Një “tranzit” që nxit vetëm trazira
2023-04-07 18:36:18

Në një kohë kur problemet me të cilat përballet bota po bëhen më të mprehta dhe më të komplikuara se kurrë, marrëdhëniet kino-amerikane po bëhen gjithnjë e më të tensionuara. Në fillim prilli, liderja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, vendosi të kalojë tranzit nëpër ShBA gjatë vizitës së saj në Guatemalë dhe Belizë, në Amerikën Qendrore, dhe ky veprim ka ngjallur zemërim të thellë në Kinë dhe jo vetëm.

Në qëndrimin e  saj në Nju Jork ajo vizitoi Institutin Hudson dhe mori “Çmimin e Lidershipit Global”. Por, pjesa më e diskutueshme është takimi më i lartë me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, pasardhësi i Nancy Pelosi e cila vizitoi Tajvanin gushtin e kaluar, duke e përdorur si karem për interesa të brendshme.

VCG

VCG

Kjo lëvizje shihet nga Pekini si një provokim ndaj sovranitetit të Kinës edhe sepse kjo është hera e shtatë e të ashtuquajturave tranzit nëpër ShBA si lidere rajonale e Tajvanit. Ndalesa e fundit ishte në vitin 2019, në rrugën e saj për në Haiti dhe vende të tjera të Karaibeve me një ndryshim të dukshëm këtë herë. Zyrtarisht, duhet  të ishte në një udhëtim 10-ditor në Belizë dhe Guatemala. Por në realitet, ajo kaloi vetëm katër ditë në këto vende dhe gjashtë ditët e mbetura në ShBA, në fakt ky quhet udhëtim jo tranzit, është një udhëtim i motivuar politikisht.

Por, çështja e Tajvanit është thelbësore për kombin kinez. Lidhja midis dy anëve të ngushticës së Tajvanit është aq e fortë sa që një udhëheqës që kalon nëpër një vend tjetër bëhet një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme politike dhe diplomatike.

Një shikim nga e kaluara

Cili është parimi i “Një Kinë”  dhe pse Kina insiston se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të saj? Le t'i zbërthejmë faktet dhe t'i hedhim një vështrim të shkurtër historisë. Të dhënat më të vjetra të shkruara për ishullin datojnë 1700 vjet më parë në një libër të ruajtur deri sot. Pas disa shekujsh misionesh eksploruese dhe organeve të ndryshme administrative që u krijuan në ishull në vitin 1684, dinastia Qing krijoi prefekturën e Tajvanit nën juridiksionin e Provincës Fujian. Pas dy shekujve të qeverisjes së Qing në 1895 ishulli iu dorëzua Japonisë pas disfatës së Kinës në luftën e parë kineze japoneze. Në vitin 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore, Japonia  kapitulloi dhe pranoi dispozitat e deklaratave të Potsdamit dhe Kajros, duke i kthyer Tajvanin dhe territoret e tjera që i kishin pushtuar Kinës.

Gjatë luftës së mëvonshme të çlirimit, Kuomintang u mund nga Partia Komuniste e Kinës(PKK). Në vitin 1949, ata që kishin mbetur nga regjimi i Kuomintang u tërhoqën në Tajvan. Në vitin 1971 me miratimin e rezolutës 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, komuniteti ndërkombëtar e njeh Republikën Popullore të Kinës si përfaqësuesen e vetme legjitime të Kinës në Kombet e Bashkuara. Që atëherë, parimi “Një Kinë” është afirmuar nga shumica dërrmuese e kombeve të botës. Ai është parimi kryesor që mbështet lidhjet midis Kinës dhe më shumë se 180 vendeve. Qëndrimi i vetë ShBA-së u konfirmua në dokumentet e njohura kolektivisht si komunikatat e përbashkëta, sipas të cilave, populli i ShBA-së do të mbante vetëm marrëdhënie jozyrtare me Tajvanin. Kjo hodhi themelet për normalizimin e lidhjeve dypalëshe dhe që atëherë ka qenë themeli i marrëdhënieve Kinë-ShBA.

Tsai në retrospektivë

Por le të kthehemi tek Tsai, që kur erdhi në pushtet në vitin 2016, ajo dhe autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) nuk kanë kursyer asnjë përpjekje për të promovuar "pavarësinë e Tajvanit". Politikisht, ata kanë ngritur vazhdimisht nivelin e ndërveprimit me Shtetet e Bashkuara dhe kanë ndjekur retorikën e tyre dhe disa vendeve të tjera perëndimore për të nxitur të ashtuquajturin "kërcënim kinez". Ushtarakisht, ata kanë qenë thellësisht të përfshirë në "strategjinë e Indo-Paqësorit" të ShBA-së dhe kanë kërkuar zgjerimin e shitjeve të armëve nga Shtetet e Bashkuara për të “forcuar përpjekjen për t'i rezistuar ribashkimit me përdorimin e forcës”.

Por mbi të gjitha agjenda që ajo dhe partia e saj promovojnë është ajo e “de-sincizimit” ose të eleminimit të elementeve tradicionale kineze duke u përpjekur për një kohë të gjatë që të ripërcaktojnë dhe të ridefinojnë se çfarë është Tajvani. Taktika numër një e kësaj fushate është zbehja e rëndësisë së kulturës kineze, gjuhës kineze dhe trashëgimisë kineze, pra një distancim nga “sinicizimi” duke u mbështetur në Uashington për ta bërë këtë. Partia e Tsai është bërë thjesht pengu dhe karremi i leverdisshëm nga ana e ShBA në rivalitetin e madh gjeopolitik me Kinën.

VCG

VCG

Tsai ka parë që popullariteti i saj të tkurret ndjeshëm kohët e fundit, dhe si shumë politikanë të tjerë të dëshpëruar, ajo tani po kërkon favoret e Shteteve të Bashkuara në një përpjekje për të rifituar popullaritetin dhe besueshmërinë e saj në vend.

Standart i dyfishtë me rreziqe të shumëfishta

Administrata Biden ka theksuar vazhdimisht se nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit, por me sa duket veprimet përgënjeshtrojnë fjalët, pasi ata kanë rritur vazhdimisht shitjet e armëve në Tajvan dhe zyrtarët amerikanë kanë ndërvepruar drejtpërdrejt me personel nga ishulli i Tajvanit.

Shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare besojnë se politika e Uashingtonit për Tajvanin gjatë dekadave, shkeli letrën dhe frymën e Marrëveshjes  “Një Kinë”, pasi ata vetë njohin qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si qeverinë e vetme legjitime të Kinës, pra qeveria amerikane e pranon qëndrimin kinez se ka vetëm “Një Kinë” dhe Tajvani është pjesë e Kinës, në teori. Ndërsa në praktikë, mbështetja mes tyre për pavarësinë e Tajvanit morën një kthesë për keq në mars 2018, kur Kongresi Amerikan miratoi “Aktin e udhëtimit në Tajvan”, i cili u lejon zyrtarëve të qeverisë amerikane në të gjitha nivelet të udhëtojnë në Tajvan dhe të takohen me homologët e tyre atje dhe anasjelltas.

Uashingtoni u zotua në Komunikatën e Përbashkët për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës se: "Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin Qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si qeverinë e vetme ligjore të Kinës. Në këtë kontekst, populli i Shteteve të Bashkuara do të mbajë marrëdhënie kulturore, tregtare dhe të tjera jozyrtare me popullin e Tajvanit."

Duke lejuar Tsai-n të kalojë tranzit nëpër SHBA, Uashingtoni në fakt po mbështet forcat pro-pavarësisë së Tajvanit. Më keq, SHBA-të janë përpjekur të minimizojnë shqetësimet serioze të Pekinit si reagim të tepruar dhe i kanë shtrembëruar duke pretenduar se Pekini po përgatitet të ribashkojë me forcë Tajvanin me territorin kinez. Politika e një Kine ka filluar të gërryhet që nga nga administrata e Obamës me të ashtuquajturën strategjinë e saj me fokus në Azi (Pivot to Asia), e cila  në të vërtetë ishte një bosht kundër Kinës. Kjo politikë po vazhdon edhe nën administratën e Biden.

Takimi mes Tsai Ing-wen dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy në 5 prill 2023, e bëjnë McCarthy zyrtarin më të lartë që takohet me një president tajvanez në tokë amerikane që kur Shtetet e Bashkuara vendosën marrëdhënie diplomatike me Pekinin. Kjo në realitet është me sa duket një shfaqje politike për të dy. Tsai që dëshiron të mburret për takimin me një zyrtar amerikan për të fituar mbështetje për shtytjen e saj pro-pavarësisë, dhe McCarthy që përpiqet të kënaqë forcat anti-Kinë në fushën e tij politike.

Së fundmi, në Pekin mendojnë se duke vepruar kështu, Tsai po tradhton interesat e 23 milionë banorëve të Tajvanit, duke i kthyer ata në një mjet politik të frenimit të Kinës nga ShBA-të.

VCG

VCG

Pitagora ka një shprehje të famshme “Një mendim është një ide në tranzit” – kjo vizitë tranzit e Tsai testoi terrenin e një “ideje” personale të saj me bazë interesat e ngushta politike vetjake, të ndërthurura më një “mendim” më të thellë që është kultivuar prej dekadash nga mbështetësit e “de-sinicizimit” përtej paqësorit.

Dr. Marsela Musabelliu