Qendra e lëshimit të satelitëve në brendësi të Kinës shton shërbimet komerciale
2023-04-07 19:04:35

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it, që është deri tani vendi i vetëm në Kinë për nisjen e anijeve kozmike me astronautë në orbitë, po kërkon të hyjë në tregun komercial duke ofruar më shumë shërbime dhe duke shtuar kapacitetet.

Kjo qendër, që ndodhet në shkretëtirën e Gobit të Kinës Veriperëndimore, ka kryer misione të shumta hapësirore që nga ndërtimi i saj në vitin 1958. Ajo ka qenë shpesh në titujt kryesorë të medies për nisjen e taikonautëve të stacionit hapësiror kinez gjatë dy vjetëve të fundit.

Nga kjo qendër janë bërë të paktën tre lëshime të suksesshme komerciale sivjet dhe raketa bartëse e saponisur "TL-2 Y1" është shembulli më i fundit i përpjekjeve të saj për t'u shërbyer kompanive private të hapësirës. Raketa private "TL-2 Y1", e lëshuar më 2 prill, çoi një satelit të gjurmimit në largësi në orbitë gjatë fluturimit të vet të parë.

Në rrethanat e rritjes së kërkesës, në këtë qendër janë ndërtuar një numër strukturash të reja për lloje të shumta të anijeve kozmike komerciale, duke përfshirë një fushë të re ngritjeje për mjetet e lëshimit me oksigjen-metan të lëngshëm e një fushë tjetër për raketat me karburant të ngurtë. Për testimin dhe nisjen e raketave të lëngshme kriogjenike, Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it ka ngritur gjithashtu një ekip profesionistësh që zotëron teknologjitë, si mbushja e shpejtë dhe automatike e lëndës shtytëse.

Puna e ndërtimit në vendin e parë të lëshimit për misione komerciale në Kinë filloi në provincën ishullore të Hainan-it vitin e kaluar.