Pse kryeministri spanjoll Sanshez pranoi planin kinez të paqes në Ukrainë?
2023-04-08 20:51:28

Kryeministri i Spanjës, Petro Sanshez, vizitoi javën e shkuar Republikën Popullore të Kinës. Ai u takua në Pekin me presidentin kinez, Xi Jinping. Ishte i pari kryeministër i një vendi europian që vizitoi Kinën pas shpalljes së planit dhjetë pikash të presidentit Xi në Moskë, për të rikthyer paqen në Ukrainë. Në fakt, Sanshez shfrytëzoi një ngjarje diplomatike për këtë vizitë. Në Pekin kreu i shtetit të Kinës dhe kreu i ekzekutivit të Spanjës festuan 50 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve.

F:Xinhua

Foto:Xinhua

Megjithatë vëmendjen e publikut nuk e mori ky pesëdhjetë vjetor. Përkundrazi, mediet dhe ndjekësit e politikës kineze në raport me atë europiane patën interes për të mësuar më shumë hollësi rreth asaj se çfarë ka ndodhur gjatë vizitës së presidentit kinez në Moskë dhe se cili është qëndrimi i Kinës rreth luftës ruso-ukrainase. Pyetja enigmë për shumë prej liderëve europianë është, nëse Kina po ndryshon kursin e saj ndaj kësaj lufte dhe për më keq akoma, ajo mund të furnizojë me armë ushtrinë ruse. 

Për këtë shkak Ursula von der Leyen dhe Emmanuel Macron u shprehën të gatshëm ta vizitojnë Pekinin dhe të takojnë zotin Xi. Një marrëdhënie ushtarake dhe ndihma kindeze për Rusinë në konfliktin e saj me Ukrainën shihet si goditje e rëndë e interesave euro-atlantike. Ky shqetësim u shpreh për herë të parë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Por edhe nga disa liderë europianë. Presidentja e Komisionit Europian von der Leyen u reagoi gjithashtu me nota nervozizmi. Për mua vizita e presidentit Xi në Moskë ishte një manovër politike me mesazhe për Perëndimin. Për t’u thënë se „Kina është aty“ dhe se ajo duhet respektuar!

Foto:VCG

Foto:VCG

Këtë mesazh duket se e ka kuptuar kryeministri spanjoll, i cili u soll ndryshe nga Brukseli. Ai u shpreh se përkrah projektin prej dhjetë pikash të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe pranoi një marrëdhënie normale me përfitime reciproke midis vendit të tij dhe Kinës. Madje tha se edhe marrëdhëniet kineze me Europën janë të dobishme e në interes të të dy palëve. 

Sanshez duket se gjatë kësaj vizite është sqaruar dhe mbajti një qëndrim pro këtij plani, si dhe ndërmjetësimit të zotit Xi. Kina me angazhimin e saj përpiqet të japë kontributin e saj për paqe.

Kryeministri Sanshez në fillim të takimit me presidentin Xi në sallën e Popullit në Tiananmen tha se ishte shumë i interesuar të dëgjonte pikëpamjen kineze mbi çështjet e strategjisë globale, si dhe pozicionin kinez lidhur me luftën në Ukrainë e veçmas për vizitën në Moskë. Lidhur me planin kinez të paqes, kreu i ekzekutivit spanjoll i kërkoi presidentit kinez që plani i propozuar të garantonte paqe afatgjatë dhe të bazohej në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Pasi ai u bind se ky plan paqeje në e për Ukrainën ka në themel të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin shtetëror dhe mbi këtë bazë garanton drejtësi dhe paqe afatgjatë, Sanshez deklaroi se e mbështet atë. Por a do të jenë në të njëjtën valë qëndrimi edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, veçmas Franca dhe Gjermania?! Vështirë të thuhet kjo, pasi që SHBA-të janë deklaruar kundër tij. Por shanset janë që shumë vende të BE-së ta marrin seriozisht planin kinez të paqes dhe ta mbështesin atë.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Është shumë lehtë ta nisësh një konflikt e një luftë midis shtetesh. Por është shumë, shumë e vështirë të bësh paqen midis tyre. Prandaj dhe plani kinez për paqen do të kalojë në disa etapa. Kina ka shansin që të dëshmojë autoritetin e saj, jo vetëm si Fuqi e Madhe, por edhe me vizionin për një botë stabile, në paqe e pa konflikte!