Kina, e gatshme të rifillojë shkëmbimet në të gjitha nivelet me BE-në
2023-04-07 21:08:36

Kryeministri kinez Li Qiang u shpreh të enjten që Kina është e gatshme të rifillojë shkëmbimet në të gjitha nivelet me Bashkimin Evropian (BE).

Kreu i qeverisë kineze i tha këto gjatë takimit në Pekin me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Li Qiang theksoi që Kina gjithmonë i trajton dhe i zhvillon marrëdhëniet e saj me BE-në nga këndvështrimi strategjik e afatgjatë, përkrah integrimin dhe pavarësinë strategjike të Europës dhe mbështet luajtjen e një roli aktiv në çështjet ndërkombëtare nga BE-ja.

Të dy palët duhet të angazhohen në marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik, të respektojnë njëra-tjetrën dhe të zhvillojnë bashkëpunim me përfitime të përbashkëta, për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE, duke i sjellë paqes e lulëzimit botëror më shumë besim dhe energji, tha Li.

Kryeministri kinez theksoi në vijim që Kina dhe BE ndajnë një gamë të gjerë interesash të përbashkët, si edhe kanë qëndrueshmëri e potencial të madh për bashkëpunimin dypalësh. Kina është e angazhuar për thellimin e reformës dhe të hapjes me botën e jashtme, duke nxitur zhvillimin me cilësi të lartë. Kjo do t’u ofrojë sipërmarrjeve evropiane e të vendeve të tjera një hapësirë të gjerë zhvillimi.

Li Qiang-u shtoi se Kina është e gatshme të punojë me BE-në që, me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE, të rinisë shkëmbimet dypalëshe në të gjitha nivelet.

Nga ana e saj, shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vuri në dukje që Kina është shumë e rëndësishme për BE-në dhe interesat dypalësh janë të ndërlidhur ngushtë.

BE-ja është e gatshme të punojë me Kinën për të forcuar dialogun ekonomik e tregtar të nivelit të lartë, për t’i mbajtur tregjet të hapur për njëri-tjetrin, për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në fushat e ekonomisë e të tregtisë, ushqimit, mjekësisë, të zhvillimit të gjelbër, të mbrojtjes së pronësisë intelektuale etj., duke e drejtuar bashkësinë ndërkombëtare në përballimin e përbashkët të ndryshimeve klimatike dhe të sfidave të tjera, tha ajo. (Fani)