Afrim Muçiqi është këngëtar i njohur i muzikës popullore nga Kosova, dhe ai muzikën e ka të trashëguar nga familja e tij. Afrimi numëron me qindra këngë të publikuara dhe dhjetra albume të muzikës popullore të clat janë prituar mjaft mirë nga adhuruesit e tij. Gjatë karrierës së tij artistike ai ka bashkëpunuar me këngëtarët më në zë të muzikës popullore shqiptare si dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike në gjithë vendet ku jetojnë shqiptarët. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e tij me muzikën popullore, aktivitetet e zhvilluara si dhe projektet në të ardhmen.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën popullore?
Afrim Muçiqi: Rrugëtimi im me muzikën ka nisur me dashuri dhe me mund të madh dhe sakrificë, që nga bankat e shkollës fillore “Naim Frashëri” të asaj kohe dhe deri në ditët e sotme. Eshtë një karrierë disa vjeçare që unë e kujtoj me mall.
CMG: Ju e keni të trashëguar këngën nga familja juaj?
Afrim Muçiqi: Në fakt familja Muçiqi është e njohur në trevën e Llapit në Kosovë, ku ka pasur këngëtarë të shquar të asaj kohe. Pastaj edhe ne të rinjtë e kemi trashëguar brez pas brezi. Unë e kam trashëguar nga babai, gjyshi, katragjyshi im dhe shumë të afërm. Kështu që muzika është një traditë në familjen tonë.
CMG: Jeni nga këngëtarët e preferuar për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Si ka ardhur ky sukses i madh i juaji ndër vite?
Afrim Muçiqi: Unë mendoj se suksesi të cilin e përcjell një artist në karrierën e tij është besnikëria dhe përkushtimi ndaj atyre që të adhurojnë. E them këtë gjë me plot përgjegjësi dhe sinqeritet për arsye se rrugëtimi im ka qenë që nga dita e parë dhe deri në ditën e sotme besnik ndaj atyre që më duan dhe adhurojnë. Gjithashtu shpërblimi i publikut për një artist është besnikëria dhe gjithmonë të jesh korrekt ndaj tyre në paraqitje dhe në anën skenike, po ashtu dhe në përcjelljen e këngëve që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë mbarëkombëtare. Mendoj që ai është një sukses, i cili nuk mund të largojë nga shtëpitë e çdo shqiptari apo shtëpitë e çdo bashkatdhetari tonë që jeton në gjithë globin, duke përfshirë të gjithë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Ulqin, Malësi dhe Çamëri dhe kudo që flitet shqip. Eshtë kënaqësi që në këto vite zëri ynë të dëgjohet në shtëpitë e tyre. Unë mendoj se ky është suksesi më i madh dhe është një nder të respektosh çdo familje kur të pranojnë në vatrat e tyre.
CMG: Jeni mjaft i kërkuar në aktivitete dhe gëzime familjare në çdo vend ku jetojnë shqiptarët. Si ka qenë për ju sezoni i gëzimeve familjare në përgjithësi dhe si e prisni sezonin e këtij viti?
Afrim Muçiqi: Kemi pasur probleme të jashtëzakonshme sidomos në kohën e pandemisë dhe tani jemi akoma në rikuperim të prenotimeve që njerëzit i kanë bërë para pandemisë dhe dalëngadalë po vjen duke u stabilizuar. Kjo verë që po vjen është e mbushur plot me ahengje familjare kudo në botë ku jetojnë shqiptarët.
CMG: Keni realizuar shumë këngë popullore dhe albume muzikore ndër vite, por cilën prej këngëve tuaja do të veçoni si më të suksesshmen?
Afrim Muçiqi: Kjo është pyetja më e vështirë që më bëhet sepse të gjitha këngët janë të mira, por unë do të veçoja këngën “Dadush”, të cilën e ka mirëpritur publiku dhe mendoj se është fillim i një karriere të bujshme timen, e cila po më pëlqen për gati 30 vite. Eshtë një këngë që ka bërë bujë dhe e ka dashur publiku, këngë e cila dëgjohet edhe sot, duke mos i anashkaluar edhe qindra e mijëra këngë të tjera, që në mënyrë të ndershme dhe me fanatizëm i kemi ruajtur dhe ja kemi përcjellë brezave. Kemi realizuar këngë të cilat do të mbesin përgjithmonë në arkivin e këngëve popullore shqiptare.
CMG: Si ndjeheni kur këngëtarët e rinj intrepretojnë këngën “Dadush”?
Afrim Muçiqi: Është kënaqësi sepse me këtë gjë mburrem unë, tekstshkruesi dhe kompozitori i këngës. Mendoj se është kënaqësi dhe respekt sepse me atë vërtetohesh që është një vlerë dhe nuk është këngë sezonale, por po mbijeton për tre dekada.
CMG: Cilat kanë qenë bashkëpunimet tuaja me këngëtarët e tjerë?
Afrim Muçiqi: Në fakt jam ndër të rrallët këngëtarë që kam bërë bashkëpunime me këngëtarë të të gjitha moshave, duke nisur nga këngëtarët e repit në Kosovë, këngëtarë që janë të njohur në mbarë estradën mbarëkombëtare. Bashkëpunime me shumë kolegë dhe kolege të nderuara kam pasur që në moshë të re me këngëtaren e ndjerë Fitnete Rexha, me Ema Qazimin si dhe për herë të parë kam sjellë në Kosovë Aurela Gaçen e cila ka performuar me ne. Ka qenë bashkëpunimi me këngëtarin e ndjerë Ismet Peja dhe me emra, të cilët edhe sot janë të pavdekëshëm të muzikës shqiptare.
CMG: Para pak kohësh ju morët pjesë te “Sofra Tiranase” në Tiranë. Si u ndjetë në skenë përballë publikut të zjarrtë tiranas?
Afrim Muçiqi: Kjo është pjesa më e ndritshme dhe më e mirë e karrierës time për arsye se ka vite që kam qenë i ftuar, mirëpo për arsye të axhendës time të ngarkuar më në fund isha shumë i lumtur që mu realizua ajo dëshirë dhe ëndërr që të këndoj në një ambient fantastik dhe në një event që për 27 vite e ruan me fanatizëm të jashtëzakonshëm këngën popullore të Shqipërisë së mesme, me një publik fantastik që do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës time. Ajo ka qenë një ditë shumë e veçantë e karrierës sime dhe me kënaqësi e pranova ftesën, duke qenë shumë i nderuar. Njerëzit e duan muzikën popullore dhe ne jemi popull që nuk guxojmë ta harrojmë traditën tonë kombëtare dhe mendoj se ajo është një thesar shumë i çmuar dhe i vlefshëm i kulturës mbarë kombëtare.
CMG: Duke ditur që jeni mjaft i dashur dhe për publikun e Shqipërisë, do të kishit dëshirë të realizonit një koncert recital në Tiranë?
Afrim Muçiqi: Mos vdeksha pa e realizuar edhe këtë ëndërr! Unë sidomos për publikun shqiptar në Tiranë të cilët e ruajnë me aq fanatizëm ato vlera të atyre këngëve. Ju them publikisht që edhe për pesë ditë rresht nuk përtoj, por me zemër dhe me shpirt do ta bëj, duke ju premtuar që në një kohë shumë të shkurtër do të përdor të gjitha forcat e mia me të gjithë kolegët në mbarë Shqipërinë dhe sidomos në Tiranë ta realizoj një koncert recital. Do të zbraz atë që mu ka mbledhur prej disa vitesh në shpirtin tim për gjithë adhuruesit e mi si dhe adhuruesit e këngës së Shqipërisë së mesme për të performuar në Tiranë.
CMG: Keni ndonjë këshillë për këngëtarët e rinj të muzikës popullore?
Afrim Muçiqi: Absolutisht që po, kam një këshillë të cilën e kam thënë disa herë që ta ruajnë traditën tonë kombëtare. Unë nuk jam kundër këngëve të reja dhe nuk jam kundër asnjë zhanri muzikor sepse muzika nuk njeh kombësi, por që me muzikën tonë nuk ka asgjëkundi në botë dhe nuk ka këngë më të bukura se këngët shqiptare. Mendoj se disa këngëtarë të rinj të cilët kanë zë të bukur, nuk e di pse nuk e kultivojnë muzikën shqipe. Gjithashtu ju them këngëtarëve të muzikës popullore që të kenë kujdes në paraqitjen skenike sepse ajo është e shenjtë. Nuk mund të shkosh me xhinse të grisura në dasëm apo në koncert, por duhet të kesh kodin e veshjes, i cili është elementi kryesor në paraqtijen skenike përpos elementeve të tjera. Kështu që porosia ime pas më shumë se 30 viteve dhe deri në frymën e fundit të jetës time është të këndojmë këngën e pastër shqipe sepse është pasuri mbarëkombëtare. Nuk na e lejon etika shpirtërore dhe artistike që ne ta bastardojmë këngën e bukur shqipe sepse e kemi parë këto vite që mos të ishte kënga e bukur shqiptare nuk do ishte ai publik në Pallatin e Kongrseve. Unë të garantoj që nëse do të mbahet çdo javë koncert në Pallatin e Kongreseve, jam i bindur që ajo sallë do të jetë plot sepse njerëzit i duan dhe e dinë pse i duan këngët tona. Ne identifikohemi si komb me këngët e mirëfillta shqiptare.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Afrim Muçiqi: Me producentin i cili i bën këngët për mua më së miri, me këngët e Shqipërisë së mesme me Gezimin para pak ditësh kam biseduar që deri në fund të majit kam bërë për veten time 10 këngë të Shqipërisë së mesme, të cilat do t’i përpunoj dhe publikoj. Pastaj do të realizoj dhe një album me grupin tim “Yjet” këtu në Kosovë, duke i përfshirë të gjitha trevat.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Afrim Muçiqi: Së pari do t’i uroja të gjithë besimtarëve të fesë islame këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, atyre që agjërojnë. Gjithashtu dua të përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, gjithë fansat e mi kudo që janë. Unë përgëzoj radion tuaj dhe të gjithë ato njerëz që po punojnë në këtë drejtim, që të ruhet kënga e mirëfilltë popullore shqiptare. Ju uroj shumë shëndet dhe të dëgjojmë më shumë muzikë shqiptare.