tjera. Për këtë arsye i falenderoj se kanë gjetur kohën për t’ju përkushtuar këtij projekti, që në fund të marrim komentet e mira, që ky realizim ka qenë “Mrekulli”i njëjtë si edhe titulli i këngës.
CMG: Për çfarë flet kënga "Mrekulli", cila është fabula e saj dhe çfarë keni dashur të shprehni ju me këtë këngë?
Adeja Kurteshi: Krijuesi i kësaj kënge, i teksteve dhe ideve aq të bukura është mësuesi im i kitarës, Zeqirja Bajrami dhe ato motivin kryesor kanë dashurinë. Unë nuk nguroj asnjëherë të punoj në realizimin e këtyre këngëve, pasi dashuria është një ndjenjë aq e bukur, e cila nuk shteron kurrë. Ka tematika të shumta, por mendoj se këngët e dashurisë asnjëherë nuk e humbin efektin e tyre, janë të pashtershme, ashtu siç është vetë dashuria që e mban njeriun të fortë dhe i sjell kaq kreativitet, si tekstet e këngëve të mia që janë shkruar nga profesori im. Besoj që në projektet e ardhshme motivi kryesor do të jetë sërish dashuria, në të gjitha format saj dhe do të vazhdojë të mbetet.
CMG: Në çfarë vendi janë zhvilluar xhirimet e videoklipit? Na trego ndonjë gjë të veçantë gjatë realizimit të tij?
Adeja Kurteshi: Videoklipin e këngës “Mrekulli” e kemi realizuar në “Kalanë e Artanës” në Kosovë, një momenument kulturës i cili daton që nga mesjeta dhe është e mbrojtur edhe nga Unesco. Të them të drejtën unë nuk kisha qenë asnjëherë në “Kalanë e Artanës” dhe kjo ishte hera e parë që e pashë nga afër këtë kala aq të bukur, që është krijuar nga dora e njëriut kohë parë dhe në të njëjtën kohë realizova edhe viodeoklipin e këngës . Ishte një eksperiencë shumë e bukur, kaluam mirë me të gjithë ekipin dhe do ja sugjeroja të gjithëve që vijnë në Kosovë, të kenë mundësinë që ta vizitojnë këtë kala.
Jam shumë e gëzuar që në këngët e mia të promovohen pasuri të tilla të vendit, nuk dua që mesazhi të vijë vetëm nëpërmjet teksteve, por gjithçka të jetë artistike dhe e mirëfilltë edhe nëpërmjet videoklipeve. Diçka tjetër që do të theksoja është se, ditën e xhirimeve ka mbatur një mot shumë i ftohtë, por kjo ka ndodhur sa herë që unë kam xhirimet e mia gjithmonë është erë shumë e fortë, gjithsesi videoklipi ka dalë shumë interesant dhe era e fortë që është e dukshme në video, e ka bërë videoklipin edhe më të bukur.
CMG: Kjo këngë i përket rrymës rrok. Është kjo rryma jote e preferuar?
Adeja Kurteshi: Kam parë që rryma e muzikës rrok është zbehur tek shqiptarët, kështu që unë po mundohem që të risjell në treg këtë zhanër kaq të bukur, që dikur është dëgjuar shumë nga gjeneratat e vjetra. Gjithsesi ka edhe të rinj sot për shembull edhe bashkëmoshatarët e mi, të cilët e dëgjojnë shumë këtë rrymë muzikore. Unë do të jem ajo që do sjell sërish diçka të bukur rreth këtij zhanri.
CMG: Ti interpreton live me bandën tënde muzikore në Gjilan. Sa kohë ke që këndon live dhe a ja ka vlejtur për t’u rritur profesionisht ?
Adeja Kurteshi: Kam performuar edhe më herët, por besoj që 2-3 vitet e fundit kam qenë edhe më shumë aktive në mbrëmjet live. Kam një grup prej tre anëtarësh, që do ta quaja të lezetshëm, profesori im i kitarës në kitarë, unë që këndoj dhe kolegu im Florimi luan në kajon. Një kuriozitet, shumë persona nuk kanë qenë të familjarizuar me kajonin dhe kur kanë parë që kur ulesh në një instrument të tillë katror dhe nxjerr tinguj, u është dukur shumë interesante dhe është pëlqyer shumë nga audienca dhe është bërë një atmosferë shumë e mirë. Pavarësisht nga rryma muzikore sa madhore është ajo, ka muzikantë të tjerë që u bashkangjiten dhe rritet grupi, por këta dy instrumentistë që përmenda unë, grupi i tyre quhet “Alfa Band”, unë Adeja që këndoj.
Ka pasur raste që ata kanë interpretuar me këngëtarë të tjerë gjithashtu edhe unë kam pasur raste që të interpretoj me muzikantë të tjerë, gjithmonë ekziston harmonia dhe bashkëpunimi me muzikantë të ndryshëm. Këto mbrëmje muzikore më kanë ndihmuar shumë dhe ja ka vlejtur secila prej tyre, kam krijuar një marrëdhënie me publikun dhe po ashtu kam përparuar në këndim dhe në këtë mënyrë edhe zëri fillon të piqet edhe më shumë. Të gjitha këto mbrëmje kanë një ndikim pozitiv dhe me kalimin e kohës mendoj se do të jem shumë më mirë.
CMG: Ti ke publikuar edhe këngë të tjera si ‘Kam limite unë’, ‘Sot ti kthehu’, ‘Ku je’, të cilat janë realizuar edhe me videoklip. Si është për ty të ecësh artistikisht në tregun muzikor shqiptar?
Adeja Kurteshi: Po unë kam edhe tre këngë të tjera. Është një përgjegjësi dhe një rrezik shumë i madh që të futesh në një treg me një konkurencë të madhe dhe me artistë kaq të talentuar. Por secili nga ne është unik dhe kemi të veçantat tona, kështu që edhe unë kam diçka timen, ndryshe që do e sjell në treg.
CMG: Në realizimin e materialeve muzikore, ti bashkëpunon me babain tënd. Si është bashkëpunimi në art brenda familjen?
Adeja Kurteshi: Babi është bashkëpunëtori im më i mirë, është ai që më ka shtyrë dhe më ka motivuar që të merrem me muzikë meqënëse ka qenë edhe dëshirë e tij e hershme që të merrej me muzikë dhe nuk e ka realizuar. Këtë dëshirë të tijën e kam trashëguar unë dhe është babi ai që më ka prezantuar me zhanrin e muzikës rrok që unë interpretoj. Unë gjithmonë këshillohem nga babi dhe ai ka dëshirë që unë një ditë të bëhem një artiste e madhe dhe të jap sa më shumë vlera për kulturën dhe muzikën. Ai është krenar për atë që jam duke bërë dhe që kam synim për të arrirë. Babai im është një tekstshkrues shumë i mirë edhe pse ende nuk kam asnjë tekst të tijin, por në këngët e ardhshme që do të publikoj, patjetër që do të kem të përfshira tekstet e babit.
CMG: Ti ke studiuar për Shkenca Natyrore, Gazetari, por edhe muzika është pjesë e pa ndarë e jetës tënde. CIla është dashuria jote më e madhe?
Adeja Kurteshi: E vërtetë është që e dua shumë, kam përfunduar gjimnazin e Shkencave Natyrore në Gjilan, aty jam njohur edhe me shkencën. Tani jam drejt rrugës për t’u bërë gazetare ku studioj për Komunikim masiv dhe Gazetari në Prishtinë, por çdo bindje e imja, çdo qëndrim është i bazuar, i krijuar duke u mbështetur në shkenca, në fakte shkencore të së vërtetës, e cila vërtetohet nëpërmjet shkencës, kështu që zgjedh që ta formësoj karakterin tim dhe çdo gjë tjetër bazuar në shkencë. Pavarësisht se jap kontributin tim nëpërmjet artit, unë nuk mund të veçoja se cilën do zgjidhja përpara, por që të dyja kanë një rol të veçantë dhe gjithmonë do zgjedh që të informoj dhe të edukoj veten nëpërmjet shkencës.
CMG: Si e sheh të ardhmen tënde, në cilin profil?
Adeja Kurteshi: Në të ardhmen e shoh veten si një gazetare dhe një artiste e suksesshme, pavarësisht se janë dy profile të ndryshme, unë mendoj se kanë dy pika të përbashkëta të cilat më ndihmojnë të përforcojnë njëra- tjetrën. Unë do punoj me mjaft përkushtim për të dyja profesionet, për të cilat besoj shumë se në të ardhmen do të jem aktive dhe do të shfaqem në skenë si një gazetare dhe si një artiste në të njëjtën kohë.
CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Adeja Kurteshi: Si një këngëtare dhe studente e re, kam plot synime, ëndrra dhe plane për të ardhmen. Sa i përket muzikës, vitet që vijnë do të sjellim projekte të reja edhe më të suksesshme, kurse nga studimet mezi pres që t’i futem gazetarisë, me gjithë përgjegjësitë dhe privilegjet që ka ky profesion.