Të enjten, liderja e rajonit të Tajvanit të Kinës, Tsai Ing-wen, gjatë udhëtimit “tranzit” në ShBA, u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan Kevin McCarthy. Për këtë, reaguan kategorikisht katër institucione shtetërore të Kinës, duke përfshirë organin suprem ligjvënës, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Zyrën e Çështjeve të Tajvanit të Partisë Komuniste të Kinës.
Komisioni i Punëve të Jashtme i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, organi më i lartë ligjvënës i vendit, publikoi të enjten një deklaratë si reagim ndaj takimit ndërmjet anëtarëve të Kongresit amerikan, duke përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, dhe lideres së provincës së Tajvanit në ShBA.
“Më 6 prill, duke shpërfillur kundërshtimin e fortë dhe demarshet solemne të Kinës, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Kevin McCarthy dhe anëtarë të tjerë të Kongresit amerikan u takuan me Tsai Ing-wen-in, që është në një udhëtim "tranzit" nëpër Shtetet e Bashkuara. Kjo ka shkelur ashpër parimin e “Një Kine” dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, ka cenuar seriozisht ligjin ndërkombëtar e normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka dëmtuar rëndë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës. Për këtë, Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës shpreh kundërshtim të vendosur dhe dënim kategorik”, thekson deklarata.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze komentoi se: “Akte të tilla kanë shkelur seriozisht parimin e "Një Kine" dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, kanë cenuar seriozisht sovranitetin e integritetin territorial të Kinës dhe u kanë dërguar sinjale seriozisht të gabuara forcave separatiste për "pavarësinë e Tajvanit". Kina i kundërshton dhe i dënon ashpër këto akte.
Gjithashtu, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës duke komentuar lidhur me udhëtimin "tranzit" të lideres së Tajvanit Tsai Ing-wen nëpërmjet Shteteve të Bashkuara u shpreh se Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës do të përmbushë përgjegjësinë e misionin e vet dhe do të qëndrojë gjithmonë në gatishmëri të lartë dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, si edhe paqen e qëndrueshmërinë në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit.