Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një takim jozyrtar me homologun e tij francez Emmanuel Macron në Guangzhou
2023-04-08 15:24:05

foto: Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një takim jozyrtar me homologun e tij francez Emmanuel Macron të premten në Guangzhou, kryeqyteti i provincës Guangdong në Kinën Jugore.

Xi përshëndeti ngrohtësisht vizitën e Macron në Guangzhou, duke shprehur kënaqësinë e madhe për ta takuar përsëri. Dy liderët shëtitën nëpër Kopshtin e Pishave pranë malit Baiyun, duke biseduar dhe shijuar peizazhin unik të kopshtit jugor kinez. Xi më pas e ftoi Macron për darkë.

Duke e informuar Macron mbi veçoritë dhe elementet thelbësore të modernizimit të stilit kinez, Xi vuri në dukje se Kina po avancon modernizimin kinez në një mënyrë të gjithanshme. Kjo është një teori dhe praktikë e modernizimit socialist me karakteristika kineze, e cila gradualisht ka ardhur në jetë përmes reformave të përsëritura, hapjes dhe zhvillimit inovativ. Ai përputhet me ligjet e përgjithshme të modernizimit dhe ka karakteristika unike.

foto: Xinhua

foto: Xinhua

Macron tha se miqësia e vërtetë do të thotë mirëkuptim dhe respekt reciprok. Ai tha se vendi i tij  vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Kinës që Franca dhe Evropa të jenë të pavarura dhe të bashkuara dhe është i gatshëm të punojë me Kinën për të respektuar interesat thelbësore respektive, si sovraniteti dhe integriteti territorial, hapja e tregjeve respektive dhe forcimi i bashkëpunimit teknologjik e industrial, si dhe bashkëpunimi në inteligjencën artificiale, për të ndihmuar njëri-tjetrin për të arritur zhvillim dhe prosperitet.

Në lidhje me krizën e Ukrainës, Xi vuri në dukje se shkaku i saj është kompleks dhe një krizë e zgjatur nuk i shërben interesave të askujt. Ai tha se një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur do t'i shërbente interesave të të gjitha palëve dhe një zgjidhje politike është e vetmja gjë e saktë.

Kina nuk do ta trajtojë kurrë çështjen e Ukrainës për interesa egoiste, por gjithmonë qëndron për drejtësi. Të gjitha palët përkatëse duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të krijuar kushte për një zgjidhje politike, u shpreh Xi.

foto: VCG

foto: VCG

Kina mirëpret propozimin konkret të Francës për një zgjidhje politike të krizës dhe është e gatshme ta mbështesë atë dhe të luajë një rol konstruktiv, shtoi Xi.

Macron tha se Franca gjithashtu beson se një zgjidhje politike e krizës në Ukrainë duhet të marrë parasysh shqetësimet legjitime të të gjitha palëve. Franca i kushton rëndësi të madhe ndikimit ndërkombëtar të Kinës dhe është e gatshme të punojë ngushtë me të për të lehtësuar një zgjidhje sa më të shpejtë politike të krizës.

Macron tha se vizita e tij në Kinë ishte e suksesshme dhe shpërblyese, e cila do të nxisë marrëdhëniet dypalëshe drejt zhvillimit më të madh. Ai tha se është i gatshëm të mbajë një komunikim të ngushtë strategjik me presidentin Xi dhe e mirëprit presidentin Xi të vizitojë Francën vitin e ardhshëm. (Zhan Dian/Edmond Laçi)